Albspirit

Media/News/Publishing

Në nderim të patriotit të madh shqiptar, Isa Ndreu

“Ai themeloi dhe nxori një revistë në Itali e në Francë, e cila u bë streha e mërgatës antikomuniste shqiptare në Perëndim…” – Historia e panjohur e të diplomuarit në Firence

Në nderim të patriotit të madh shqiptar, Isa Ndreu, që jetoi e punoi në Itali dhe vëllait të tij, Selmanit, që pasi vuajti burgjeve dhe kampeve të internimit, vdiq i braktisur në Sanatoriumin e Tiranës

Nga Beqir Sina

Isa Ndreu, u lind në Sllovë të Dibrës më 7 mars 1919. Mësimet e para i mori në Kastriot të Dibrës, në atë shkollë që sot nuk ekziston. Më pas e arsimit fillor, djali i zgjuar dhe inteligjent do ta ndjente tepër të nevojshme arsimimin dhe duke pasur edhe përkrahjen e familjes, vijoi shkollën ‘Normale’ të Elbasanit. Por për shumë arsye, duke pasur edhe përkrahjen e babait, Cenit, shkollën e mesme do ta përfundonte ne Institutin “Manzoni” të Firenzes në Itali, ku edhe u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë.

Mjedisi ku u rrit dhe vetë personaliteti i tij u brumosën si antikomunist. Edhe pse nuk ishte nën thundrën komuniste, veprimtaria dhe puna e tij, do të ishte gjithnjë në një përpjekje për krijimin ose konsolidimin e një grupi antikomunist, i cili të punonte për ndërgjegjësimin e gjithë diasporës, që të qëndronte e bashkuar rreth ideve antikomuniste, të ruante identitetin dhe të mos humbiste traditën dhe gjuhën shqipe.

Diaspora Shqiptare jo vetëm që e ka njohur por edhe e ka nderuar e respektuar veprimtarinë e tij, duke e lartësuar deri në nivelet më të larta, që i takon një patrioti. Është me të vërtetë një akt tepër atdhetar dhe dinjitoz veprimtaria patriotike e Isa Ndreut, për përkrahjen e madhe që i ka dhënë shtypit të gjuhës shqipe në gjithë diasporën shqiptare. Duke arritur në shkallën e një industrialisti të njohur ai do të vinte në shërbim të çështjes kombëtare një pjesë të mirë të kapitalit.

Në një fjalim me rastin e përvjetorit të revistës “Koha e Jonë” ai shprehet: “Natyrisht në këtë ndërmarrje jam frymëzuar nga të parët e mi, të cilët në epoka të ndryshme dhanë për çështjen kombëtare gjithçka që patën, shkrinë jetën dhe pasurinë sakrifikuan, çdo gjë dhe se për ideale, principe e tradita morale shqiptare ata, po të ishin gjallë do të kishin vijua të luftonin”.

Me punën dhe me përkrahjen e pareshtur të gjithë patriotëve dhe intelektualeve të diasporës, krijoji Partinë Bashkimi Demokrat.

Kjo parti doli si shkrirje e grupeve antikomuniste të Bashkimit Kombëtar Shqiptar, si dhe të Partisë Katundare. Marrëveshja për shkrirjen e këtyre grupeve dhe krijimin e Partisë Bashkimi Demokrat, u arrit në New York më 28 nëntor 1972, ku u zgjodh edhe një këshill provizor i cili do të përgatiste platformën, rregulloren, programin dhe statutin e Partisë Bashkimi Demokrat. Vendimi për krijimin e Partisë Bashkimi Demokrat, u muar në Kuvendin e Parë që u mbajt më 8 shtator 1974, në një nga Hotelet me prestigjioze të Firenzes, “Joily Hotel”, që më parë njihej si Grand Hotel “Çarlton”.

Veprimtaria politike dhe propaganduese e Partisë Bashkimi Demokrat, jo vetëm brenda kufijve të Italisë, ku ajo u shpall, por edhe jashtë saj, ka pasur një jehone të madhe dhe ka gëzuar një mbështetje politike edhe nga qarqet perëndimore. Në kuvendet e saj, ku dy prej tyre janë zhvilluar jashtë atdheut dhe dy në Shqipëri, kanë marrë pjesë dhe kanë përshëndetur veprimtarinë e saj, intelektualë të huaj dhe veprimtarë politik duke përfshirë jo vetëm ato të Italisë dhe gjithë botës perëndimore por edhe të kongresmenve amerikanë.

Me mbërritjen e refugjatëve të parë shqiptarë në tokën italiane, Isa Ndreu, në emër të Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar, do t’i drejtohej kryetarit të Këshillit të Ministrave të Italisë Xhulio Andreoti, duke i bërë të ditur se ardhja e këtyre refugjatëve nëpërmjet një rruge kaq të rrezikshme, duke i shpëtuar mbytjes dhe rojeve të kufijve, duhet vlerësuar dhe të bëhen të gjitha përpjekjet për sistemimin e tyre.

Isa Ndreu, atdhetari i madh që luftoi dhe punoi një jetë për çështjen shqiptare

Isa Ndreu, ky kolloz i madh i emigracionit në diasporën shqiptare, u nda nga jeta këto ditë, në Firence të Italisë, duke lënë në kujtesën e bashkatdhetarëve, imazhin e personalitetit të shquar, për kumtin atdhetar, frymën kombëtare dhe aktivitetet e organizuara, në lëvizjet politiko-shoqërore të emigrantëve në diasporë, përgjatë më shumë se gjysëm shekulli.

I lindur në vitin 1919, në Sllovë të Dibrës, në një familje të madhe feudo-borgjeze, e njohur për tradita të shkëlqyera patriotike, me një plejadë intelektualësh të shquar dhe me udhëheqës të njohur në plan kombëtar dhe ndërkombëtar. Nën shembullin e figurave të shquara të kësaj familje si: Elez Isufi, Sufë Xhelili, Cen Elezi, Dali Ndreu, Esat Ndreu, Xhelal Ndreu e dhjetëra intelektualë të tjerë të shquar të kësaj familje, që punonin në administratën e lartë të periudhës para komuniste, do të shërbenin si modele për të edukuar dhe frymëzuar në shpirtin e Isa Ndreut ideale të larta që kapërcejnë kufijtë e vetvetes.

Fëmijëria e tij, vijoi rrugët e dijes nga nga shkolla e Kastriotit të Dibrës, në “Normale”-n e Elbasanit, në Fakultetin Ekonomik Manzoni në Itali dhe do t’i përfundonte në Fakultetin e Drejtësisë në Firence. Pas diplomimeve të tij, Isaja do t’i përkushtohej fushës së administrim-biznesit, ku aftësitë e tij do të shkëlqenin në industrinë e prodhimit të bizhuterive, pasi bleu dhe vuri në prodhim një fabrikë prestigjioze të zbukurimeve të argjendta, bizhuve, ndërtuar brenda një plantacioni të madh ullinjsh, në mes të Firences. Për Isa Ndreun, nuk ishte i mjaftueshme vetëm suksesi ekonomik, zemra e tij rrihte për dheun e të parëve të tij, ajo energji e brendshme shpirtërore, e shtynte drejt mecenizmit, humanizmit dhe atdhetarizmit.

Patriotëve të shquar në diasporë me të cilët kishte bashkëpunim të vazhdueshëm, u përsëriste postulatin e tij: “Duajeni Shqipërinë dhe punoni për të, sepse është nderi ynë”. Në krah të djathtë të aktivitetit politik të Isait, ishin intelektualë të njohur, si: Nermin Vlora (Falaski), ambasadori Renxo Falaski, avokati Adem Hodo nga Saranda, me banim në Florida të Amerikës, i cili, kur e pyetën të afërmit e tij në Shqipëri, për diasporën, u tha: “Kemi një lule në diasporë që e ka emrin Isa Ndreu”, sociologun e njohur shkodran me banim në Nju York, Loro Stajka, publiçistin e talentuar shkodran me banim në Paris dhe botuesin e revistës “Koha e Re”, Lec Shllaku, e sa e sa të tjerë…!

Më 1974-ën, me prezencën e intelektualëve më të shquar të diasporës shqiptare, të ardhur nga vendet perëndimore ku banonin ata prej disa dekadash, Isa Ndreu, në një takim madhështor në Firence, shpalli Partinë “Bashkimi Demokrat Shqiptar”, si bartëse dhe përçuese e mesazheve të bashkimit, bashkëpunimit, integrimit mbarëshqiptar për të mbajtur gjallë ndjenjën e dashurisë për atdheun dhe për t’i treguar botës perëndimore se, ku e katandisi Shqipërinë regjimi i egër stalinian. Si zëdhënëse të saj, PBDSH, pati revistën “Koha e Re”, e cila u sponsorizua dhe u shpërnda falas në diasporë për 30 vjet rresht, nga Isa Ndreu.

Në një shkrim te “Gazeta e Athinës” datë 24.05.2002, në një artikull të zgjeruar me titull “Figura të shquara të diasporës, gazetari grek me origjinë të hershme shqiptare, Kristo Zharkalli, shkruan: Një ditë më habiti kur mora një letër nga dora e Isa Ndreut, këtij njeriu të famshëm, të cilin e kish shkruar, me dorën e tij. Më shkruante disa radhë dashamirësie. (“Jam shumë i kënaqur që kemi një bashkatdhetar në zemër të Greqisë dhe se revista jonë, çmohet prej jush dhe do t`ju lutesha nëse aty ka shqiptarë të tjerë, u bani të njohur revistën tonë. Ju pres me u taku në Firence dhe dëshiroj me ju konsiderue mik”.

Që atëherë kam patur korrespondencë të rregullt, takime me të dhe më ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme, ashtu si dhe shumë intelektualë të tjerë. Isa Ndreu bënte një jetë aktive kombëtare dhe ruante lidhje të ngushta me të gjithë qarqet e emigracionit shqiptar, dhe sidomos me arbëreshët e Italisë dhe me kosovarët e emigracionit.

Revista “Koha e Re”, e drejtuar nga publicisti i njohur shkodran, Lec Shllaku, i cili banonte në Paris, (këtu botonte dhe revistën) u bë zëdhënëse dhe shprehëse e aspiratave kombëtare shqiptare, e kultivimit dhe gjallërimit të ndjenjave të zjarrta të mëmëdhetarizmit, dhe ishte një informim i rëndësishëm politiko-kulturor që lidhte shqiptarët me mërgimin e pas viteve 1974, në kohën e acarimit të kulmit të luftës klasore në Shqipërinë e izoluar nga diktatura komuniste.

Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishin Isa Ndreu dhe Lec Shllaku, respektivisht kryetari dhe sekretari i Partisë “Bashkimi Demokrat Shqiptar”, që i vunë emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeg” një sheshi në Paris të Francës. Ishte përpjekja e pareshtur e Isa Ndreut, devocioni dhe këmbëngulja e tij që në vitin 1978, u miratua sheshi nga Bashkia e Parisit (Këshilli Bashkiak) me kryebashkiakun Zhak Shirak. (ish-President i Francës).

Ishte një manifestim mahnitës dhe prestigjioz i intelektualëve emigrantë në diasporë, të ardhur nga Italia, Greqia, Amerika, Kanadaja, Gjermania, Australia, etj., për të inauguruar sheshin “Skënderbej” të Parisit. Të gjitha shpenzimet e këtij aktiviteti ndërkombëtar, sponsorizoheshin nga Isa Ndreu, deri edhe biletat e udhëtimit të pjesëmarrësve dhe akomodimi i tyre.

Isa Ndreu në kujtimet e miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte vërtetë një mit. Ai ishte një biznesmen i përmasave të mëdha, i cili çante tregjet ndërkombëtare, deri në Japoninë e largët, me prodhimet e bizhuterive të argjendta, prodhuar me cilësi të lartë nga fabrika e tij e prodhimeve të bizhuve zbukuruese, prej ari e argjendi.

Nga ana tjetër, ai ishte një mik i ngrohtë, i dashur dhe human, korrekt dhe shumë i sjellshëm. Kur u takuam në fillim me Lec Shllakun në Tiranë, i cili erdhi në vitin 1993, për të njohur PBD-në, në Shqipëri, u habita që ai nuk përmendte asnjëherë emrin Isa, pa i vënë përpara ofiqin Zotni. Pastaj, kam patur fatin si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë “Bashkimi Demokrat Shqiptar”, të komunikoj me Isanë, duke e patur edhe kryetar partie të PBD-së, në Kongresin e III-të dhe të IV-ët.

Ishte një njeri që na thoshte kurdoherë: “Ndihmoni Shqipërinë, demokracinë, të shpëtoni nga komunizmi dhe mbështetni Partinë Demokratike me president Berishën”. Në vitet kur qeveriste Partia Demokratike dhe President ishte zoti Berisha, Isa Ndreu u dekorua me urdhrin e Lartë “Për veprimtari të shquar, në dobi të çështjes kombëtare shqiptare”.

Takimet me zotin Berisha, Isa Ndreu i kujtonte si ngjarje të mrekullueshme të jetës së tij, pasi atij i mbushej zemra me frymëzim e mallëngjim kur shikonte të përparojë e të demokratizohet atdheu i tij, Shqipëria. Ai vdiq në moshën 86-vjeçare, duke u ndarë nga ne si një meteor në qiellin e kaltër të dashurisë amtare që lë prapa vazhdën e ndritur. Ashtu si figurat e shquara të artit dhe kulturës edhe ato të biznesit ndërkombëtar, pasurojnë thesarin e historisë sonë kombëtare. Le të mbeten këto shënime në vend të një homazhi për veprën dhe jetën e tij.

Kujtimet e Dr. Lazër Radit, për Selman Ndreun

“Ishte vera e viti 1937. Njëqind studentë shqiptarë, dhjetë nxënësit më të mirë nga të dhjetë shkollat e mesme të Shqipërisë, u ftuam në Itali për të kaluar një muaj të pushimeve verore, në plazhin e Anzios dhe në godinën madhështore “Ital-cable”-s që na strehonte, kishim mundësi jo vetëm të bënim plazh por edhe të merreshim me ushtrime gjimnastikore e me lojëra të ndryshme sportive.

Ishte fare e natyrshme që nëpërmjet gjithë atyre studentëve, të sajohej një skuadër e shkëlqyer futbolli. Nën treningun e dy profesorëve të shquar: Prof. Alush Lleshanaku dhe prof Irfan Tërshana, u stërvitëm disa ditë reshtë. Qyteti i Anzios dhe ai i Nettunos, na ftuan zyrtarisht që të luanim me skuadrën e qyteteve të tyre.

Ndeshja e parë e bëmë në qytetin e Anzios më 25 korrik 1937. U zhvillua një lojë e bukur, shumë korrekte dhe teknike. Ndeshja përfundojë 3-1 në favor të skuadrës tonë. Të dielën tjetër lozëm ndeshjen e dytë në Nettuno. Edhe atje fituam me rezultatin 1-0. Nuk e teproj të them se fituam simpatinë dhe admirimin e të gjithë spektatorëve italian.

Tifozë shqiptar, ishin vetëm pjesa tjetër e njëqind nxënësve shqiptar. Kjo me të vërtetë mund të quhej një kombëtare shqiptare me talente sportive që më vonë u dalluan në Sport-Klub “Tirana” të “Vllaznia” tek “Teuta”, tek “Skënderbeu”. Aty ishin Halim Begeja, Xhuxha, Deliallisi, Mema. dhe Selman Ndreu, etj.

Ndër të gjithë lojtarët kisha shoqëri e miqësi të veçantë me Selman Ndreun. Për një kohë të gjatë e ruajtëm dhe e kultivuam miqësinë e viteve të shkollës. Lufta e përçarje ideologjike e viteve 1943-1944, na ndau plotësisht dhe na preu çdo kontakt, bile edhe korrespondencën. Në kohën e internimit, Ndretë i kishin përqendruar në dy qendra të mëdha në Lubonjë të Vlorës dhe Shtyllasë të Fierit.

Kur rastësisht takoja ndonjë Ndre në Savër ose në Gradishtë, u tregoja fotografinë që po botojmë në gazetë, nuk dinin të më thonin asnjë gjë…! U desh përmbysja e komunizmit dhe fitorja e demokracisë, jo për tu takuar me shokun tim të vjetër Selmanin, por, për të mësuar tragjedinë e tijë.

Mendoj se Selman Ndreu, një djalë shumë i përgatitur, intelektual i mirëfillte dhe atdhetar siç është në traditën e familjes së njohur Ndreu, meriton të përkujtohet me nderim të veçantë puna dhe vepra e këtij njeriu sa i talentuar, intelektual dhe fisnik. Askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë sa Lazam Ndreu, vëllai i tij i vogël. Kur e takova u tregua shumë i gatshëm të më jepte, çdo shpjegim që më nevojitej. Vendosa t’i bëj një intervistë të shkurtër:

“Selman Ndreu vuajti 10 vjet burg, pasi e torturonin çnjerëzisht, duke e akuzuar për ‘Grupin e Deputetëve’, por ai…”/ Historia tragjike e intelektualit të diplomuar në Firence që, vdiq në vetmi në Sanatoriumin e Tiranës

-Dëshmitë e Lazam Ndreut, për Selmanin dhe fundin tragjik të tij!-

Zoti Lazam desha të di diçka më të hollësishme për jetën e vëllait tuaj, Selmanit?

Selmani lindi në Sllovë në vitin 1916. Filloren e kreu në Inernatin “KASTRIOTI” të Dibrës, ndërsa shkollën e mesme në “Normale”-n e Elbasanit. Mbasi shërbeu për pak kohë si mësues, shkoi në Itali për studime universitare në Firence. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, Baba (CEN ELEZI) e thërret të kthehet në atdhe dhe ai vendos të kthehet, dhe vendoset në Sllovë.

Çfarë qëndrimi ka mbajtur Selmani gjatë Luftës?

Kapitullimi i Italisë dhe ardhja e gjermanëve në Shqipëri, e gjetën Selmanin në Sllovë, pranë familjes. Në mbarime të Luftës në vitin 1945, kthehet në Tiranë dhe vendos të merret me punë private e administrimin e Hotel “Kontinental”-it, sot Hotel “DRINI”.

Është fakt se Enver Hoxha u prish me familjen Ndreu, për arsyet që tashmë dihen? Kjo a ndikojë në jetën e Selmanit megjithëse ai s’u perzie në “luftën partizane”?!

Arma e Sigurimit të Shtetit, u hodh me gjithë tërbimin e vet ndaj familjes sonë. E gjithë familja fillimisht u internua në Berat. Pasuria e tundshme dhe ajo e pa tundshme na u sekuestrua. Burrave që mbetën pa u vrarë, nuk u mbeti rrugë tjetër, veç të arratisen. Unë, një tentativë që nëpërmjet Maqedonisë të kalojmë në Greqi…!

Por, ata që kishim për të na treguar rrugën, ishin vetë të Sigurimit dhe na tradhtuan. Forca të kriminelit Hito Çako po na ndiqnin këmba-këmbës, nuk na linin me marr frymë. Nuk kishim rrugë tjetër pasi jetonim në mal dhe çdo ndihmë na ishe prerë, vendosëm të dorëzoheshim.

Kjo ndodhi në korrik të vitit 1946. Kullat e Cen Elezit, digjen mizorisht, gjithë pasuria iu sekuestrua dhe familja jonë e madhe u internua, për të mos u kthyer kurrë në Sllovë. Internim familjar pasoj familja jonë. Familja e Elez Isufit, Suf Xhelilit. U shkatërruan shtëpitë, kullat e pasuria dhe u godit me dhunë të egër influenca e respekti në Dibër dhe më gjerë, për familjen tonë.

Bilanci i këtij gjenocidi është rrëqethës…!

-6 anëtarë të kësaj familje të vrarë e të pushkatuar.

-20 burra të burgosur politikisht me dhjetë vjet e lart.

-12 djem për t’i shpëtuar gjenocidit, braktisën atdheun.

-55 familje të internuara me një kohë zgjatje nga viti 1946 deri në 1991-in, që kaluan nëpër kampet e Tepelenës, Lubonjës, Shtyllasit, Gradishtës etj.

Zoti Lazam, po Selmani në këtë kohë?

Siç thashë, edhe Selmani u burgosë. Atë nuk e mbajtën në Dibër, por e sollën në burgun e Tiranës, sepse këtu kishte personel më të kualifikuar e më kriminal, për zhvillimin e hetimeve. Atë e kishte marrë në hetuesi, Nevzat Haznedari e Skender Kosova edhe kriminel të tjerë si këta.

Më shumë se 18 muaj e mbajtën të izoluar, duke ushtruar mbi të tortura nga më çnjerëzoret nga më makabret. Akuzohej për organizatën e “Grupit të deputetëve”, për komplote kundër “pushtetit “popullore”,  “kryengritje të armatosur”, “agjitacion dhe propaganda”, etj. etj. Por, Selmani nuk pranoj asnjë akuzë. Natyrisht, këmbëngulja e tij dhe vendosmëria do të paguheshin me tortura “speciale”. E shoqja e tij, që në atë kohë ishte ende e lirë e që i çonte përditë ushqimin në birucë, tregonte se sa herë që i merte ndërresat e Selmanit, ato ishin të mbytura me gjak, ç’ka do të thotë që ai ishte torturuar çnjerëzisht dhe trupi i tij kullonte gjak…!

Sa u dënua Selmani?

Mbas 3 vjet hetuesie, i akuzuar për organizim të bandave të armatosura dhe shumë akuzash të tjera, u dënua me 10 vjet burg, pasi nuk kishte pranuar asnjë akuzë.

Ku e kreu dënimin, në cilin burg?

Në të gjithë Shqipërinë; në Dibër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë dhe më në fund në Burrel. Mungesa e ushqimeve, torturat dhe trajtimet e shpeshta nëpër biruca me lagështi të izolimit, e bëjnë tuberkuloz galopant. Me plotësimin e afatit “lirohet”, duke e çuar, drejtpërsëdrejti në Lubonjë të Vlorës.

Në këtë kohë, ku ishte e shoqja e tij?

Në burg! U dënua edhe ajo për tentativë arratisje…!

Si përfundojë Selmani?

Në internim erdhi i sëmurë, pa shpresë për të jetuar dhe gjithnjë duke u keqësuar. Sëmundja, mërzia për gruan në burg, mungesa e gjërave më elementare për të jetuar, e çuan në gradën e fundit. Vdekja po e kërcënonte nga çasti në çast, nuk kishte më shpëtim. I masakruar i terrorizuar, i torturuar, sa nuk mund të imagjinohet, ndërron jetë në vitin 1961, në Sanatoriumin e Tiranës, në atë shtëpi të dhimbjes, në Sanatorium pothuajse i braktisur nga të gjithë.

Pasi familja e tij e internuar, nuk u la t’ja merrte kufomën. E varrosi Komunalja…! Mezi tani vonë, mundëm të ja gjejmë eshtrat e tij. Ky pra ishte fundi tragjik i Selman Ndreut, i atij djalë, që nuk e mposhten as torturat, as skamja as burgjet, as internimet, por…vetëm sëmundja e pamëshirshme. Selmani vdiq pa lënë trashëgimtarë. (Foto kredit Cezar Ndreu) Memorie.al

Please follow and like us: