Albspirit

Media/News/Publishing

Timo Mërkuri: POEZIA E VDEKJES SI NJË HYMN PËR JETËN

Rrënjët e poezisë “Vdekja është një” të Sadik Bejkos duhet ti kërkojmë në Festivalin e XI të Këngës në Radio Televizion, mbajtur në datat 22, 23 dhe 24 dhjetor të vitit 1972, në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku poeti Bejko ishte pjesmarrës me tri tekste këngësh. Se çfarë furtune ra mbi këtë festival, e dimë të gjithë, por në lidhje me Bejkon vlen të themi se kritika ndaj teksteve të tij të këngëve u shtri dhe te vëllimi poetik “Rrënjët” (1972), i cili u vu në indeksin e librave të ndaluar, duke i hequr autorit të drejtën e botimit, masë që u zbatua deri në vitin 1982 ndërsa për atë vetë mirret vendimi për ta çuar në minierën e Memaliajt, për “edukim nëpërmjet punës, pranë klasës puntore”. Me shënimin absurd në librezën e punës: “trasferohet”, shoqëruar me porosinë orgurzezë : ’Ule kokën e puno ku të dërgon Partia” poeti i pushuar nga puna në RTSH në dhjetor 1973 niset drejt minierës së Memaliajt në janar 1974. Unë ju them se: shumë më lehtë e kanë patur Odisea dhe Orfeu të hynin në botën e nëndheshme se sa poeti në këtë minierë ( të nëdheshme) qymyrguri, ku çdo gjë nxinte, jo vetëm si pasojë e pluhurit të qymyrit por edhe e porosive “nga lart” që i detyronte njerëzit t’i shmangeshin jo vetëm takimit fizik, por edhe shkëmbimit të shikimeve në rrugë.
I-Poezia “Vdekja është një” e Sadik Bejkos reflekton një periudhë të errët të jetës së tij dhe një përballje të ashpër me dilemat ekzistenciale të njeriut nën sforcimin e rëndë të punës në minierë. Kjo poezi, e shkruar në vitin 1975 gjatë kohës kur Bejko ishte i detyruar të punonte në minierën e Memaliajt, ndriçon me bukurinë e saj unike përmes një peizazhi poetik që shfaqet në një ambient të zymtë dhe të errët.
Janë vargjet e strofës së parë:”Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth,” që e paraqesin poetin si një njeri tabelë qitjeje, ku presioni, kërcënimi dhe mundësia e goditjeve ishte e vazhdueshme dhe vargu: “Fytit të zgjidhet e të mblidhet një lak” që ka dy anë, presioni Iijashtëm që i tund litarin para syve (ule kokën dhe puno) dhe ankthi që të merr frymën nga brenda. Ky varg metaforik shfaq më së miri situatën dhe gjëndjen që shfaqet te vargjet e: “Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim/Rrezikun prek me duar, i thua: hajde.” të cilat tregojnë një situatë dëshpëruese që reflektohet te vargjet:”Jepi: zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:/Të vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?”. Ajo që është e re është fakti se poeti është i ndërgjegjshëm se diktatura kërkon vdekjen e shpirtit të tij poetik, nuk i kushton rëndësi vdekjes së e njëriut dhe këtë zgjedhje ja ngarkon poetit, si alibi e pafajsisë shtetërore. Kjo zgjedhje përfaqëson presionin e jashtëzakonshëm që poeti ndjen dhe dilemat e tij ekzistenciale, ku vdekja shpirtërore nënkupton humbjen e shpresës, moralit dhe integritetit, ndërsa vdekja fizike vjen si rezultat i punës së rëndë dhe kushteve të rënda në minierë.
Si rrufe shkrepin vargjet:”Ç’rrebelim i keq ky ndaj vetes, ndaj gjakut tend/ Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë.” të cilat shprehin rebelimin e brendshëm dhe luftën e vazhdueshme shpirtërore dhe situatës së tij. Ai ndjen se është i vetmuar, i humbur, pa rrugëdalje, pa shpëtim, pa një perspektivë të qartë për të ardhmen në këtë qytet të vogël ku: “Njerëzit e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,/si nga qyteti i rënë nën murtajë.”, por dhe ai njëkohësisht i shmang njerëzit, për ti mbrojtur ata apo për tu mbrojtur prej tyre, sepse: “Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak”. Rri e lexon i trishtuar vargjet:”Apo të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?”që shoqërohet me dilemën ekzistenciale:”Vallë dy vdekje, dy gremina ke përballë,/Apo një është vdekja, vetëm një?” ku thekson idenë se, pavarësisht mënyrës se si ndodh, vdekja është një përvojë e unifikuar e dhimbjes dhe humbjes. Në thelb, poezia “Vdekja është një” e Sadik Bejkos është një testament i fuqishëm i rezistencës dhe forcës shpirtërore përballë kushteve ekstreme të imponuara nga diktatura..
II-Poezia “Vdekja është një” e Sadik Bejko-s ka qasje me rrymat e ekzistencializmit dhe realizmit të errët, pse trajton temat e jetës, vdekjes, izolimit dhe absurdit në ekzistencën njerëzore. Këto rryma artistike dhe filozofike shprehin përvojat e vuajtjes dhe dilemave ekzistenciale të individit në një botë të pashpresë.
Ekzistencializmi, një rrymë filozofike dhe letrare, përqendrohet në përvojën individuale të lirisë, zgjedhjes dhe përgjegjësisë në një botë që shihet e shfaqet si absurde, pa kuptim të paracaktuar.Poezia e Bejkos reflekton dilemat ekzistenciale, duke ilustruar përballjen e individit me vdekjen dhe izolimin. Një pasazh i tillë është “Vdekjen në shpirt, a vdekjen në gjak,” ku tregohet përballja e individit me dy lloje të vdekjeve, duke theksuar provën e zgjedhjes së tij midis vdekjes shpirtërore dhe asaj fizike. Ndjenja e izolimit dhe stigmatizimit është paraqitur në vargjet “Njerëzit e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit, si nga qyteti i rënë nën murtajë,” duke trajtuar absurditetin e ekzistencës shoqërore.
Realizmi i errët, si një rrymë letrare që shfaq realitetin në mënyrë të ashpër dhe të paidealizuar, përqendrohet në temat e dhimbjes, vuajtjes dhe të keqes në botë. Poezia e Bejkos pasqyron këtë rrymë në paraqitjen realiste të kushteve të rënda të punës në minierë dhe dilemave morale të individit. Pasazhi “Zbret në minierë nën peshë terri, Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth,” shfaq realitetin e ashpër të punës në minierë, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të paidealizuar për të treguar vuajtjen dhe dhimbjen fizike (jo vetëm të poetit). Rebelimi ndaj kushteve të vështira është shprehur në vargjet “Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim /Rrezikun prek me duar , i thua: hajde,” duke ilustruar përballjen e individit me dhimbjen dhe rrezikun, një temë e zakonshme në realizmin e errët.
III-Poezia “Vdekja është një” e Bejkos është një dëshmi e fuqishme e vuajtjeve të poetëve dhe intelektualëve që guxuan të sfidojnë kufizimet e realizmit socialist në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist, i cili impononte një ideologji të ngurtë dhe kontroll mbi artin e letërsinë, duke kërkuar që poetët të pasqyronin dhe promovonin parimet e soc.-realizmit, ndryshe kalvari i vuajtjeve do ishte më i vështirë se ai i Golgothasë. Vargu metaforik:”Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth,” përfaqëson poetin dhe intelektualin që është vënë nën mbikëqyrje dhe izolim për shkak të mendimeve dhe krijimeve të tij dhe paraqet njëkohësisht presionin dhe kërcënimin që ndjen individi kur guxon të kalojë kufijtë e realizmit socialist dhe që shpesh vihet para dilemës ekzistenciale:” Të vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?” sepse të jetosh në izolimin dhe stigmatizimin e dyfishtë: “Njerëzit e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,” dhe : “Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak” do të thotë të jetosh frikën, ankthin dhe jo jetën.Poetët dhe intelektualët që guxuan të thyenin kufizimet ideologjike të realizmit socialist realisht u stigmatizuan dhe u izoluan nga shoqëria, një mënyrë kjo me të cilën shteti demonstronte pasojat e mosbindjes, që përdorej edhe për të frikësuar të tjerët që mund të mendonin të sfidonin regjimin. Izolimi është sikur të jesh zënë poshtë gërmadhave nga ndonjë tërmet dhe: “ I vetëm në greminën më të thellë ke rënë/ me natën në sy, me shkëmbin në bark”. Vargu” “Zbret në minierë nën peshë terri, /Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth.” paraqet mjedisin e rëndë dhe të zymtë të minierës, duke treguar peshën e territ dhe kushtet e vështira të punës ku punon një intelektual i nivelit të lartë dhe mbi të gjitha një poet, që, me gjithë dëshirën e tij të mirë, nuk gjen dot një element të “bardhë” poetik. Lodhja, vuajtjet dhe presioni psikologjik që shprehet te vargjet: “Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim,/ Rrezikun prek me duar, i thua: hajde.” e çojnë poetin gjer në skajin e fundit të vuajtjeve të tij.
IV-Poezia “Vdekja është një” e Sadik Bejkos është një akt i fuqishëm rezistence ndaj dhunës së regjimit monist, i cili kërkonte të mposhtte frymën e lirisë dhe krijimtarisë. Edhe pse poeti u dënua të punonte në minierën e Memaliajt, një vend që mund të pikturohet si ferr për shkak të kushteve të tmerrshme, Bejko gjeti forcën për të shkruar këtë poezi, duke treguar se shpirtin krijues nuk mund ta mposhtte as errësira më e thellë. Kjo aftësi për të shndërruar një ambient të zymtë dhe të errët në një peizazh poetik tregon talentin e madh të tij si poet dhe forcën morale për ti rrezistuar dhunës moniste të prishjes së vizionit të tij poetik. Të kuptojmë një gjë:vetë mbajtja e Festivalit të XI në Radio Televizion në atë kohë ishte një kryengritje kundër soc.-realizmit dhe ideollogjisë së partisë shtet, e cila ndonëse u shtyp, arriti të mbillte farën e kundërshtimit dhe ti tregonte popullit se matanë dritares së palarë të soc.-realizmit ishte një botë e bukur dhe e lirë. Fakti që Bejko ishte pjesmarrës me tre tekste këngësh në këtë festival është një vlerë njerëzore (dhe artistike) e tij. Dilema ekzistenciale që ju imponua: “Jepi: zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:/Të vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?” e cila paraqet presionin ekstrem për të zgjedhur midis nënshtrimit (vdekja shpirtërore) dhe përballimit të dhunës fizike (vdekja në gjak) dhe fakti që poeti zgjedh të mos dorëzohet shpirtërisht,(vetë kjo poezi është dëshmia më e mirë) tregon qëndrimin e tij të fortë dhe të pamposhtur përballë represionit. Poeti refuzon të dorëzohet, ai përballet me vuajtjet me një qëndrim rebel dhe të pamposhtur dhe pikërisht kjo përballje simbolizon forcën dhe qëndrueshmërinë e shpirtit krijues që nuk mund të mposhtet nga dhuna fizike apo psikologjike e shtetit, që shfaqet në formën e izolimit dhe stigmatizimit në poezi. Ndaj mendoj se kemi të drejtë të themi se poezia e tij shndërrohet në një testament të forcës shpirtërore dhe rezistencës së njeriut përballë dhunës së monizmit dhe vuajtjeve që ai sillte në jetën e poetëve që rebeloheshin paqësisht, duke plotësuar njohuritë e lexuesit për një realitet të fshehur dhe për të treguar se si në mes të mjerimit dhe sforcimit ekziston një dritë dhe shpresë që na tregon rrugën e lirisë.
V- Poezia “Vdekja është një” e Sadik Bejkos është një dëshmi e forcës dhe pampo-shtshmërisë së artit përballë dhunës diktatoriale. Pavarësisht presionit dhe shtypjes, Bejko gjen forcë dhe frymëzim për të krijuar art që ndriçon edhe në errësirën më të thellë të minierës. Përmes gjuhës së pasur dhe figurative, Bejko arrin të shndërrojë minierën e errët të Memaliajt në një peizazh poetik që ndriçon me bukurinë dhe dritën e tij unike, duke shfaqur aftësinë e tij për të gjetur shpresë edhe në momentet më të vështira, dudke e shndruar përvojën e tij të dhimbshme në një testament të rezistencës shpirtërore dhe intelektuale, duke dëshmuar se arti dhe poeti kanë fuqi të madhe për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e lirisë dhe në kushte më të errëta. Ky testament është i dallueshëm kryesisht nëpërmjet forcës dhe dritës së këtyre figurave artistike që janë sinjale jete dhe rezistence poetike në monizëm. Duke parë figurat artistike me vëmëndje vërejmë se:
Simbolet:”Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth” – përfaqëson poetin si një viktimë të drejtpërdrejtë të shtypjes dhe persekutimit, si një tabelë qitjeje, objektiv i sulmeve të vazhdueshme dhe të qëllimshme të regjimit.
“Pa dritë në sy, me shkëmbin në bark” simbolizon shkallën e vuajtjes dhe mungesën e shpresës në gjendjen e tij, ku “shkëmbi në bark” përfaqëson barrën e rëndë të vuajtjes dhe dëshpërimit.
Vargu:”si nga qyteti i rënë nën murtajë” –simbolizon izolimin dhe stigmatizimin që poeti përjeton, izolim jo vetëm fizik, por edhe shoqëror, duke e bërë atë të ndjehet si një i huaj në mes të bashkëqytetarëve të tij.
Metaforat:”Fytit të zgjidhet e të mblidhet një lak” shfaq kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës dhe kontrollit mbi jetën e individit, duke ilustruar ndjenjën një presioni të pandërprerë.
Te:”peshë terri” metafora tregon barrën e rëndë të vuajtjes dhe dëshpërimit që poeti ndien në minierë. Terri është një simbol i errësirës së brendshme dhe të jashtme që e rrethon.
Vargu:”Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim” ilustron vendosmërinë e poetit për të përballuar dhunën fizike me një qëndrim sfidues dhe përbuzës. Ky akt rebelimi dhe sfide ndaj vetes dhe dhunës që i imponohet është një dëshmi e forcës së tij të brendshme.
Personifikimet:”Rrezikun prek me duar, i thua: hajde” ku rreziku është personifikuar si një entitet i gjallë që poeti e sfidon dhe e përballon direkt shpreh guximin dhe vendosmërinë e tij përballë rrezikut, e cila në vetvete është një akt rezistence dhe rebelimi kundër shtypjes.
Te vargu: “Të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?” vdekja është personifikuar si një entitet që ndjek poetin pa pushim, duke sugjeruar frikën e heshtur dhe të pandër-prerë që ai përjeton.
Imazhet:”Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth” shfaqin ndotjen dhe degradimin si dhe kushtet e rënda të punës në minierë, duke treguar një mjedis të mjerueshëm.
Te vargu: “Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë” poeti shfaqet si një individ i humbur dhe pa drejtim në një botë të errët dhe pa shpresë. Ky imazh përforcon ndjenjën e izolimit dhe të qenit në një situatë pa dalje.
Veç sa më sipër vlen të theksojmë se poezia “Vdekja është një” e Bejkos është një poezi moderne por që përdor suksesshëm si një sfond poetik edhe element të tradicionalitetit poetik, si : Elementet e natyrës, motivet e vdekjes dhe jetës, stili, vargu, rima, metrika të cilat shërbejnë për të theksuar forcën goditëse të vargut dhe idenë e poezisë.Arti poetik i shprehur nëpërmjet këtyre figurave dhe elementëve tradicionalë është më i fortë se diktatura sepse ai arrin të krijojë një realitet alternativ që nuk mund të kontrollohet nga asnjë formë shtypjeje.
VI-Lind pyetja : Po pse është arti më i fuqishëm se diktatura?
Arti dhe poeti janë më të fuqishëm se diktatura dhe dhuna e saj për disa arsye të thella dhe të ndërlikuara që lidhen me natyrën e krijimtarisë dhe shpirtit njerëzor:
1.Së pari është fuqia e shpirtit dhe ndjenjave njerëzore, pse ndryshe nga fuqia e dhunës fizike, që është e përkohshme dhe e kufizuar, arti dhe poezia burojnë nga shpirti njerëzor që është i përjetshëm. Poeti, përmes veprave të tij, shpreh ndjenjat më të thella dhe mendimet më të ndërlikuara, të cilat mbeten të gjalla dhe ndikojnë te njerëzit edhe pas disa shekujsh.
Poezia dhe arti kanë aftësinë të prekin zemrat dhe mendjet e njerëzve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe intime. Ky ndikim emocional është më i fuqishëm se çdo mjet dhune, pasi prek shpirtin njerëzor dhe inspiron ndjenjën e lirisë e drejtësisë.
2. Së dyti arti dhe poezia flasin nëpërmjet simbolikës, mesazheve poetike dhe metaforave që kapërcejnë kufijtë e gjuhës së zakonshme dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë. Këto mjete artistike krijojnë mesazhe të thella dhe universale që mund të interpretohen dhe të kuptohen nga breza të ndryshëm në mënyra të ndryshme, duke mbajtur gjallë frymën e rezistencës dhe lirisë.
Gjithashtu, në kushtet e censurës, poetët dhe artistët përdorin gjuhën figurative dhe mesazhe të koduara për të shprehur qëndrimet e tyre dhe për të inkurajuar rezistencën, mesazhe që janë të vështira për t’u kuptuar, ndaluar apo shkatërruar nga regjimi dhe për faktin se shprehen në një mënyrë shumëkuptimëshe.
3.Arti dhe poezia luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës historike e kulturore. Njësojë si arti oral që është dokument historik dhe arti i kultivuar dokumenton vuajtjet, rezistencën dhe përvojat e njerëzve nën regjimet e ndryshme, duke mbajtur gjallë kujtimin e të kaluarës dhe mësimet për brezat e ardhshëm.
Kultura dhe arti gjithmon kanë qenë dhe janë forma të fuqishme të rezistencës kundër shtypjes e dhunës. Ato krijojnë një identitet të përbashkët dhe një ndjenjë të përbashkët për komunitetin, që ndihmon në forcimin e shpirtit të rezistencës dhe qëndrueshmërisë.
4. Nuk duhet të harrojmë që arti dhe poezia kanë natyrë universale, ato kanë aftësinë të kapërcejnë kufijtë gjeografikë dhe politikë, duke bashkuar njerëzit përtej dallimeve kulturore, gjuhësore dhe kombëtare.Mund të kujtojmë protestat europiane kundër dënimeve të poetëve dhe shkrimtarëve në shtetet diktato-riale. Kjo aftësi e artit për të krijuar lidhje ndërmjet njerëzve është më e fuqishme se çdo ndarje dhe përçarje që mund të sjellë dhuna dhe represioni shtetëror. Për këtë shtojmë se arti dhe poezia kanë fuqinë të inspirojnë dhe të motivojnë njerëzit për tu bashkuar kundër dhunës dhe diktaturës. Kjo ndjenjë e përbashkët e qëndresës dhe e shpresës është më e fuqishme se çdo frikë apo dhunë që mund të imponojë regjimi. Poeti dhe artisti, përmes veprave të tyre, dëshmojnë se fryma njerëzore është e pamposhtur dhe se arti do të mbijetojë dhe do të ndriçojë edhe në errësirën më të thellë.
Kështu dhe poezia “Vdekja është një” është një dëshmi e qartë e forcës së artit për të mbijetuar dhe për të ruajtur shpirtin e lirisë në kushtet më të rënda. Pavarësisht presionit e shtypjes, Bejko arrin të shprehet përmes artit të tij, duke na treguar se poeti dhe arti kanë një fuqi për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e lirisë. Prandaj themi se poezia e Bejkos është një testament i forcës së brendshme të artistit dhe e fuqisë së fjalës poetike për të kapërcyer çdo formë shtypjeje dhe dhune.
Pra, poezia “Vdekja është një” është një dëshmi e forcës dhe pamposhtshmërisë së artit përballë dhunës diktatoriale. Pavarësisht presionit dhe shtypjes, Sadik Bejko gjen forcë dhe frymëzim për të krijuar art që ndriçon edhe në errësirën më të thellë të minierës. Përmes një gjuhe të pasur dhe figurative, ai arrin të shndërrojë përvojat e tij të dhimbshme në një testament të rezistencës shpirtërore dhe intelektuale, duke dëshmuar se arti dhe poeti kanë një fuqi të madhe për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e lirisë edhe në kushte më të errëta.
Sarandë më korrik 2024
Sadik Bejko
VDEKJA ËSHTË NJË
Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth,
Fytit të zgjidhet e të mblidhet një lak
Mbi-e-nën-tokë ndër dy vdekje kë do të zgjedhësh:
Vdekjen në shpirt, a vdekjen në gjak.
Zbret në minierë nën peshë terri,
Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth.
Jepi: zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:
Të vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?
Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim,
Rrezikun prek me duar, i thua: hajde.
Lot symbyllur me terrin, me minierën:
Të fundosh shpirtin është humnerë më e madhe?
Ç’rrebelim i keq ky ndaj vetes, ndaj gjakut tënd
Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë.
Njerëzit e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,
si nga qyteti i rënë nën murtajë.
Njeri i vënë në shenjë, edhe ti i shmang njerëzit,
Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak.
I vetëm në greminën më të thellë paske rënë
Pa dritë në sy, me shkëmbin në bark.
Ç’hakmarrje kjo, t’i turresh gjakut tënd?
Apo të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?
Vallë dy vdekje, dy gremina ke përballë,
Apo një është vdekja, vetëm një?
Memaliaj, 1975.
Botuar te libri “Si vdes gruri” 1994.
Please follow and like us: