12 vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja
Sot mbushen 12 vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja. Më 21 korrik 2012 ai u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Podrimja u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij, të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik.
Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja kishte humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje ishte dehidruar.
Ali Podrimja lindi më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ai është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Krijimtaria letrare e tij nis në vitin 1961 me botimin “Thirrje”, për të vijuar më pas me botime të shumta, ku Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si edhe jo pak herë edhe si redaktor.
Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961, “Dhimbë e bukur” 1967, “Sampo” 1969, “Torzo” 1971, “Folja” 1973, “Credo” 1976, “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981, “Lum Lumi” 1982, “Fundi i Gëzuar” 1988, “Zari” 1990, “Në bisht të sorrës” 1994, “Buzëqeshje në kafaz” 1995, “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu” 2005.
Vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja, si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht etj.
/KosovaPress/