Albspirit

Media/News/Publishing

Akademiku Mandala: Kadare, miku i shtrenjtë i arbëreshëve

“Të gjithë kolegët e mi e çmojnë artin e Kadaresë; disa syresh kishin pasur rast ta njihnin personalisht në vitin 2009 gjatë ceremonisë solemne të dorëzimit të titullit Laurea Honoris Causa që iu akordua nga Universiteti i Palermos. Aty për aty në atë auditor ku ishin mbledhur profesorë dhe studiues të shquar italianë u konkretizua tributi modest, por domethënës në kujtim të shkrimtarit të madh shqiptar”, shkruan Mandala duke kujtuar këtë çast historik.

Akademiku arbëresh tha se,” Kadare ishte një mik i shtrenjtë dhe vlerësues i madh i arbëreshëve dhe i historisë së tyre kulturore dhe letrare. Sipas tij do të mbeten të pavdekshme vlerësimet që Kadare i kushtoi Jeronim De Radës dhe Skënderbeut, imazhin historik i të cilit ai e lidhte thuajse instinktivisht me arbëreshët e Italisë.

Ismail Kadare ka ndërmarrë udhetime në Kalabri dhe në Sicili. Gjatë këtyre vizitave ai u rrethua nga përzemërsia dhe entuziazmi masiv. Të shumtë ishin arbëreshët që donin ta takonin, t’i shtrëngonin dorën dhe t’i shprehnin mirënjohjen e tyre.

Për akademikun Mandala, e paharrueshme mbetet vizita që ai bëri në Horën e Arbëreshëve, kur, i shoqëruar nga e shoqja Helena dhe nga mbesa Doruntina, të pranishmit perceptuan në fjalën e Kadaresë ndjesinë e mishërimit magjik të së vërtetës letrare.

“Vepra e Ismail Kadaresë është tempulli i vërtetë ku ai prehet sot. Kadare thoshte shpesh se për dekada të tëra kishte jetuar si një gjysmë i vdekur mes të gjallëve: nëse ne studiuesit e letërsisë do t’ia dalim në punën tonë, mund të them me plot gojën që në të ardhmen Kadare do të jetë më i gjalli ndër të vdekurit”

Please follow and like us: