Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Heroi Jaho Gjoliku i shpalosur në një album

Në çdo gërmë ka një histori

Vitet e fundit në botime kanë marrë përparësi dhe librat album, që pasqyrojnë jetën dhe veprimtarinë e figurave të shquara të kombit shqiptar. Midis tyre një vend nderi zë dhe libri “Album, jeta dhe vepra e Heroit të Popullit Jaho Gjoliku”, të botuar nga shtëpia botuese me emër Toena dhe të shkruar me dashuri dhe ndjenjë prej të birit të tij, Bashkim Gjoliku.

Albumi na paraqet mjaft materiale origjinale si: shkrime, fotografi të ruajtura në vite nga familja e Jaho Gjolikut, pjesë nga libra të shkruar nga bashkëfshatarë, shokë e miq të tij, bashkëluftëtarë të luftës kundër andartëve grekë të viteve 1912-1914, të Luftës së Vlorës të vitit 1920, si dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Libri album prej 581 faqe na shpalos dhe na bën të njohur jetën dhe veprën e heroit dhe rreth tij, familje, Kuçin dhe më gjerë.

Në këtë album gjejmë të pasqyruar me dokumente luftëtarin Jaho Gjoliku, i cili merr vlera të mëdha nga mendimet, vlerësimet e të dhëna për të nga personalitete shoqërore, shkrimtarë, poetë dhe njerëz të thjeshtë. Nëpërmjet faqeve të librit shfaqet një histori, bëhet njohja me fshatin Kuç, fshatin martir dhe të dalluar në historinë e luftërave, por dhe të punës, të këngës dhe të mendimit, të bujarisë dhe të fisnikërisë.

Libri si një muze i gjallë na bën lidhjen e figurës së Jaho Gjolikut me fshatin Kuç, na njeh me jetën, me arsimimin, krijimin e familjes dhe veprimtarinë së Jaho Gjolikut për mbrojtjen e familjes, të fshatit e të vendit të tij. Është domethënës edhe një prurje e re, pasi fshati Kuç ka botuar një libër me kujtime nga bashkëluftëtarët, me histori, tregime e poezi të shkruara për jetën e veprën e heroi në shërbim të popullit e vendit. Nëpërmjet këtyre kujtimeve dhe foto të shumta njohesh me jetën dhe aktivitetin e familjes Gjoliku, por edhe të Hava Gjolikut, bashkëshortes së jetës. Në libër zënë vend të dukshëm marrëdhëniet e familjes Jaho e Hava Gjoliku me miq, shokë, fisin, me shtetin dhe popullin.

Vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe njohjes me dëshmorët e fshatit Kuç, me sakrificat e familjes Gjoliku, të bashkëfshatarëve dhe të bashkëluftëtarëve të fshatit Kuç për mbrojtjen e fshatit, të vendit, luftën për çlirimin dhe rindërtimin e Shqipërisë së lirë. Vend nderi deh përshkrime emocionuese ka për jetën dhe aktivitetin e studëntëve i Mit’hat dhe Ali Gjolikut, të cilët ndërprenë studimet me letrën që ju dërgoi babai dhe u kthyen në mallet e Shqipërisë për ta çliruar duke rënë dëshmorë të atdheut në një ditë…

Botim me vlera të mëdha njohëse

Në parathënien e përgatitur nga Prof. dr. Xhemil Frashëri, vlerësohet libri si një punim shumë i pasur dhe i bollshëm që i jepet lexuesit me tekst dhe me foto. Në çdo gërmë e foto pasqyrohet Jaho Gjoliku, familja e tij, Kuçi dhe gjithë Shqipëria. Në jetë duke u nisur nga mosha e tij e madhe, partizanët dhe populli e thërrën me dashuri “xha Jaho”, kjo shoqëron gjithë punimin e librit. Punimi ka vlera materiale dhe na përshkruan një veprimtari, një jetë e jetuar intesisvisht, libri shfaq karaktere dhe ka vlera edukative. Këto vlera spikatin në meritat historike të xha Jahos, të familjes së tij, të vlerave familjare të familjes Gjoliku, por libri paraqet interes dhe për publikun e gjërë, për të mësuar rreth një familje heroi.

Libri pasqyron gjerësisht karakterin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila ishte një luftë për çlirimin kombëtar. Ndaj dhe xha Jaho u përfshi në këtë luftë, edhe pse i moshuar, luftoi për çlirimin kombëtar me një trimëri të rrallë. Ndërsa në një moshë shumë të re, kishte luftuar kundër andartëve grekë. Në Luftën e Parë Botërore e gjejmë luftëtar, më tej komandant të njërës prej pesë çetave atdhetare të Kuçit, në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë, në vitin 1920. Kontributi i tij i madh u shfaq në LANÇ. Edhe pse i moshuar, me një familje të madhe, me fëmijë dhe djem të rritur, xha Jaho mori pjesë aktive në këtë luftë. Për merita, pas çlrimit të Shqipërisë u gradua “Gjeneralmajor”, si dhe u shpall “Hero i Popullit”.

Në luftë me meritë, falë dhe vlerave dhe kontributit të tij, në jetën luftarake kreu detyra përgjegjësi të larta. Xha Jaho komandoi BrVIS të UNÇSH-së, “Heroinë e Popullit”, e cila zhvilloi një veprimtari të dëndur luftarake nga jugu i Shqipërisë, në Alpe të Vendit, por dhe më tej, në tokat e Jugosllavisë: në Malin e Zi, në Sanxhak dhe në Bosnje. Shembulli i këtij luftëtari të madh dhe patrioti të njohur, i këtij veteran të luftërave për liri dhe pavarësi u bë frymëzues për partizanët dhe për popullin. Xha Jaho qëndroi burrëror kur dy djemtë e tij trima, Mit’hat dhe Ali, ranë dëshmorë, duke luftuar me trimëri. Ndërsa vajza e tij e madhe, Bibo, doli partizane dhe kreu detyra me përgjegjësi në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Vlerësim për vlerat e Kuçit

Libri krahas vlerave dhe meritave të xha Jahos dhe Familjes Gjoliku, shfaq vlera të shquara për Kuçin e Kurveleshit. Libri vjen si një hymn për Kuçin, për meritat e tij të shumta në luftë dhe në histori. Pjesëmarrja e luftëtarëve kuçiot në radhët e formacioneve luftarake ishte massive. Kuç i dha luftës më shumë se një batalion me luftëtarë, si dhe mjaft kuadro të rëndësishëm drejtues. Të tillë janë “Hero i Popullit”, kuadë e poet i talentuar, Memo Meto; komandant i BrVIS, “Hero i Popullit”, gjeneralmajor Jaho Gjoliku; “Heronjtë e Popullit” Nuri Luçi e Avdul Hakiu; komandantin e BrVIIIS, gjeneralmajor Qazim Kondi, komandantin e batalionit territorial të kuçit Bedin Myftar Demiraj, etj.

Nëpërmjet këti libri njihesh me mjaft kuadro drejtuese kuçiot, por dhe me popullin e Kuçit i cili ishte i përfshirë totalisht dhe mjaft aktive në këtë luftë. Populli i ushqeu partizanët, i ndihmoi në vështirësi, i mbrojti në gjirin e vet. Ky ishte një uragan masiv që populli i Kuçit u përfshi totalisht dhe dhe dha një kontribut, bujarisht, me gjithë zemër dhe ekonomikisht duke mbajtur mjaft formacionet luftarake partizane. Kuçotët dhanë shembuj historie të përballimit të luftërave, por dhe vështirësive të mëdha. Ata pritën dhe qenë dinjitoz, treguan një shpirt të lartë patriotic, ishin një qëndresë e fortë kur mandatet për rënien e bijve të tyre në fushën e luftës. Në palcë të dimrit, në kushte mjaft të vështira të operacioneve të armikut, nuk u thyen, nuk shfaqen vështirësi për rrugën që kishin zgjedhur, por u bënë stoik bashkë dhe u qëndruan vështirësive si mallet suferinën. Shembull u bë familja e xha Jahos, qëndrestare u bënë familja e Shaho Luçi, por dhe familja Fikaj, të cilat humbën në luftë djemtë e tyre.

Për kontributin e shquar të Kuçit në LANÇ. Flasin dhe shifrta, ku morën pjesë mbi 600 vetë në luftë dhe i dhanë Atdheut mbi 100 bij dhe bija, si dhe mjaft të burgosur, të plagosur dhe të masakruar. Kuçi u dogj dhe pasuria ju shkatërrua, ndaj për vlerat dhe sakrificat është shpallur “Fshat Martir”. Një kontribut të vlerësuar dhanë kuçiotëve pas çlirimit të Shqipërisë. Ata ju përveshën punës pa pretendime për nxjerrjen e vendit nga prapambetja dhe për ecjen e tij në rrugën e ndërtimit të Shqipërisë. Përsëri xha Jaho dhe familja e tij dhanë një shembull të përkushtimit atdhetar. Bijtë dhe bijat e tij u bënë kuadro të rëndësishëm, deputet në Kuvendin Popullor, drejtues, oficerë të lartë në Ushtrinë Popullore.

Qëndrimi ndaj familjes Gjolikaj në kohën e demokracisë

Kontributi i shquar i kuçiotëve në luftë, që ishte dhe është faqja më e ndritur në historinë e popullit shqiptar, më e madhe, më e lavdishme, në fillimet e demokracisë u hodh shumë baltë mbi LANÇ-inH U sollën në një mënyrë jo të hijshme, nuk mund të mohohet karakteri i një lufte për çlirimin, nuk mohohet gjaku i 28 mijë dëshmorëve, të rënë në këtë luftë. , glorifikohen organizatat kolaboracioniste dhe kreret e tyre, kriminelët e njohur që u bashkuan me këto organizata, diversantët etj. Ndaj pjesëmarrësve në luftë mbahet një qëndrim denigrues. Këtij denigrimi nuk i shpëtoi as familja e Xha Jahos.

Hava Gjoliku, gruaja e xha Jahos, gjatë luftës u bë një veprimtare e shquar e saj, nëna e dy dëshmorëve, nënë fëmijësh të shquar në periudhën e socializmit, u nxor nga banesa. Ndërsa fëmijët e saj u hoqën nga puna. Djali Bashkim, autor i librit, oficer madhor në kohën e socializmit, u arrestua tri herë padrejtësisht. Vajza Liri u pushua nga puna, por dhe mjaft bashkatdhetar mbi të cilët u ushtrua dhunë…

Këto veprime nuk mund ta errësojnë kontributin dhe vlerat historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo luftë ishte e të gjithë popullit, bëri çlirimin e Shqipërisë dhe ruajti pavarësisë dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar. Lufta e rreshtoi popullin shqiptar përkrah koalicionit të madh antifashist, të kryesuar nga Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA. Bashkë me rezistencën europiane u hap rruga e përparimit gjithëdimensional të Shqipërisë.

Dera e Gjolike

Libri pasqyron derën e Gjolike, por dhe derën kuçiote në shekuj. Për derën e Gjolike kanë shkruar mjaft shkrimtarë e poet, ndër të veçantët Resul Bedo për “Gjolikajt”. Ndërsa shkrimtari Zenel Anxhaku është shprehur mjaft bukur “Dera e Gjolike është një derë historike, derë drite, krenarie e lavdie e shqiptarëve. Të shkruash për këtë derë, do të thotë të hapësh siparin e vetëdijes shqiptare për liri dhe pavarësi, të hedhësh shikimin në atë pus të shpirtrave ku vlon gjaku valë i urtësisë dhe i guximit, i mirësisë dhe inspirimit të lirisë. Dera e Gjolike nuk është thjesht derë lokale e një familjeje apo e një krahine, por portë e të gjithëve, dritare ku liria nëpër dekada flaku hekurat dhe shqipja e lirë sulmoi horizontet. Dera e Gjolike është një derë morale dhe etike e shqiptarëve, ku brezat e saj mësojnë jo vetëm historinë, por edhe metodologjinë dhe psikologjinë shqiptare. Dera e Gjolike është një derë estetike e bukurisë së thesareve shpirtërore shqiptare, është një derë e lartësive për të fluturuar lart, kur furtunat e historisë janë shumëballëshe dhe kur vullkanet e zjarrmirëve shpërthejnë në meridianët e kohërave. Dera e Gjolike është një derë kryesore ku hyn krenare historia shqiptare”.

Libri “Album, jeta dhe vepra e Heroit të Popullit Jaho Gjoliku” i autorit Bashkim Gjoliku ka vlera për sot e për brezat që do të vijnë, ai është një enciklopedi, një muze dhe një histori e shkruar me gjak dhe mes rrebesheve të kohës duke qëndruar në këmbë përballë tërmeteve të vlerave.

Please follow and like us: