Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Bar Juvenilja Castello

 

Bosh është tavolina,

mbi tavëll shkëlqimi bjen

dritë, xhami mbi syprinë,

kafeja pse s’po vjen?

 

Poshtë tendës së verdhë

S’ka tym cigarje gjëkundi.

Dhe gjallëria e miqve,

S’dihet se nga humbi!

 

Mbi syprinën e xhamtë

Pse drita më nuk feks,

gota pa ujë si mbeti?

Filxhani s’u kthye me eks!

 

Pa njerëz tavolina,

një hije e zbehtë bjen

kthe kokën kamerieri

pse mjeshtri s’po vjen?

 

Oh nuk shkohet më atje

vullneti don ta braktisë,

siç braktisim vendin intim

pas rrebeshit të dashurisë.

 

Më kot kopshti tutje

pret burrin mendimtar

të zbrazur krejt janë stolat

drunjtë, të heshtur, rradhë.

 

S’kendojnë më bilbilat

as linfë mes gjethesh s’ka

asfalti krejt i zi; po

mjeshtri pse s’po vjen,

pse vonohet pra?

 

Ah, do të kenë mall miqtë

për zërin tënd të mprehtë.

Për duart mishtore, t’mëdha

Si dhe vështrimin, shigjetë.

 

Do kenë mall fare dhe

për mallëngjimin fisnik

Ndoshta ende s’e ndjejnë

se ti vërtetë ke ik.

 

Ku shkove, nga u fshehe

pse s’vjen ti si gjithmonë,

ja tavolina, tavlla, paketa

kafeja pse vonon?

Please follow and like us: