Ismail Kadare: DRERI
O drer i lartë me ata brirë gjer në yje,
Ndjekur nga qentë ikën, ikën, ikën.
Sa herë kokën shkund, rrëzon prej qiejsh
Copëra dëbore e kristalesh pikë-pikë.
Porsi parmendë brirët e tu lërojnë
Veç lartësitë ngecin në to prore.
Fije viskoze yjsh e brumë kometash,
Ethe agimesh boreale e horoskopë.
Por qentë s’duan t’ia dinë, ata veç lehin,
Rreken të të rrëzojnë e ti prapë ikën,
Nën yje mospëfillës.
Më shumë se qentë
Kjo mospërfillje qiejsh ty të pik.
1984.
Please follow and like us: