Memorandum i “Shoqërisë Çamëria” në SHBA drejtuar Konferencës së Paqes në 1919 ku kërkohej bashkimi me Shqipërinë
Hasan Bello
Pjesë e emigracionit shqiptar në SHBA në dekadat e para të shek.XX ishin dhe shqiptarët e Çamërisë. Për shkak të represionit që shteti grek ushtronte mbi këtë popullsi që në vitet e Luftërave Ballkanike 1912-1913, një pjesë e tyre ishte detyruar të merrte rrugët e mërgimit. Por aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin. Një nga këto ishte dhe “Shoqëria Çamëria” e krijuar në qytetin Worcester, në shtetin e Massachusetts të SHBA-ve. Pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin njëkohesisht pjesë e Partisë Kombëtare Shqiptare e krijuar në SHBA nga Kristo Dako dhe personalitete të tjera.
Më 22 janar 1919 “Shoqëria Çamëria” i drejtoi kryeministrit të Francës dhe njëkohësisht Presidentit të Konferencës së Paqes në Paris, Georges Clemenceau një memorandum, ku kërkohej korrigjimi i vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës së vitit 1913 dhe bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë.
***
“Shkëlqesi
Të nënshkruarit, përfaqësues të shqiptarëve të rrethit të Janinës, duke përfshirë Prevezën, Filatin, Igumenicën, Paramithinë dhe Margëlliçin, me organizatën e tyre “Shoqëria Çamëria” dhe që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i luten Shkëlqesisë s`uaj të hidhet poshtë vendimi i Konferencës së Londrës, që preu këto vende shqiptare nga trupi i mëmëdheut tonë të dashur dhe ia dha Greqisë, nga e cila kemi pësuar persekutime të papërshkrueshëm.
Në emër të parimit të kombësive, për të cilën kaq gjak po derdhet dhe për hir të paqes në të ardhmen në Ballkan, lusim Shkëlqesinë t`uaj të përdorni influencën t`uaj, për t`ia kthyer këto vende mëmëdheut tonë Shqipëri të cilës i përkasin si nga pikëpamja etnografike, e ndjenjave, e gjeografisë, si dhe historisë.
Me nderime:
Kryetar – Beqo Izeti nga Filati
Sekretar – Ahmet Hajredin nga Filati
Isuf Hyseni nga Gumenica
Omer Bako nga Paramithia
Refo Çapani nga Margëlliçi
Gazali Dino nga Preveza”.