Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Shpirti i njeriut…

Shpirti i njeriut është si lulja që çel brenda gjelbërimit të jetës. Lulet nuk kanë veç një ngjyrë, janë të shumëllojshme, me ngjyra të ndezura por edhe jo fort të ndezura, njëlloj si shpirti, që herë çelet e herë mbyllet, sipas stinëve të jetës, sipas ditëve plot me fenomene që gjallojnë në jetën e njeriut.
Ngjyra më e bukur është ajo e dashurisë, e ndezur, e flaktë, plot vezullim, e kur shpirti rrezaton me këtë ngjyrë, jeta lulëzon si një lëndinë e mbushur plot me lulëkuqe të zjarrta, me trëndafilë që përcjellin dritën, mbushur me vesë që freskon, që gjallon.
Shpirti nuk përkulet, as nuk lodhet, as nuk vdes. Të kujdesesh për shpirtin është njëlloj si të kujdesesh për lulet në lëndinë, për të qënë gjithmonë të freskëta e plot aromë, plot jetë e gjallëri, e gjallëria e tyre lajmëron stinë të bukura e të begata, ashtu edhe shpirti i njeriut, për të qënë gjithmonë i ri dhe plot gjallëri, duhet të kujdesemi për ta mbajtur të tillë, si kopshtari kopshtin e tij, si bariu vathën e tij, si i zoti i shtëpisë shtëpinë e tij, sepse një shpirt i ri prodhon jetë, por një shpirt i vakur nuk mëkon, as gjallon.
Shpirti nuk bëhet pis nga dora e njeriut, por bëhet pis nga fjalët e rënda, nga gjuha e helmuar, nga sjellje brutale, nga efektet negative të kohës. E gjithë kjo përcillet nëpërmjet zinxhirit të marrëdhënies njerëzore, e cila konsumohet sipas llojit të ushqimit.
Shpirti nuk mund të ushqehet me çdo lloj produkti. Zgjedhja është kulturë, është edukim, i cili jep prodhim të shëndetshëm kur përdoret në sasinë e duhur dhe me cilësinë e duhur. Gjithçka tjetër është model i cilësisë së ushqyerjes dhe efektit kohë që mat produktin.
Shpirti nuk ushqehet me lëndë ushqyese, pasi njeriu nuk është makineri që prodhon, por mund të kthehet në këtë model nëpërmjet debatit shterpë, nëpërmjet shitjes së mendimeve në favor të padronëve të paskrupullt.
Të shesësh dhe të blesh duke vënë shpirtin në kandar, quhet tregti konsumi në favor të batakçinjve, të cilët rrjepin për së gjalli çdo njeri me shpirt të dobët që shitet dhe blihet.
Të shesësh shpirtin do të thotë që ke zgjedhur armën më të dobët për mbijetesë. Plumbi i kësaj arme vret përdoruesin e saj.
Projektuesi i kësaj arme është ai që i ka shpallur luftë shpirtit njerëzor. Kjo luftë e ka fituesin e saj, por fituesi nuk është njeriu, as armiku i tij, por është Zoti i krijimit, i cili sundon e do të sundojë deri në fundin e kohërave!
4 Korrik 2024.
Please follow and like us: