Alket Veliu: Heshtja për Çamërinë!
Alket Veliu me presidentin kroat, Stipe Mesiç, një mik i viseve shqiptare
80 vjet janë mjaftueshëm për të kuptuar dhe reaguar për atë që ndodhi në Çamëri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nëse “blackout” për Çamërinë deri në fillim vitet ‘90 i pamundësoi elitës shqiptare të ngrinte zërin për Çamërinë vitet që pasuan duhet të ishin vite të reflektimit dhe të brerjes së ndërgjegjes për zërin e munguar për këtë pjesë vitale të kombit shqiptar.
Besova shumë që në këtë 80-vjetor të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë të reflektonte shteti shqiptar duke mbajtur një qëndrim, duke përkujtuar ngjarjet makabre ndaj bashkëkombasve shqiptarë të Çamërisë por një gjë e tillë nuk ndodhi. Shteti shqiptar i cili ka nderuar çdo kënd, i cili ka ngritur muze dhe ekspozita fotografike për ata të cilët as nuk e dinë ku “bie” Shqipëria, madje dhe në kujtim të atyre që kanë qenë mercenarë të luftës në Kosovë në krah të Arkanit, nuk u kujtua të nderoj fëmijët, gratë, pleqtë bashkëkombas të vet, vrarë nga dora kriminale e ushtrisë greke drejtuar nga gjenerali Zerva.
Besova shumë te parlamenti i cili nuk do të mjaftohej me ritualin e përvitshëm, 1 minutë heshtje në nderim te viktimave dhe 365 ditë heshtje për Çamërinë dhe çështjen çame duke mos u ngritur kurrë në nivelin e përfaqësimit të interesit kombëtar. Në këtë 80-vjetor besoja në hapa konkretë, në nisma parlamentare të cilat do t’i adresoheshin qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore për të nxitur angazhimin e tyre për çështjen çame.
Besova shumë që institucionet në varësi të parlamentit, qeverisë apo të pavarura, akademitë apo katedrat universitare publike dhe private të cilat duhet të ishin të parat që duhej do të kujtonin Çamërinë këtë 80-vjetor të gjenocidit për shkak të misionit, dijes dhe njohjes së historisë por jo, heshtje! Edhe këta çuditërisht zgjodhën që Çamërinë të mos e kishin pjesë të kalendarit të aktiviteteve të tyre. Asnjë sesion shkencor, asnjë ekspozitë fotografike apo materialesh arkivore, asnjë formë tjetër përkujtimi të 80-vjetorit të gjenocidit çam nga këto institucione.
Ata që çdo mbrëmje zenë ekranet e mediave të rëndësishme në vend të cilët nuk harrojnë të bëjnë emisione debati për martesat grua me grua apo burrë me burrë por çuditërisht harruan Çamërinë në këtë 80-vjetor të gjenocidit dhe që çështja çame është çështje kombëtare dhe si e tillë është detyrim dhe jo zgjedhje nëse vërtet mediat do të përfaqësonin interesin publik.
Heshtja vazhdon për Çamërinë edhe pas 80 vitesh për turpin e atyre që kanë në dorë të bëjnë gjithëçka dhe nuk bëjnë gjë, për turpin e atyre që kanë në dorë të bëjnë diçka dhe nuk e bëjnë.
Please follow and like us: