Kostandin Mosko: NJË SHTREMBËRIM HISTORIK I QËLLIMSHËM
– Gazetari i RTSH Gjirokastrës e paraqit fshatin Selckë minoritet grek –
Të marrësh guximin e të shtrembërosh autoktoninë e një fshati nuk është vetëm marrëzi, por një veprim i qëllimshëm, skandal, aq më tepër të ekspozosh idetë e tua dashakeqe në media. Pas këtij veprimi lindin shumë pikëpyetje; je mercenar i paguar, je shpifës profesionist dhe antishqiptar, apo injorant?
Nëse autori i këtij dokumentari 60 minutësh do të ishte me origjinë diku nga Veriu i Shqipërisë, ose Kosova, edhe mund të ngatërohesh ngaqë Selcka aktualisht bën pjesë administrativisht në Bashkinë minoritare të Dropullit dhe njësinë Administrative Pogon. Arsyet për bashkim me minoritetin grek i dinë vetëm ata që e realizuan këtë mynxyrë. Një gjë është e qartë, kjo ka ndodhur jo për shkak të shtrirjes territoriale, origjinës, gjuhës që flasin, ose traditat e zakonet në Selckë. Ky fshat tradicionalisht është pjesë e krahinës së Lunxhërisë, mirpo fshatrat e kësaj krahine i kanë coptuar në tri-katër bashki. Askush nuk të jep përgjigje përse është bërë ky veprim tinzar. Llogjikisht Selcka duhej të ishte përfshirë të paktën në fshatrat shqiptare Suhë, Stegopul, Labovë e Kryqit me të cilat i bashkon gjuha, zakonet, traditat, feja dhe afërsia gjeografike dhe kurrë nuk duhet të kishte ndodhur bashkim me fshatrat minoritare greke.
Personalisht unë jam me origjinë nga ky vend, brez pas brezi. Jam farefis me gjysmën e banorëve të këtij fshati dhe kam shkruar në vazhdimësi për gjuhën, historikun, zakonet, këngët dhe traditat shqiptare.
Ju kujtoj se vëllezërit martirë Pandeli e Koço Sotiri që çelën shkollat e para shqipe në Korçë, nismëtarë dhe themelues të mediave shqiptare me gazetën “Drita” e “Dituria” në Stamboll, ishin me origjinë po nga ky fshat. Atdhedashuria, krenaria e të qënit shqiptar është dëshmuar nga ata vetë duke u martirizuar për çështjen kombëtare. Fjalorët enciklopedikë, librat, historiku i krahinës, etj. e kanë pasqyruar veprën e tyre patriotike. Unë sa e kam vërtetuar me dokumente arkivore dhe botime veprimtarinë e tyre patriotike shqiptare, deri në sakrifikim.
Para pak kohësh u mënjanua një pllakë përkujtimore që ishte vendosur në themelet e shtëpisë së tyre, personalisht e bëra problem. Mirë u hoq për “shkak te punimeve”, por përse nuk u vendos përsëri!? (Tani mendoj se edhe ky veprim ka qenë i qëllimshëm, ashtu si ky emision famëkeq televiziv).
Përpara dy shekujsh, një Hoxhë nga Kallarati i Labërisë që mbarte fshehurazi nga xhon turqit abetaret e para shqip të Stabollit, u sëmur gjatë rrugës. Bashkëfshatarët e mi, në respekt të misionit të tij të shenjtë e strehuan, e ushqyen, e mjekuan dhe e varrosën me nderime të mëdha, madje vajtojcat e fshatit e qajtën me kuje. Te gjithë në Selckë i kujtojnë këto vargje-vaje:
O i shkreti Babashe,
Ke njeri apo nuk ke?!
Të varrosëm si babanë
Për ty tri kambana ranë…
Artisti i Merituar i skenës, Andon Pano, themelues i Teatrit Kombëtar Shqiptar, i cili ka banuar në Selckë gjatë vitve 1920, dëshmon në kujtimet e tij: “Në Selckë flitet një gjuhë shqipe e pastër dhe e ëmbël”.
Pikërisht tani kur diskutohet aq shumë çështja e Himarës, Kristaq Xhai i RTSH-Gjirokastra, në 60 minuta rreket i sforcuar të vërtetojë se Selcka na qenka fshat grek. (O Zot çfarë po ndodh kështu?!)
Fallsifikim kokë e këmbë, gënjeshtër në dritë të diellit, shërbim që i bëhet lobeve shoviniste dhe naziskine greke nga gazetarët e paguar me taksa të popullit shqiptar! Nuk ka shpifje dhe intrigë më të madhe! Selcka është njëqind përqind shqiptare. Këtë s’e luan topi.
Nga këtu ku jetoj prej vitesh, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u indinjova pa masë dhe iu drejtova Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Alfred Peza, i cili u revoltua dhe i tërhoqi vëmendjen personelit drejtues të RTSH Gjirokastra. Por a mjafton vetëm kaq?! Videoja u hoq nga yortube e RTSH Gjirokastrës, por ky emision qëndron ende i ekspozuar në FB-në e fshatit Selckë dhe tek llogaritë e disa personave të tjerë. Edhe ky veprim është i qëllimshëm. Për këtë arsye detyrohem ta bëj publik këtë fakt antikombëtar, pasi janë shkelur brutalisht dhe me qëllim ligjet e shtypit dhe informimit të publikut shqiptar. (Përfytyroni se çfarë do të kishte ndodhur në një fshat tjetër). Po kaq sa është emisioni, 60 minuta, po kaq duhet të jetë edhe përgënjeshtrimi dhe të ekspozohen masa ndëshkuese ndaj gazetarit, i cili mendoj se nuk e ka pasur një lajthitje të rastit, por një veprim të qëllimshëm e të mirëmenduar.
Ai nuk meriton të punojë në RTSH Gjirokastara dhe të paguhet nga taksat e popullit shqiptar. Rrjedhimisht, ky gazetar duhet t’i kërkojë ndjesë publikut dhe selciotëve, të përgënjeshtrojë ato çfarë ka thënë në emisionin e tij 60 minutësh. Urgjentisht duhet të hiqet nga qarkullimi dokumentari i mësipërm, sa më parë të jetë e mundur dhe të informohet drejt publiku mbarëshqiptar, jashtë dhe brenda Shqipërisë.
Tani po shpreh mendimet e mia për disa çështje që u diskutuan ne fb: Dhimitër Nanopullos (Naka) është një shkencëtar me famë botërore, Kryetar nderi i Akademisë Shkencave të Greqisë. U propzua për President i Greqisë, etj. Aktualisht jeton në Teksas të SHBA-së dhe kryen veprimtarinë e tij shkencore në Universitetin A&M. Ai është nip në fshatin tonë, djali i Vajo Nakës që e ka shtëpinë ende në Selckë.
Nanopullo paraqitet ne video sikur është çensuruar e tani u bë ky “zbulim” i madh. Në fakt është gënjeshtër si e gjithë videoja.
Unë kam dëgjuar për herë të parë për Nanopullo në mesin e viteve 1980. Doc. Irakli Leka te klubi i Ministrisë së Bujqësisë më tha: Nga Selcka kanë dalë njerëz të mëdhenj si djali i Vajo Nakës që është Kandidat për Çmimin Nobel në Fizikë. Këtë Irakliu e përsëriti edhe ne vitin 1999 para fshatarëve tanë që ishin mbledhur për promovimin e librit kushtuar vëllezërve Sotiri të autor Prof dr. Musa Kraja. Me sa jam në dijeni Nanopullo ka qenë në Tiranë në vitet 90-të për inagurimin e një Universiteti privat. Gjuhëtari, sintaksologu i shquar nga fshati ynë Prof. dr. Thoma Dhima, më ka thënë se në bashkepunim me Nanopullosin kishin nisur të bënin një punim shkencor për gjuhët, por fatkeqësisht Thomai ndërrroi jetë. Ne vitet dymijë u hap një debat i madh për origjinën e Dhimitër Nanopullos. Në gazetat kryesore të Athinës shkruhej se ishte vllah. Edhe historiani shqiptar i ndikuar nga këto gazeta e paraqiste si vllah në shtypin shqiptar. Unë së bashku me të ndjerin Thoma e kundërshtuam sa mundëm në disa gazeta. Me sa kuptohet tani gazetari u mundua ta paraqiste si minoritar, apo dropullit. Ndoshta të shkruajnë përsëri gazetat e Athinës. Zoti na ruaj me këto shtrembërime e fallsifikime! Për Nanopullosin është shkruar në vazhdimësi, kudo, në libra e gazeta, fb, etj. Po kështu ky fakt shkruhet edhe në librin me autor Dh. Margariti e doktor J. Thanati “Selcka e Lunxhërisë”, Tiranë-2001. Në librin tim ‘Udhëtim në Shpirtin Lunxhiot”, Tiranë – 2022, në librin e Spiro Xhavarës: “Mrekullia e Jugut, Lunxhëria, Rëza” Tiranë – 2023, etj.
Thuhet në facebook gjithashtu se nuset minoritare të ardhura tani flenë rehat në Shën Nikoll. Ashtu është, por ata njerëzit e mi me këto që po dëgjojnë nuk gjejnë rehat aty në varr. Nuset minoritare na kanë respektuar se dhe ne i kemi respektuar. Me fshatrat minoritare të Pogonit kemi kaluar si vëllezër, kemi marrë e dhënë. Kur bëhej dasma për marrjen e nuseve, ne shqiptarët ia mernim këngës:
E zura thëllëzëno,
moj nëno
Do ta vendos në kuvli,
moj nëno…
Kurse minoritarët vazhdonin:
Tha to vallo stin kuvli
Mori mana!
Na llalai kathe proi,
Mori mana….
Ju të paguar nën dorë e mercenarë politikë, mos u mundoni të na prishni këto lidhje të shkëlqyera shekullore, andej kufirit e këtej kufirit. Me kot mundoheni me intriga e shpifje, ne i kemi këto lidhje që kur bota është krijuar. Më jepet rasti të falënderoj përzemersisht 84-vjeçaren minoritare, nuse në fshatin tonë, që pyetjeve djallëzore të gazetarit iu përgjigj me fisnikëri selicjote, por dhe fisnikëri poliçanjote. Unë, kur të shkoj në fshat do ta përqafoj me përzemërsi për realitetin që përcolli. U tha gjithashtu në fb. se në vitin 1941 në Selckë u hap shkolla greqisht. Po u hap, se okupimi grek i mbylli shkollat shqipe. Ishte një veprim prej pushtuesi ashtu si vepruan edhe fashistët italianë që hapën shkolla në gjuhën italiane.
Kam dhe diçka për deputetët e shtetarët qe i paguajmë mirë, duhet të mbrojnë ligjet dhe jo të lejojnë të ndodhin përpara syve të tyre si këto veprime antikombëtare, duhet të meritojnë besimin që u ka dhënë populli., jo të bëjnë sehir. Mirë bënë që përkedhelën bustin e Micotaqit, plakut, që nga Kryeministri e me radhë, por shikoni edhe këto bustet tona këtej; të vëllezërve Sotiri që nuk kanë fare, Koto Hoxhit, Urani Rumbos, Jorgo Bllacit, Çajupit, Zhapës etj. Na bëni edhe neve rrugët, dritat dhe ujësjellësat. Mësova këto ditë se uji i Selckës do të shkojë në Dropull me invesimet e shtetit, ndërsa Selcka vuan për pikën e ujit. Kanë filluar punimet dhe i mbajnë sekret, gjoja Dropulli do ta marrë ujin nga burimet e Hllomsë. Pse kështu vallë?! Gjer kur shqiptari do të konsiderohet si i huaj në vendin e vet që në shekuj e ka mbrojtur me gjak dhe sakrifica?!
Kostandin Mosko, Boston, SHBA, 16 korrik 2024.