Rexhep Shahu: Lamtumirë Kadare!
Shkrimi yt mua më ka bërë magji që me auuu… te ‘Kronikë në gur’, me ka hesht e shtang Ebuqerimi… , me ka rrenqethë Laokonti…
Vonë pas gjysmës së jetës kam kuptuar se librat e tu për mua kanë qenë krahë dallëndyshesh që mbanin në qiell ëndrrat e mia që ndizeshin nga librat e tu.
Besoj edhe shumë njerëzve të tjerë të dobet si unë, por mua po, librat e tu më kanë ndihmuar me mi ruajtë mendtë e kresë.
Nuk e kemi ne shqiptaret një Hygo për të mbajt fjalimin në varrimin e Balzakut.
Ne jemi popull i vogël, gjuhë e vogël dhe për fat ne patëm vetëm një Kadare që emrin shqiptar, historitë shqiptare i futi në 45 gjuhë në shumë miliona familje të planetit tonë sa ne nuk arrijmë as ta përfytyrojmë.
Nga sot ndjehem më pafat, më i rrezikuar e kërcënuar sepse mund të dalin udhëve, të pushtojnë shtëpitë e zyrat e shtetit minjtë e gjirizeve, ndjehem më i kërcënuar se nuk kam më një mbrojtës të shquar, të pamposhtur, trim e krenar të identitetit tim kombëtar shqiptar.
I pamundur me ta prek ballin – mal i menduar e me ta hedhë një grusht dhe, të them: Lamtumirë Mjeshtër!