Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Lexim i një nate vere

Në lagjen e fëmijërisë sime në qytetin më të vjetër, Durrësit, kishim një plakë të mençur dhe të urtë, e cila pinte kafe shpesh me nënën time, dhe shkonin si motra. Unë e kisha dëgjuar disa here nënë Nurije Sharrën, nënën e shokut tim të ngushtë dhe sportistit të mirënjohur Xhavit Sharra, që sa here binte muhabeti për marrëdhëniet e saj të acaruara me djalin e saj më të madh, (ajo kishte tre djem), i cili nuk i fliste nënës për hatër të gruas së tij, megjithëse jetonin bashkë në një hajat, psherëtinte me dhimbje nëne dhe përsëriste dy vargje perlë:
“Dy gisht vend,
të le pa mend”!
Unë sapo kisha nisur të shkruaja vjersha dhe me patën befasuar dy vargjet e saj monumentale. Ishin një kuintesencë filozofie, jete, marrëdhëniesh njerëzore, morale, biologjike, metaforike, alegorike, etj.me një forcë të jashtëzakonëshme artistike dhe pa përdorur asnjë fjalë erotike.
Më vonë studiova në Fakultetin e Letërsisë, ku lëndë të posaçme kishim folklorin shqiptar. Natyrisht kam lexuar libra të panumurt poezie dhe proze, por nuk hasa kurrë një dyvargësh kaq emblematik dhe sintetik, sa vargjet e plakës së mençur Nurije.
Urtësia dhe mençuria popullore është një thesar, që zbulohet rrallë. Prandaj m’u kujtua në një natë të bukur vere dhe po e ndaj me miqtë e mi.
Please follow and like us: