Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Bashkëbisedim

Ku ishe mbrëmë?
– Po të kërkoja ty…
Po unë nuk të pash!
– E di, nuk dukesha..
Përse fshihesh?
– Nuk e di, më duket se ndihem më mirë kështu!
Po përse më kërkon atëherë?
– Sepse të ndjej..
Nuk e di, si duhet të të kuptoj?
– Me praninë time..
Edhe pa të parë?
– Po ti e di, largësia….
Oh, sigurisht, më doli nga mendja!
– Besoj tani e di ku ndodhem?
Po, e di ku të gjej!
– Po sikur të mos jem?
Do të kërkoj përsëri!
– Nuk lodhesh?
Lodhja nuk e lodh mendimin!
– As largësia?
Nuk ekziston për mua!
– Sa bukur e thua…
Po, e bukur, si fjalëza jote që nduk shpirtin! Më bëj pak vend aty..
– Ku? Brenda shpirtit?
– E ku tjetër?
A është shpirti im aq i madh sa ti?
– Edhe në qoftë i vogël do të zvogëlohem sa shpirti yt!
Nuk ke frikë?
– Nga kush?
Se ndoshta nuk del më nga shpirti im?
– Jo, kam frikë vetëm mos shpirti yt ngushtohet nga unë!
Si të të besoj?
– Eja, afrohu pak!
Ja tek jam!
– Shihe diellin…
Po, e shoh!
– Thuaj, “të dua!”
Të dua dielli im!
– Mbylli sytë tani!
Ja, po i mbyll…
– E sheh diellin?
Po, e shoh!
– Thuaj, “të dua!”
Po, të dua dielli im!
– E sheh? Jam diell që nuk shuhem, jam zjarr që ngroh, e kjo dritë e ngrohtësi nuk soset kurrë, si vetë dashuria, që lind brenda diellit, e jeton brenda tij në përjetësi!
5 Korrik 2024.
Please follow and like us: