Albspirit

Media/News/Publishing

Mendime rreth tregimit “Unë, vjedhësi i librave” të Shpëtim A. Emirit

   

Tonine Hido

 

Vetë titulli i tregimit, (në vetën e parë – unë) provokon një “truk” të gjetur bukur nga shkrimtari (dhe humoristi) Shpëtim Emiri, si “pajë” nga qesëndia lokale, familjare, personale, të cilat, pa e tepruar, i kemi lexuar në shtatë librat e mëparshëm të tij. Kësaj rradhe duket situatë krejt ndryshe, nga që autori rrëfen diçka shumë serioze, përjetuar “ me gojëhapur”, “si rrufe në qiell të pastër” pas tridhjet vitesh… Dhe ka pritur kaq gjatë, siç kuptoj unë, duke çmontuar imtësisht gjithëçka ndodhi dikur, për të mos u bërë “hakmarrës” gjaknxehtë, drejtpërdrejt, përballë “perëndive” që lëshuan zjarrin, as kundër “disa përkrahësve të vobektë” që miratuan dje. Të dyja palët kanë mbetur po ato, ndaj autori Emiri ka pritur gjatë duke stërmenduar e stëranalizuar atë “kod të ri” të “shpërblesës” për punën e tij 20 – vjeçare plot aftësi, ndershmëri, përkushtim e përgjegjësi dinjitoze, siç e ka në genin e fisnikërisë familjare, të qytetarisë lokale. Prandaj duhet lexuar ky tregim “tepër i veçantë” në tematikën e zgjedhur për një kohë (tranzicion po i themi ne) që vetëm stërlakohet në mëllefe personale, fjalime partiake, poza personale të personazheve me bishtin më të rëndë nga sopata… Tregimi në fjalë mbart vlera njohëse specifike, për nga realizmi, konkretja, ngulur në një qytet të caktuar, në N.N.I.- njohur për punën serioze të njëmijë e dyqind punëtorëve të palodhur, me një staf teknik të lakmueshëm, që linte gjurmët e ndërtuesave të Fierit tejembanë vendit. Realizmi në trajtim tërheq edhe për faktin e qëndrimit objektiv të qartë, të paanshëm, të pangarkesë politike (siç i bien gjoksit shpesh kuadrot drejtues). Objektiviteti është ndershmëri, kartë morale me të cilën Autori hyn te çdo portë e zemrave dhe kujtesës së bashkëpuntorëve dhe të të gjithë të njohurve të tjerë. Në tregim çmoj këtë ndershmëri – objektiven e ngjarjes për arsyen e thjeshtë: Zgjedhja e temës, nëpërmjet përjetimesh krejt vetiake, në një cak historik (viti 90) i përmbysjes së madhe të sistemit komunist afër 50 – vjeçar në Shqipëri, do guxim, kulturë,  gjykim të ftohtë, sidomos kur je i prekur n’atë më të çmuarën, dinjitetin tënd, gatuar tërë jetën tënde, pa mëtim përfitimesh familjare, posti, qoftë kalkulimesh për “hakmarrjen” e nesërme etj. etj. me të cilat përfituan jo pak njerëz, që më kujtuan poemën “U mbyt gjemia me gjeneralë/ O burra, shpejt-o, kush mund të dalë/ Paçet Fashizmit e Vinçeremos/ se erdhi koha e Baba – Qemos/… Koha e Baba Qemos – mjerisht, tragjikisht vazhdon të damkosë dhe gjakosë në vazhdim edhe sot. Çfarë ndodhi?! Në tregim dalin gjetur mjeshtërisht raporte njerëzore, të së përmbysurës me çka pritej të vinte në disa plane: – Planifikohej, djallëzisht, që “përmbysja” të çonte gjithçka në zero, për t’ia faturuar kastës së re politike, duke zgjedhur si “kokë turku” kuadrot më të aftë, që gëzonin besimin e të gjithëve për drejtimin e ndërmarrjeve ekonomike dhe pushtetit lokal etj., etj., që ç’ kishin mbjellë e vjedhë mjeshtërisht pa iu dridhur qerpiku, t’ia linin në derë kuadrove të reja, të sistemit të ri demokratik, të cilin “vetë e kërkuan”, “vetë e përdhosën”, ata, të damkosurit në biografi dhe që PPSH u dha dorën, po u beson drejtimin e punëve! Ligësi gjenetke dhe kur po binin… Kjo s’mund të gëlltitej “sheqerkë” nga vetë inxhinier Shpëtim A. Emiri, që pa iu trembur punës dhe përgjegjësive, nuhaste, më mirë të themi llogariste si në ndërtimet më serioze të jetës së tij, ç’do të bëhej “nesër”… Nesër, nga e “sotmja” e Tij si drejtues i kësaj ndërmarrjeje, të cilën “minjtë” kishin filluar ta gërryenin. Të mendosh të nesërmen është mençuri, por kjo spikat n’atë që ky drejtues (pa kërkuar postin e merituar, por të rrefuzuar për “ njollë biografie”) e pleqëron me kolegët, personelin inxhiniero-teknik, qoftë me përfaqësi të punëtorëve, se thotë fjala e urtë “Një mendje-hiç mendje”, dhe nga vetë përvoja e vendimeve nga paraardhësit e tij në qendër e bazë, kur vendime jetike për jetën njerëzore, ekonomike dhe shpirtërore merreshin vetëm nga shkopi i dirigjentit… Por tani “Dashi” nuk egziston më. Edhe në këtë situatë, mjaft kritike, dihet prej të gjithëve, kur gjithçka ishte lënë “me rënie të lirë” shtyrë fort nga “asistenca ekonomike” njëvjeçare e punëtorëve, qe kohë mjaftueshëm për drejtuesin e ri të “karakatinës së vjetër të ekonomisë socialiste të centralizuar”, të peshonte se ç’ishte më e mira “për njerëzit”, “për ekonominë”, “për investimin e së nesërmes”. Me ndershmëri, përgjegjësi njerëzore, profesionale, largpamëse shtron me të gjithë situatën e përjetuar nga të gjithë (jo domosdoshmërisht me të njëjtin metër) në ato çaste kritike që kalonin sëbashku dhe, sipas prognozës jep zgjidhjet më të mira jo veç për veten, por, sëpari, për të gjithë bashkë. Këtu, thyerjen e parë, menduar prej autorit keqardhshëm para se ta shtronte, e mori si cast lehtësimi, si force për hapin e rradhës. Por tregimi rritet në shpërpjestim të habitshëm: nëndheshëm, “të rënët nga fiku” nxorrën planin “B”, për ta “njollosur” në biografi atë, që e “bënë kryeinxhinier” ata “mëshirëplotët”, në korin e rrëmujës së përgjithëshme të rrëzimit historik të komunizmit. Autori parandien se paska qënë vtëm në dukje, ky ndërrim. Qartësia për çka do të vinte më pas e shtyu të refuzonte dhe postin e kryetarit të bashkisë së Fierit. Këtu del nyja tjetër e raportit mes “njeriut dinjitoz” ballë makinacioneve të kuadrove që po linin postet me “qitjen e largët” që “do shpërbleheshin” nga përfituesi, por edhe si “bujari” e sistemit komunist që po “tërhiqej butë”, “pa zhurmë”, pa gjakderdhje. Pas afër 30 – vjetësh, autori, me bisturi ndershmërie dhe drejtësie, ka pasur kohën e mjaftueshme për të rihapur “dëfterët” e atyre ditë – muaj – viteve,  që i përjetoi me gjakftohtësi, duke çmuar “pa modesti”, ngallnjyeshëm që dolën të gjitha siç i kishte shënuar në “prognozën e së nesërmes”. Ç’t’i stisnin tjetër “këtij” njeriu krenar, i cili nuk donte të bëhej kryetar, xhanëm?!! Ua, ç’fodullëk!! Vjedhjet vazhdonin si në gjënë e hasmit gjatë “asistencës” së mjaftueshme për të zhbërë gjithçka. Siç përsëritej nën zë dikur “prona e përbashkët – prona e askujt”. Ndërsa të gjithë, nga i madhi (pjesën e luanit) tek punëtorët për “punën e papaguar të gjithë jetës” vidhnin, çkulnin brinjët e NNI-së, si ndarje dhunshëm nga ç’kishin ngritur vetë. Autori, qetë – qetë merr librat personale të zyrës së tij si kryeinxhinier – pasuria më e madhe që premtonte vlagën e ndershmërisë, punës, jetës edhe nesër, pasnesër, edhe kur të mos jemi, siç ishte mësuar nga babai – librάri – njeriu plot vlera.

– Hakmarrje! – bërtitën “shefat” kolltuk-rënë me një kor të fakirëve që po vidhnin ç’tepëronte, nga që hieja e “të mëdhenjëve do t’i ndiqte, siç vazhdon me korin e tranzicionit.  Këndej thonë: “U marrofsh e i tregofsh”! Është fjala kur delirantët, pa u thelluar tregojnë boshllëkun e tyre. Me penën e satirës autori përçmon plot finesë britmat “Shpëtimi po vjedh librat”! Grotesku shpalos aktet e “vjedhjes më të çuditëshme në botë”: “Hajduti, Shpëtim Emiri, vjedh mallin e tij të çmuar, librat dhe kalon serbes, rëndë-rëndë, hapur, më këmbë, tri ditë radhaz për në shtëpi, si për të thënë. Kjo, mençuria, përvoja, më e çmuara e njerëzve të shquar brenda dhe jashtë vendit, më duhet, kam pajën time”. Mjeshtërisht, përçmimi shprehet përmes rrëfimit sarkastik që përcjell skenat reale, duke çuar tek lexuesi përjetime të rralla, pse jo, dhe vetëqortuese për raste të ngjashme, të cilat na detyron t’i perceptojmë ndryshe rrëfimi i Shpëtim A. Emirit. Mbështetur në satirën e athët të vendlindjes “sheh fiku-fikun e piqet”, autori jep “të nesërmen” e “vjedhjes” nga ndërmarrja te votat, me ndryshesën dramatike se në të parën u gërmadhosën gjithçka e djersës, mundit 50 – vjeçar, e dyta, siç vazhdon gjatë sezoneve zgjedhore, po kthen “gërmallë” demokracinë, shpresat, ëndrrat, aftësitë krijuese të njerëzve të mençur, të ndershëm. Pyetjes së natyrshme “A ka vjedhje më të madhe, të dënueshme (jo nga teatri i kukullave të drejtësisë sonë), se grabitja e të tashmes, që projekton t’ardhmen”?  Autori Shpëtim A. Emiri ka dhënë përgjigjen e qartë përmes situatave komplekse, dendësisë psikologjike që provokojnë ato, përmes përçmimit pa kompromis të gjithëçkaje shkatërruese në këto vite bëma-gjëmash në Shqipëri, që tkurrin e plakin parakohe vetë jetën.

Ndonëse tregimi, në dukje, ndjek ecurinë e ngjarjes në kohë, sipas meje, krijon rrathë koncentrikë marrëdhëniesh, situatash, dy hapa pas – dy – tre përpara – duke dhënë me një përçmim të hapur çfarë ndodhte n’ato vite tek ne, por pa shkëputur nga ç’ndodhte në botë pas rënies së “Murit të Berlinit”.  “Rrathët”, përmes një humori të zi, grotesk, sipas stilit tanimë identifikues të Shpëtim A. Emirit rrethojnë secilin lexues me përjetime, mendimet, opinionet për degradimin e gjithanshëm në 30-vitet që kaluan: së pari, tjetërsimi i pronës kolektive (shtetërore), ku filloi K.Ç.K. – ja që emërtohet sot, me bosët e rinj të vjedhjeve hapur; në qarkullimin e shtetarëve që “vjedhin” pushtetin, përmes “ Të të parëve” në rënimin ekonomik, pa vizion e strategji, në qarkullimin e “injorancës” përmes partive që vjedhin hapur, duke vjellë vrer për njëri tjetrin, po me ata që bëjnë pazaret … etj., po mbi të gjitha me telgjembat e s’ardhmes… njeriut pa shpresë. Të gjitha, autori, na i ka thënë në tre librat e fundit “Moj Gjirokastra ‘pa vulë’”, “Sot ke qejf të vdesësh” dhe “Studentët janë të vonuar!”, ku janë krijuar “rrathët” Emiri.  Në qendër të “rrathëve” është vetë ai, jo me tone të buta dhe ngjyra të rrejshme faktesh të kërkuara “me porosi”, as në fjalor hymnizues, që na ka ardhë majë-hunde të gjithëve nga sahanlëpirës të rinj të çdo krahu.  S’ka nevojë për hiperbola të stisura, nga që gjeneza e këtij realiteti të trishtë që përjetojmë gjendet pikërisht n’atë që shëmtia dhe antivlerat dalin në krye me gjithë baltën edhe helmin në përditshmërinë tonë. Ky është realiteti, thotë autori, përmes një prerjeje tepër të saktë për të gjithë “rrathët” dhe del nga brenda tyre sikur të na thotë: Këtu nis e keqja, kur kultura, libri, mendimi i përparuar dhe traditat e së shkuarës nuk njihen, lexohen kokëposhtë.  Këtë mendim, pa mëtuar t’ua japë të tjerëve me skeptrin e “më të diturit” “absolutisht” siç përdoret rëndom pa e ditur mirë kuptimin e “absolutes” dhe “relatives” e jep përmes një kompozicioni tepër interesant, siç është vetë stili dallues i Shpëtim A. Emirit. Ecin paralel e mira dhe e keqja, vlera me poshtërsitë, dituria me injorancën… dhe vetë shkrimtari nuk është mohues, “nihilist” siç thuhet, qoftë për të kaluarën, sepse do të mohonte vetveten, gjithë brezin. Ai është vlerësues edhe për kuadro të veçantë të së kaluarës, qoftë si specialistë, qoftë drejtues partiakë. Ua lë në dorë lexuesve t’i vlerësojnë jo nga llafet, por në punë e sipër, veçmas kur këto lidhen me të vërtetën, t’ardhmen e njerëzve. Të gjitha këto, sidomos ato që nënkuptohen me përjetimet e çdo lexuesi, provokuar nga rrëfimi i Shpëtim A. Emirit, bëhen interesante në formën e të shprehurit, në fjalorin e pasur, që gurron me traditën e shprehjeve të mençurisë lokale dhe familjare; këto s’janë zbukurime në pemën e vitit të ri, por frutat e freskëta që gjenden librave, përvojës brilante të brezave, takimit vazhdueshëm të autorit me ta.  Këtë ua lë “amanet” gjeneratave të reja, tek të cilat shpreson Shpëtim A. Emiri që gjithçka do të ndryshojë me punën e palodhur, të ndershme, me kulturimin e gjithanshëm, përmes librave dhe përvojës më të përparuar botërore që përcillet e përfitohet prej leximit. Them që me këtë tregim, vazhdim i librave të mëparshëm, autori Shpëtim A. Emiri, bëhet më shungullues me zërin e tij të veçantë; për temën që shtjellon, për njohjen dhe realizimin e thellë n’atë që përcjell, në mesazhet e vlerta; në pasurinë gjuhësore mbështetur në të folmen e Gjirokastrës etj. etj.  Sipas meje, muzeu “Bunkart” do të zgjerohej bindshëm me pavione të reja, të profileve nga më të ndryshmet: të ekonomisë, kulturës, arsimit, marrëdhënieve shoqërore etj. etj. që “ballsamosën” njeriun e ri të kohës së diktaturës, pa veçori, dëshira, endra, përpjekje sfilitëse për të krijuar më të mirën sipas talenteve dhe prirjeve vetiake. Është temë e parrahur, e freskët, që thërret autorë të tjerë seriozë.

Gjirokastër, 20. XII. 2020.

 

Please follow and like us: