Grishja e Alfonsit me shpifje të përsëritura anti-Kadare
Çerçiz Loloçi
Largimi i Ismail Kadaresë për në banesën e fundit, përveç që pati një protokoll shtetëror nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, është shoqëruar edhe me një ndjeshmëri të madhe ndërkombëtare nga shtypi më i rëndësishëm botëror, agjencitë kryesore të lajmeve, personalitete dhe ente politike e kulturore nga pothuaj të gjitha kryeqendrat e metropoleve perëndimore dhe jo vetëm.
Kadare sa ishte i shqiptarëve, po aq u bë edhe zë planetar duke e radhitur letërsinë e një vendi të vogël përkrah vendeve të tjera; ai u bë fitues i çmimeve më të mëdha kulturore në komunitetin anglishfolës, spanjoll, aziatik, italian, etj.
Pa u ndalur në të gjitha kurorat letrare, mjafton të përmendim që në 1992 u vlerësua me ‘Prix Mondial Cino Del Duca’, më 2005 fitoi çmimin ‘Man Booker International’, më 2009 mori ‘Prince of Asturias Awards’ për Artet, në 2015 ‘Çmimin Jeruzalem’, në 2019 ‘Çmimin Park Kyong-ni’, ndërsa në 2020 u nderua me çmimet ‘Neustadt’ dhe ‘Prozart’.
Ndërkaq më vijnë si me titra filmikë disa vlerësime që do t’i dëshironte çdo lëvrues i një letërsie të madhe në gjallje apo kur është larguar nga jeta. Kadare e mori këtë vlerësim sipëror në periudhën e jetës, madje është ndër të paktët që e pa korpusin e vet letrar, nga Botimet Rilindja në Prishtinë, pastaj me Botimet Naim Frashëri në Tiranë dhe dy botimet nga Onufri, përkatësisht me 20 dhe 7 vepra. Fakt është që Kadare, duke shkruar një letërsi ndryshe, u bë tekst i detyrueshëm në sistemin shkollor në mjaft vende në gjallje të tij. Ka qenë kjo arsyeja që vlerësimet të vinin nga shumë anë:
“Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë pasionit, folklorit të politikes dhe të katastrofave. Ai është një shkrimtar universal me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri”, John Carey, kryetari i jurisë së çmimit ‘The Man Booker International Prize’.
“Në të gjithë botën, veprat e Kadaresë kanë një domethënie të fuqishme, therëse”, Alain Plantey, President i Akademisë Franceze.
“Romancier që rrok historinë me një frymë të fuqishme shekspiriane”, Hachette, Paris, 1992.
“Sado e ndryshme që të jetë Shqipëria nga Suedia apo Franca, ajo ka nxjerrë në dritë një gjeni. Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë; do të thotë të emancipoheni vetë ju… Ismail Kadare është pa dyshim shkrimtari më i shumanshëm i kohës sonë”, Alain Bosquet, ‘Le Quotidien de Paris’.
“Kronikë në gur nuk është vetëm një kuriozitet, por një roman magjepsës, i sofistikuar dhe i realizuar në prozë poetike”, The New Yorker.
“Me njërën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe më finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura”, Dominique Fernandez.
“Kadareja ia del të jetë universal dhe i të gjitha kohërave, duke mbetur gjithaq shqiptar”, Nicole Zand.
“Në vështrim të parë vlerësimi ndërkombëtar i autorit mund të të çudisë, sepse Kadareja shkruan kryekëput vetëm për Shqipërinë. Por ato ngjarje ai i shndërron në letërsi botërore”, Anjez Hyfner.
“Dëshmi e Shqipërisë, dëshmi për Shqipërinë, Kadareja është bërë universal”, Maurice Druon.
“Vepra e Kadaresë është një nga veprat më origjinale dhe më të shquara të këtij shekulli”, Éric Faye.
“Proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriela Garcia Marquezit”, Los Angeles Times Book Revieë.
“E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Orëellin. Por ai i Kadaresë është zë origjinal, universal, e prapë me rrënjët thellë në tokën e vet”, Shusha Gappy, Independent on Sunday.
“Kadare është i rrahur në të gjitha dallgët e artit modern bashkëkohor. Vepra e tij, sa ç’është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim”, Michael Kleeberg, ‘Die Welt’, korrik 2002.
“Çdo vit, pothuaj gjatë një dhjetëvjeçari, Kadareja u ka dhënë lexuesve të vet nga një roman, që i befason dhe i shtang ata, i prek në shpirt, u ngjall ndjenja e mendime të thella… Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që meriton…”, ‘Magazine litteraire’, Paris.
“Për mua letërsia e Kadaresë është një nga pesë krijimtaritë më të rëndësishme në botë”, Claud Durand, Botimet Fayard, Francë.
Një javë përpara 1 korrikut 2024 ai më pohoi në kafen e zakonshme të mesditës te ‘Juvenilja’ se “jo 88, por 188 vjet të jetoja nuk do të mundja të shprehja mirënjohjen për miliona lexues; kam qenë shkrimtar me fat dhe me ikjen time nuk doja të lëndoja askënd, sidomos, gruan, vajzat dhe miqtë; të kem një ikje tak-fap, pa dhimbje, pa më parë askush”.
Dhe ndodhi pikërisht ajo që parandjeu; iku në të zbardhur të ditës pa përshëndetur kërkënd. Por nuk ishte fati që e bëri atë shkrimtar të përbotshëm, brenda tij ishte talenti i jashtëzakonshëm duke e zgjedhur letërsinë si domeni i parë dhe i pazëvendësueshëm me ndonjë tjetër. Shtëpia botuese ‘8 Nëntori’ që merrej kryesisht me sjelljen në shqip të autorëve të huaj, po ashtu përkthente në gjuhët kryesore pothuaj të gjithë shkrimtarët shqiptarë të kohës, që mbeteshin stoqe në dhomëzat imcake të ambasadave shqiptare jashtë vendit.
Po le të kthehemi te shkrimi i Grishajt që rreket të ngrihet kundër hipokrizisë. Se çfarë hipokrizie ka krejt shtypi botëror, për disa ditë me radhë, që ka shkruar e vijon të shkruaj për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë për Kadarenë, këtë e grish vetëm Alfonsi.
Ai konstaton se Kadare ka qenë numri 2 i Nexhmje Hoxhës. Po ka qenë, nuk e ka mohuar asnjëherë, por çfarë ka bërë keq? Kë ka ndëshkuar, me kë është sjellur keq? Ne që e kemi jetuar atë kohë, pra në vitet tetëdhjetë e dimë fare mirë se Fronti Demokratik ishte një organizatë pa pikë ndikimi, po aq sa levat e tjera Bashkimi i Rinisë, Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Grave, përballë një ekonomie që hante vetveten, e izoluar nga gjithkah kur në kryeqendrën shqiptare jetesa ishte kthyer në kufijtë e së pamundurës.
Këtë më mirë se kushdo e kuptoi dhe e braktisi vetë Bashkimi Sovjetik dhe dukuria shkoi me efekt domino në gjithë vendet e Lindjes, përfshi edhe vendin tonë. Grishaj thotë me siguri absolute se shkrimtari e çoi në çmendi djalin muzikant, por e vërteta nuk është kështu. Rruga e Ambasadave në diktaturë ishte një lloj Blloku ku nuk mund të hynte gjithkush, atje punonin njerëz të besuar të pushtetit, kryesisht anëtarë partie, por edhe bashkëpunëtorë të policisë sekrete, përfshi edhe ‘dallandyshet’. Natyrisht ndaj djalit mund të jetë kryer një krim, por protagonistët duhen gjetur te policia sekrete se sa te shkrimtari; është e çuditshme se si nuk është bërë një hetim në 34 vjet si për të fashitur shpifjen, po aq edhe për të ndëshkuar autorët. Fakt është që Kadare, me ndjesinë e madhe të të qenit prind, ka shkruar një letër te autoritetet për ta kthyer nga internimi gruan e divorcuar me djalin e sëmurë.
Edhe dëshmia publike e dom Simon Jubanit është përsëritur e ripërmendur, sidomos gjatë çdo muaj Tetor, por ende s’ka asnjë dokument dhe nuk është kryer asnjë hetim.
Për fat të keq shpifja, trillimi, thashethemnaja kanë qenë bashkëshoqëruese të Ismail Kadaresë, siç ngjau me thënien “Jashtëqitja e kombit”. Dikush thoshte se ai e ka thënë në mitingun e 2 korrikut 1990, por mitingu me zë dhe figurë ka të tjerë protagonistë, ca të gjallë ende e ca të vdekur. Pra mjafton të shikohet kjo video dhe bie ky version. Një tjetër që do ta besojë dhe shpërndajë këtë sajesë përmend intervistën e Ismail Kadaresë në Zërin e Amerikës, ditën e arratisjes në Paris. Këtë version e ka hedhur poshtë Elez Biberaj, ish drejtori i VOA-s për Euroazinë që e ka ritransmetuar intervistën, por edhe e ka publikuar tekstin e plotë. Një vjershërues-rimues me një flurudhë bindjesh nacionalist, anarkist, komunist, internacionalist, që shkruante tekste këngësh për festivalet e fundvitit, herë pa kapele dhe herë me të, dilte në ekrane televizive dhe jepte variante të tjera të deklarimit të Kadaresë, herë te e përjavshmja letrare ‘Drita’, herë te e përmujashmja kulturore ‘Nëntori’, herë te ‘Shqiptarja e re’, herë te ‘Në shërbim të popullit’, herë në një takim të ngushtë miqsh dhe që të bëhej më i besueshëm pohonte se ia kishte thënë shkrimtari në konfidencë.
Kujtoj ikjen e Kadaresë në Paris, teksa kisha organizuar një takim të tij me studentët. Takimi ishte lënë në orën 17.00, por ngaqë ikën dritat ai u shty për në orën 18.00 duke ndryshuar edhe sallën. Nuk dha asnjë shenjë se do të ikte dhe u largua disa ditë më pas. Ne e morëm vesh ikjen me intervistën e tij te ‘Zëri i Amerikës’. Ndërkohë ishte shtuar presioni i pushteti qëndror që të fliste në favor të tij. Një kryeredaktor që ishte njëherësh edhe pak bashkëpunëtor i policisë sekrete me pseudonim një emër lumi periferik, i kishin dhënë urdhër që t’i merrte me çdo kusht një intervistë shkrimtarit. Unë që e njihja personalisht e dija se, përkundër angazhimit që kishte marrë qysh nxënës gjimnazi apo student në Filozofi, ai nuk do ta bënte kurrë këtë gjë.
Letërsia ka gjithherë një mister të pashpjegueshëm. Jo vetëm kjo gazetë, por të gjitha që botoheshin asokohe, përpos të tjerëve, përbëheshin nga dy kategori, anëtar partie dhe bashkëpunëtorë të policisë sekrete dhe shpesh herë nuk e dije të dalloje se djajtë ishin te njëra palë dhe ëngjëjt te tjetra. Pra ndëshkimin mund ta merrje nga komunistët dhe në pamundësi nga ata, të suleshin bashkëpunëtorët. Mendoni vetë pa ngut, një gazetar punon në një organ të besueshëm qendror shtypi, ndërkohë që vëllain e ka të burgosur. Kuptohet se regjimi nuk kishte pikë mëshirë për ata që i çonte brenda qelive, por që të të merrnin në redaksi të donin për disa shërbime të veçanta.
Pikërisht në këto ditë shkoja më shpesh në banesën e tij të dytë në kryeqytet te librari ‘Flora’. Ishte 1 korrik 1990. Telefononin nga Komiteti i Partisë së Tiranës, ishte Sekretari i Parë Xhelil Gjoni, njëherësh edhe Sekretar i KQ të PPSH. Kërkonin që të merrte pjesë në mitingun e nesërm. Nuk e dëgjova bisedën. “Duan që të flas nesër në miting”, tha Kadare. “E çfarë u the”, e pyeta. (Unë e kisha dëgjuar ndërkohë përgjigjen e tij në telefon). “Nuk ndihem mirë, kam një grip dhe një ngjirje, gjeni ndonjë tjetër, u thashë. Dhe vijoi: “Qenkan çmendur fare, në vend që të reflektojnë për këtë gjëmë, ata bëjnë miting. Turp i madh. U ka hyrë frika në palcë”.
Mitingu u bë të nesërmen dhe në vend të Kadaresë, përshëndeti kryeredaktori i ri i revistës ‘Nëntori’, pas shkakrimit të kryeredaktorit Dalan Shapllo për lejimin e botimit njera pas tjetrës të tri “novelave të gabuara” të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit dhe Koço Kostës.
Post Scriptum: Do të ishte e udhës që të bashkëngjisja edhe shkrimin e Alfons Grishaj, por duke e parë që është një masakrim i shqipes do ju rekomandoja ta gjenit në ndonjë portal që e ka publikuar në këtë formë, një grumbull shpifjesh që shkojnë gojë më gojë, që rimerren sidomos në muajin e shpalljes së Nobelit në Letërsi dhe ikin me largimin e përhapësve konseguentë dhe të palëkundur.