Presidenti Bush: “Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”
Presidenti amerikan Xhorxh Bush tha gjatë një vizite në Tiranë se është koha që bashkësia ndërkombëtare “të fillojë të lëvizë” për Kosovën dhe shprehu vendosmërinë që “rezultati përfundimtar është pavarësia”.
Zoti Bush tha se çdo plan për të shtyrë bisedimet për Kosovën duhet të ketë synimin “pavarësi të sigurt”.
Ai po komentonte një propozim të presidentit francez Nicholas Sarkozy gjatë samitit të G8-s javën e shkuar për shtyrje edhe për “disa javë e muaj” të bisedimeve për statusin e Kosovës.
“Për Shtetet e Bashkuara, pavarësia do të jetë në fund të këtij procesi”, tha zoti Bush në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin shqiptar në Tiranë.
“Bëra të qartë, dy gjëra – ne duhet të bëjmë përparim dhe e dyta, rezultati përfundimtar është pavarësia”.
Zoti Bush tha se është e rëndësishme që diplomatët të punojnë së bashku për të kapërcyer pengesat, por nuk mund të lejohet që negociatat të zvarriten pafund”, tha ai. “Thjesht nuk mund të ketë zvarritje të vazhduar sepse jam i shqetësuar lidhur me shpresat që nuk po plotësohen në Kosovë”, tha presidenti amerikan. “Çështja është nëse do të ketë ose jo dialog pa fund për një çështje për të cilën e kemi vendosur tashmë. Ne besojmë se Kosova duhet të jetë e pavarur”.
Presidenti amerikan u bëri thirrje udhëheqësve kosovarë të kenë durim. “I kërkova kryeministrit shqiptar të flasë me udhëheqësit kosovarë që të mbajnë qetësinë në këto hapa të fundit”, tha zoti Bush.
“Nëse marrëveshja nuk arrihet ne do të themi mjaft dhe Kosova do të marrë pavarësinë”, tha zoti Bush.
Ai i ofroi Serbisë siguri se SHBA mbështet aspiratat e tyre për bashkëpunim me perëndimin./BBC, 10 qershor 2007