Ekspozitë “In memoriam Naum Prifti (1932-2023)”

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli ekspozitën përkujtimore “In memoriam Naum Prifti (1932-2023)”, duke sjellë në vëmendje të publikut, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, krijimtarinë e mjeshtrit të rrëfimit dhe të dialogut Naum Prifti.
Naum Prifti lindi në Rehovë të Kolonjës, më 7 mars 1932, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-vjeçare. Në vitin 1953, përfundoi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punoi një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vijoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Gjatë viteve 1954-1960 shërbeu si redaktor në revistën “Hosteni”. Ndërsa nga 1960-1967 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas punoi si arsimtar nga 1967-1970 në Divjakë të Lushnjës. Në vitet 1970-7192 ishte redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-1976. Në këto vite si shërbeu edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 1991, emigroi në Amerikë (Nju-Jork), ku dha ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar atje dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Është nderuar me shumë çmime për veprat letrare si: vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Në vitin 2001 u nderua nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendtë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, as Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, Nju-Jork, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri” Klasi II.
Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Disa nga tregimet e tij janë bërë edhe filma dhe është vlerësuar me shumë çmime për veprat e tij letrare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.














Please follow and like us: