Albspirit

Media/News/Publishing

Lopë dhe Deputë në albumin e 25 vjetorit të Shqipërisë Socialiste 

Naum Prifti
Në vitin 1969 albumi “25 vjet Shqipëri Socialiste” ka një fotografi lopësh, që siç mund ta shohë gjithkush, nuk është kaq e thjeshtë. Ato ngjajnë si lopë, kurse, sipas shpjegimit të diçiturës, janë “Deputetë të Kuvendit Popullor gjatë seancave të pushimit.”
Tani gjithkush ka të drejtë të pyesë, si është e mundur që në një botim zyrtar, të kaluar e rikaluar faqe për faqe nga forumet më të larta partiake, t’u  bëhet një përcaktim i tillë Deputeteve të Kuvendit Popullor, anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave të qeverisë dhe të cilësoheshin kaq pa mëshirë personalitete të larta të kohës.
Shaka e hollë, ironi therrëse, për praktikën dhe rolin e Kuvendit në RPSH, apo punë armiqësore e ndonjë agjenti te fshehur?
Nuk dihet në se synimi ka qenë t’u rrëfehej deputetëve që s’ishin veçse një tufë lopësh që muallitnin sipas një avazi të caktuar apo nëse dikush ka dashur të fyejë lopët e urta e paqësore?
Nga viti 1969 në 2024 – Shënimi i Naum Priftit, albumi dhe fshirja e historisë
Julika dhe Rafaela Prifti
Ky shënim i shkrimtarit Naum Prifti mbajtur me dorëshkrimin e tij në 1969 nis me një obzervim nga shfletosja e albumit me ilustrime për 25 vjetorin e socializmit në Shqipëri.
Atëherë këto botime ishin investime propagandistike të pushtetit, të cilat kishin tirazh të madh dhe ishin prodhuar për konsum të gjerë.
Botimet i takonin sferës më të rëndësishme të imazhit të Shqipërisë sepse në to përjetësoheshin fitoret dhe sukseset e socializmit.
Të tilla publikime kalonin në disa filtra partiake dhe burokratike.
Prandaj reagimi i parë i një vëzhguesi si Naum Prifti është befasia e shoqëruar me kureshtje dhe humor për fotografinë e lopëve me diçiturën për deputetët e Kuvendit. Me pyetje shpotitëse, ai sikur hamendëson për kuptimin e një fotoje në albumin kushtuar një çerekshekulli socialist.
Por historia e shënimit shkon edhe më larg. Duke gjurmuar albumin në fjalë për të ilustruar shkrimin e Naum Priftit, të ruajtur në fletore origjinale me dorëshkrimet e tij, ju drejtuam për ndihmë Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivit Qendror të Shtetit. Ekzemplari nuk gjendet.
Në botimin e rezervuar në Bibliotekë janë lopët e fotografuara por jo diçitura e famshme “Deputetët e Kuvendit Popullor gjatë seancave të pushimit.”
Botimet “me gabime” apo lajthitje të tjera zhdukeshin nga qarkullimi dhe nga bibliotekat. Edicioni i ri zëvendësonte paraardhësin dhe nuk mbetej më gjurmë e botimit origjinal. Aso kohe shënimi i një vëzhgimi që hodhi në letër Naum Prifti pas shfletosjes së një albumi, ishte me rrezik ta mendoje e jo më ta shkruaje. Por sot ai botim nuk gjendet më. Njësoj sikur nuk ka ekzistuar kurrë.
Shënimi është jo vetëm  qesendisje por edhe zbulim dhe dokumentim  i praktikave të destinuara që shërbenin vetëm për qëllime ideologjike.
Intuitivisht dhe me vetëdijen e artistit, Naum Priftit e ndjente si detyrim moral dhe përgjegjësi personale mbajtjen e shënimeve pa e ditur as fatin e tyre dhe as fatin e tij, në atë regjim dhe në atë kohë. Pas 55 viteve, largpamësia e shkrimtarit dhe vërtetësia e shkrimeve, sado e thjeshtë, është e pamohueshme.
Please follow and like us: