Albspirit

Media/News/Publishing

Gratë anëtare të këshillave bashkiake krijojnë Aleancën Kombëtare

Sot shënohet themelimi i Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake (AKKB), një platformë për fuqizimin e grave dhe vajzave dhe nxitjen e përfshirjes sociale në nivel vendor Këshilltaret gra nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë bashkitë e vendit bashkohen në një platformë që synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrjen politike si dhe të avokojë për përmirësimin e shërbimeve sociale për gratë dhe vajzat. “Politika nuk duhet të jetë qëllimi, por mjeti për t’u bërë zëri i çdo gruaje dhe krahu ku secila prej tyre të mund të mbështetet për të pasur akses në çdo mundësi, që ajo të zhvillohet ekonomikisht e profesionalisht. Vetëm kështu shoqëria do të jetë e drejtë dhe e barabartë. Shqipëria ka nevojë që të mbështesë çdo vajzë e grua, pavarësisht gjendjes apo përkatësive të saj. Duhet t’i japim fund kulturës së turpërimit të gruas dhe trajtimit të saj si krijesë e brishtë dhe e pazonja” tha Silda Anagnosti, bashkëkryetare e Aleancës. Ndërsa Alta Haluci, bashkëkryetare e Aleancës tha: “Imazhi i gruas shqiptare me vlera në politikë është garanci për një qeverisje të mirë dhe integrim me standarde dhe vlera të Shqipërisë në BE”. “Kur gratë anëtare të partive të ndryshme politike, nganjëherë dhe opozitare, punojnë bashkë dhe harmonizohen për një qëllim më të lartë, kjo dërgon një mesazh të fuqishëm tek e gjithë shoqëria shqiptare dhe ndërton ura të nevojshme”, tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Suedisë, Shkëlqesia e Tij Z. Niklas Ström, evidentoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak mes grave këshilltare bashkiake dhe më pas shtoi: “Arritjet në barazinë gjinore nuk duhen marrë për të mirëqena dhe të gjithë duhet të luftojmë tendencat regresive që nxisin rolin ‘tradicional’ të grave dhe vajzave, atë të qëndrimit në shtëpi apo të nënshtrimit në forma të ndryshme”. AKKB është ndërtuar mbi pesë shtylla kyçe: i) fuqizimi politik i grave dhe vajzave, ii) aksesi i përmirësuar në shërbimet sociale, iii) fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave, iv) reforma legjislative dhe v) lufta kundër dhunës me bazë gjinore, të cilat do të udhëheqin përpjekjet tona për të krijuar një Shqipëri më të barabartë. Aleanca ndjek një trashëgimi dhjetë vjeçare të bashkëpunimit të këshilltareve bashkiake. Në fillesat e saj një dekadë më parë 24% e këshillave bashkiakë nuk kishin asnjë përfaqësuese grua. Aktualisht përfaqësimi politik i grave është rritur në 42.22%. Aleanca do të vazhdojë punën për të forcuar pozicionin dhe zërin e grave në shoqëri dhe për të bërë të mundur që ato të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke ndikuar si në komunitetet vendore ashtu edhe në nivel kombëtar. Gjithashtu AKKB do të mbrojë nismat që nxisin pavarësinë ekonomike të grave dhe pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës; do të punojë për të siguruar zbatimin efikas të legjislacionit në fuqi që promovon barazinë gjinore dhe do të avokojë për ndryshime të mëtejshme ligjore në përputhje me standardet evropiane. Në të njëjtën kohë, AKKB është e vendosur dhe do të mbajë një qëndrim të fortë e pa kompromis kundër çdo lloj dhune dhe diskriminimi me bazë gjinore në jetën private dhe publike, duke punuar për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë, vajzat dhe grupet në nevojë. Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake është e gatshme për t’u bërë një forcë shtytëse për ndryshime pozitive në Shqipëri. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe zbatimit të parimeve tё saj themelore, AKKB do të fuqizojë gratë që të udhëheqin, avokojnë dhe formojnë një të ardhme më të sigurt për veten, komunitetet e tyre dhe vendin. Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake mbështetet nga “Bashki të Forta”, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe Qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas.

Please follow and like us: