Lajmi për ikjen e Kadaresë vjen i beftë dhe tronditës
Çapajev Gjokutaj
Lajmi për ikjen e Kadaresë vjen i beftë dhe tronditës. Mendja, në vend që të përsiasë për vdekjen, zgjedh të meditojë për jetën dhe pavdekësinë. Dhe është e kuptueshme: sot ka ikur njeriu për t’i lenë vend më të gjerë të përjetshmit, gjeniut të letrave shqipe.
Ismail Kadareja ka gjalluar dhe do të vazhdojë të gjallojë brenda nesh, bashkëkohësve të tij. Është dhe do të jetë i pranishëm në mënyrën si e shohim botën, si e kuptojmë historinë, si e shijojmë natyrën dhe dashurinë. Në këto dhe të tjerë përbërës të botës sonë shpirtërore vepra e tij ka lënë gjurmë, që rrallë se mund t’i ketë lënë personalitet tjetër i kulturës shqiptare.
Mjeshtër i madh i fjalës, Ismail Kadareja do vazhdojë të jetojë tek gjuha shqipe, gjuhë të cilës i bëri nderin që s’ia ka bërë kush deri më sot: e dëshmoi të aftë për krijim kryeveprash botërore, që kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në tregun ndërkombtar të librit në të gjitha kontinentet. Atje, mes thesareve të tjerë të shqipes, do vezullojnë gjatë prurjet e Kadaresë në rrafshin stilistik, metaforik, narrativ e leksikor.
Për sa kohë që shqiptari do ta perceptojë veten shqiptar, Kadareja do t’i gjendet në krah duke i ofruar një model identiteti pranë thelbit të shqiptarisë. Kështu rrënjosur te gjuha dhe identiteti, do vazhdojë të jetë element i hasur i kulturës dhe i shpirtit shqiptar.
Shkrimtari shqiptar më i njohur dhe më i përkthyer në botë, gjallon dhe do të vazhdojë të gjallojë në korpusin madhështor të veprës që la pas. Përbërësi universal, aq i pranishëm në këtë korpus, është shpresë e fuqishme se Kadareja do vazhdojë të jetojë, jo si vlerë historike a, larg qoftë muzeale, po si bashkëbisedues i përditshëm, që do do të gjenerojë lexime të shumta e të tejkohshme.
1 Korrik 2024.
Please follow and like us: