Shefqet Meko vjen tek lexuesit me përmbledhjen “Tymnajë mendimesh”
Titulli: Tymnajë mendimesh
Autori: Shefqet Meko
Publicistikë
Nr. i faqeve: 125
Çmimi: 700 Lekë
Shefqet Meko vjen tek lexuesit me përmbledhjen “Tymnajë mendimesh”, një titull që të bën të “përpëlitësh sytë” e të zgjon kureshtjen. Çfarë sjell ky botim? Sikurse e dëshmon krijimtaria e autorit shqiptaro-amerikan, ai mbetet në një pezull shpirtëror mes vendlindjes, Shqipërisë dhe vendbanimit, Amerikës, si dy destinacione ku mendimi bën “ec e jake”, ashtu si lavjerrësi i një ore që nuk ngec kurrë. Është përplasja e kujtimeve dhe njohja e vetvetes, meditimi mes të sotmes dhe së shkuarës, dëshira për të rrëfyer mes dy botëve, që të ngjall kureshtjen tek ky libër. Me publicistikën e vet, të cilën Shefqet Meko e sheh si një “vizë” drejt universit letrar, në këtë libër sjell kumte për baballarët dhe jetën, miqtë dhe shokët, për librat e kolegëve dhe fatet e njeriut, për të djeshmen “mes klonesh” dhe lirinë e sotme që e çon autorin “në arrati” duke bërë “të arratiset” edhe lexuesin në mendimet e lira të ish-gazetarit të Radio-Tiranës. Libri i tetë i Mekos të ngjall mallin e “përsheshit me qumësht” që rriti brezin e autorit dhe ai besnikërisht kërkon të rrëfejë të vërteta, siç i ka jetuar në Shqipëri, siç i përjeton në Amerikë, duke ardhur me një “testament publicistik”.
“Tymnajë mendimesh” të krijon tym, për të parë më qartë dritën e jetës. Është libër për ty!
Please follow and like us: