Aleksandër Meksi sjell në shqip manuskriptin në papirus në Muzeun e Berlinit
Manuskripti në papirus nr 3014 ruhet në Muzeun e Berlinit në një kopje që i takon Mbretërisë së Mesme, epokë në të cilën dhe datohet. Manuskriptit i mungon pjesa e hyrjes. Dy poezitë “Kujt t’i flasësh sot” dhe “Një vjershë dashurie e një autori anonim i shekullit XII para Krishtit” janë marrë nga ky papirus.
Kujt t’i flasësh sot?
Kujt t’i flasësh sot?
Vëllezërit janë të këqij, miqtë e sotëm nuk mund t’i duash!
Kujt t’i flasësh sot?
Zemrat janë grabitqare, çdokush rrëmben sendet e shokut.
Kujt t’i flasësh sot?
Mirësjellja ka humbur, dhuna bie mbi këdo.
Kujt t’i flasësh sot?
Janë të kënaqur me të keqen, e mira është hedhur përtokë kudo.
Kujt t’i flasësh sot?
Njeriu që duhej të na zemëronte për veprimet e tija të këqia, bën të qeshin të gjithë për mëkatet e tija të mbrapshta.
Kujt t’i flasësh sot?
Po grabitet; gjithkush vjedh shokun e vet!
Kujt t’i flasësh sot?
Kriminelin e kanë mik të ngushtë, vëllai me të cilin punoje është për ty armik.
Kujt t’i flasësh sot?
Nuk kujtohet më e djeshmja, askush nuk e ndihmon më, atë që të ndihmonte.
Kujt t’i flasësh sot?
Vëllezërit janë të këqij, i drejtohen të huajit për dashuri.
Kujt t’i flasësh sot?
Njerëzit të kthejnë shpinën, çdokush sheh me mosbesim vëllezërit.
Kujt t’i flasësh sot?
Zemrat janë lakmitare, nuk gjen një zemër njeriu që t’i kesh besim!
Kujt t’i flasësh sot?
Nuk gjen më njerëz të drejtë, toka ju është lënë të paudhëve.
Kujt t’i flasësh sot?
Të mungon një mik i ngushtë, i drejtohesh të panjohurit për t’u ankuar.
Kujt t’i flasësh sot?
Nuk është një i kënaqur, ai që ecja me të nuk është më!
Kujt t’i flasësh sot?
Jam i mbushur me dhimbje për mungesën e një miku të ngushtë.
Kujt t’i flasësh sot?
Është e pafundme e keqja që ka goditur tokën!
Një vjershë dashurie e një autori anonim i shekullit XII para Krishtit
Shiko Lulelotus!
Zemra ime të përket,
si lulja e lotusit të liqenit.
Gjithshka do dëshirosh,
në krahët e tua do ta ve.
Ti je përfytyrimi i ((shëmbëlltyra ) dëshirave të mija.
Je një balsam për sytë.
Të shoh ty, shikimit tim i jep dritë
e të shtrëngoj fort,
për të ndjerë më mirë dashurinë tënde,
ty, nusja e zemrës time.
Sa i bukur është ky çast!
Të mundte në krahët e tua!
Të zgjaste përfundimisht (përjetësisht).
Ti do më rilindje zemrën,
e tash, se gëzon apo qan
Mos ik kurrë nga unë, kurrë!
Bisedë e një burri me shpirtin e tij
Poezi e lashtë mbi 4500 vjeçare me origjinë të vjetër. nga India, Egjypti antik, Izraeli.
Vdekja më shfaqet si shërim i të sëmurit,
si shëtitja e parë pas një lëngimi të gjatë.
Vdekja më duket si aromë e mirë,
sikur je nën vela në një ditë me erë.
Vdekja më duket si parfum i luleve të lotusit,
sikur je ulur në bregun e dalldisë.
Vdekja më duket si një rrugë e njohur,
sikur kthehesh nga lufta në shtëpinë tënde.
Vdekja më duket sikur dikush,
pas vitesh burgu ndjen thirrjen e shtëpisë së vet.