Zana Tako: ARTI I KOMUNIKIMIT
Jeta është art. Ne jemi artistë që performojmë në skenën e jetës sipas dijes që kemi përvetësuar. Kjo dije na bën kalues ose mbetës, duke pasqyruar kështu se jemi nxënës në rrugën e dijes.
Dija ofron shumë. Brenda saj gjendet çelësi i komunikimit njerëzor. Ky çelës të ofron mundësinë për të çelur ose për të mbyllur derën e shpirtit nëpërmjet komunikimit.
Pasqyra e shpirtit është e tejdukshme. Të shihesh në të duhet të vesh në funksion fantazinë, nëpërmjet së cilës çelen sytë shpirtërorë që nuk vështrojnë mekanikisht, por depërtojnë në thellësinë e shpirtit njerëzor. Por që të depërtosh brenda shpirtit në këtë mënyrë, duhet qasja e dijes, e cila nuk shërben si urë kalimi, pasi urat edhe shëmben, por që dija të jetë bosht i sigurisë shpirtërore duhet përvetësuar e pastër, pa dëmtime, se edhe këmba kur dëmtohet njeriu do çalojë, edhe dora kur vritet nuk e kryen mirë funksionin e saj, edhe syri kur dëmtohet të verbon, e kështu me rradhë. Ndaj përvetësimi i dijes në mënyrë sistematike dhe në kohën e duhur sjell përfitime të mëdha, e rrjedhimisht përfitimet fillojnë që me komunikimin njerëzor, i cili është hapja e siparit ku shfaqet potenciali i dijes, është prezantimi i një pune të madhe mundi dhe sakrifice në kohë dhe në vullnet.
Mendjelehtët nuk e peshojnë mirë dijen. I venë çmim të lirë dhe bëjnë pazar me të. Të shkretët mendjelehtë!
Një fjalë e mençur thotë: “Guri i rëndë në vendin e vet”! Por mendjelehtët as nuk e dinë që ekzistojnë gurë të rëndë. Për ta të gjithë gurët janë të lehtë, pasi nuk u ka rënduar kurrizi nga pesha e tyre. Por kur vjen dita që kurrizi i tyre t’i nënshtrohet rëndesës së “gurit të rëndë” që do vendin e vet, atëherë kuptojnë, se shkaku i padijes së tyre ka qenë vullneti i pakët dhe i dobët që i ka lënë të mjerë dhe jo të pasur!
Dija është pasuri e patundshme në jetën e njeriut. Dija të zbukuron. Me dijen formon fjali me kuptime rrënjësore dhe thelbësore. Dija të dhuron titullin “Njeri”. Nëpërmjet saj njeriu sheh cilin ka përballë dhe formon një sistem të ri komunikimi, i cili është tejet i rëndësishëm në marrëdhënien njerëzore.
Të flasësh pak e të dëgjosh shumë…. Të mendosh shumë e të flasësh pak….. Të qëllosh me fjalë e jo me plumba……..
Fjala udhëton pa stacion drejt shpirtit të njeriut. Fjala godet jo për të vrarë por për të shpëtuar. Me fjalën lidhesh por edhe mund të zgjidhesh. Gjithçka në komunikim me fjalën është dhe quhet art i komunikimit, i cili na bën njerëz të denjë për një shoqëri të shëndetshme!
Please follow and like us: