Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Përkujtojmë Heroinën Zonja Çurre

 

Zonja Çurre, simbol i një lufte

Në këtë përkujtimore, në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut, kemi ardhur këtu në Qafë-Shkallë, Klos, për të nderuar kujtimin e Heroinës së Popullit Zonja Çurre. Ne vëllezërit dhe motrat e saj, erdhën nga Tragjasi, Vlora e Labëria, dhe gjetën këtu në Mat e Klos, trimërinë, bujarinë, dashurinë dhe mikëpritjen, në vendin, ku 80 vite më parë ra Zonja Çurre, e cila tashmë është bërë dhe bijë e kësaj treve të mrekullueshme me tradita atdhetare dhe luftarake të njohur në histori, por dhe njerëz të arsimuar dhe punëtorë të shquar. Në këtë vend bujar, Zonja ka ngelur në përjetësi, si simboli i një lufte heroike, si luftëtare dhe partizane e luftës më të madhe të shqiptarëve në histori, si një legjendë që përcjell mesazhe fisnikërie dhe patriotizmi.

Falënderojmë për organizimin e kësaj cermorie Bashkinë e Klosit, këshillin bashkiak dhe kryetaren e bashkisë Valbona Kola, për vlerësimin e kësaj përkujtimorje. Fjalë ngrohëse dhe mirënjohëse shkojnë dhe për familjen e Heroinës, të përfaqësuar nga Mane Çurraj, por dhe të gjithë pjesëmarërsit që na nderojnë në këtë përkujtimore.

Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, kryetari dr. Gjergji Velo, e vlerësojnë këtë përkujtimore, ashtu si të gjitha përkujtimoret e bëra deri tani në çdo cep të Atdheut, për të nderuar dhe lartësuar figurën e heroit dhe dëshmorit, që ranë 80 vite më parë në të gjithë Shqipërinë. Përkujtimi i veprës së tyre është detyrim për ne, vlerësim për gjakun që ata dhanë për lirinë e Shqipërisë, por dhe heroike vepra e tyre, e cila na frymëzon që përmes vështirësive dhe besimit për një jetë më të mirë, të ecim përpara.

Në Tragjasin e trimërisë dhe të lavdisë

Targjasi i Vlorës ku lindi Zonja Çurre është i dëgjuar për tradita të hershme luftarake, por mbi të gjitha si një vend i arsimuar dhe me kulturë të gjerë. Një fakt nga ky fshat në fillim të shek. XX kishin mësuar dhe përfunduar studimet në vendet perëndimore mbi 60 të rinj. Nga ky fshat kishte mjaft të emigruar kryesisht në SHBA, të cilët sollën një kulturë jetese dhe përparim. Gratë dhe vajzat ishin të arsimuara, luftëtare dhe qëndronin përkrah burrave dhe vëllezërve të tyre, si në qëndresën e qeverisë së Vlorës 1912, në luftërat e viteve 1913-1914, në Luftën e Vlorës të vitit 1920, vit në të cilin lindi dhe u formua luftëtarja e lirisë. Jeta e vështirë dhe me vuajtje, babai Arifi, ndërroi jetë herët, u detyruan familjarisht me nënë, vëllezërit dhe motrën të punonin për të mbajtur frymën gjallë. Vështirësitë e rritën dhe e kalitën përpara kohe.

Këshilli i grave antifashiste të fshatit në vitet e LANÇ-it bëri një punë të madhe për furnizimin e çetave me materiale për partizanët, por dhe për të shtuar radhët e tyre me vajza e gra luftëtare. Në përgjigje të thirrjeve të bëra për pjesëmarrje në luftë nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, mbi 40 vajza e gra dolën luftëtare dhe u rreshtuan në repartet dhe njësitë partizane nga fshati Tragjas, ku 10 prej tyre ranë dëshmorë, midis tyre dhe motra e Zonjës, Hyrie Çurre që ra dëshmore në Sanxhak të Jugosllavisë më 19 dhjetor 1944, si dhe 6 gra e vajza u plagosën në luftë, e mbetën invalide. Në Luftën e Drashovicës në shtator 1943 gratë e Tragjasit ishin të mobilizuara plotësisht, duke qëndruar çdo ditë pranë partizanëve në front dhe i ndihmuan me çdo mjet si furnizim me bukë, ushqime e municione dhe trasportim të të plagosurve për në spitalet partizane. Gjatë operacionit të Dimrit, midis viteve 1943-1944, gratë e Tragjasit shpinin thasë me bukë në mal, ku ishin grumbulluar rreth 170 partizanë, midis të cilëve kishte edhe të plagosur. Zonja u zgjodh përgjegjëse e rinisë në Tragjas dhe në fillim të vitit 1943, la mënjanë punët e shtëpisë dhe ju kushtua gjithë kohën çështjes së luftës për çlirim. Zonja Çurre mori pjesë në mjaft aksione të rëndësishme në zonën e Vlorës. Ajo u dallua për inisiativë e trimëri, sidomos në Luftën e Drashovicës në shtatorin e vitit 1943, ku me shembullin e saj u gjend në ballë të sulmit për marrjen e garnizonit të Drashovicës.

Operacioni armik i Dimrit i vitit 1944 ishte në kulmin e tij. Skuadërkomandatja e kompanisë së katërt të batalionit të katërt, Zonjë Çurre bashkë me 14 partizanë, gjatë ofensivës së dimrit luftoi me heroizëm, si me natyrën, ashtu edhe me repartet e zbulimit gjerman në Qafën e Shëngjergjit. Këto vështirësi nuk e penguan të kryente detyrën që i ishte ngarkuar për vendosjen e lidhjeve të batalionit me një pjesë të forcave të tij, të cilat në këtë kohe ishin futur në prapavijat e armikut dhe vepronin në malet e Tragjasit dhe të Radhimës. Në këtë dimër të ashpër ngrinë nga të ftohtit e madh partizanët, bij të Tragjasit: Kujtim Hoxha, Lilo Asllani e Azbi Mete. Tre partizanë të rinj, shokë të saj, të dobësuar nga vuajtjet, me këmbët e enjtura nga dëbora ishin gati të mbeteshin në dëborë. Ajo i mori në krahë, megjithëse edhe vetë ishte e lodhur dhe këmbët i kullonin gjak. U zvarris me shokët e saj në krahë, bëri gjithçka ishte e mundur për t’i shpëtuar dhe gjysmë e vdekur arriti në Tragjas. “Shkoni, shpëtoni shokët”!, ishin fjalët e saj dhe ra pa ndjenja. Komanda e batalionit e porositi Zonjën të qëndronte disa ditë në spital, gjersa t’i shëroheshin mirë këmbët dhe të merrte veten, por ajo nuk pranoi. Fjalët e luftëtares kur i kërkohej të shtrohej në spitalin partizan: “Unë kam ardhur të qëndroj me shokët e mi të luftës, të luftoj bashkë me ta, të marr pjesë në çdo aksion dhe të hakmerrem mbi armikun dhe tradhëtarët.

“… ishte me të vërtetë një trimëreshë…”

Zonja Çurre mori pjesë në shumë aksione nga më të rëndësishmet që bëri BrVS. Kudo ajo tregoi virtytet të larta të partizanes, guxim, vendosmëri të papërkulur shtabi i brigatës e ngarkoi me detyrën si komandantes së skuadrës. Kur Divizioni I Sulmues kaloi lumin Shkumbim për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, Zonja u bë shembull vendosmërie e vetmohimi për luftëtarët. Kudo që u paraqit rasti, në përpjekje të vogla e të mëdha, ajo ishte në krye të detyrës. Si luftëtare e Brigadës V Sulmuese, ajo diti të përballojë me heroizëm të shkëlqyer të gjitha vështirësitë e jetës partizane: lodhjen dhe pagjumësinë, etjen, urinë, të ftohtit e madh, vapën e padurueshme, ashpërsinë e betejave. U ngarkua me detyrën e zëvendëskomandantes së kompanisë. Shtabi i brigadës kishte besim të madh tek Zonja. Ajo hidhej e para në sulm dhe qëndronte e fundit në tërheqje, gjithmonë duke shtrënguar fort me të dy duart mitralozin e saj. Nuk ishte vetëm një trimëreshë, por edhe një agjitatore e flaktë për çështjen e popullit.

Në librin “Fragmente nga epopeja e lavdishme”, komandanti i Br. V S, Heroi Shefqet Peçi do të shkruante: “Edhe gjatë ditës 22 korrik 1944 forcat e batalionit të kësaj brigade vazhduan luftimet, duke i shkaktuar kundërshtarit humbje të rënda. Në këtë luftë ra heroikisht Zonja Çurre, e cila ishte nënkomandante kompanie. Ajo ishte me të vërtetë një trimëreshë, gjithmonë në ballë të kompanisë dhe nuk i trembej syri kurrë. Zonja Çurre ndodhet kudo në ballë të aksioneve dhe kudo lufton me trimëri, duke u bërë kështu një luftëtare e shquar për çështjen e çlirimit të popullit tonë. Ajo mendonte vetëm për luftë, ishte serioze, por e dashur me shokët. E gjithë kompania e kishte në zemër, e respektonte dhe zbatonte me përpikëri urdhrat e saj. Megjithëse nënkomandante kompanie, Zonja nuk e lëshonte kurrë mitralozin nga dora, ishte vetëm trimëreshë, agjitatore e flaktë për çështjen e popullit. Komandanti luftëtares do t’i kushtonte një poezi ku theksonte: Nga ti morën shembull të rinj e të reja/ trimëresha vend, flakë si rrufeja./ Në ballë të luftës ti luftoje shpesh,/ Nuk të trembej syri nga plumbat rrebesh”. Në këtë ditë kujtojmë dhe rënien heroike të borizanit trim të këtij batalioni, italianin antifashist Pietro Paskuale, si dhe mitralierin sypatrembur Arshi Resul Hysenaj nga Koculi i Vlorës.

Për guxim të rrallë dhe heroizëm e treguar gjatë LANÇ-it, Zonja Çurre është shpallur Dëshmore e Atdheut dhe vlerësuar me titullin Heroinë e Popullit. Për luftëtaren shkolla dhe rrugë të atdheut mbajnë emrin e saj. Për të janë shkruar dhe shkruhet në shtyp, janë shkruar libra, janë thurr këngë dhe poema, janë bërë portrete, tabllo dhe buste. Zonja Çurre është bërë simboli i luftëtares, i një vajze të guximshme, e cila në kushte mjaft të vështira të terrenit dhe të motit, por edhe të luftës dijti të mbijetonte dhe të bëhej burim frymëzimi dhe ideali për mjaft gra dhe vajza të Shqipërisë. Lavdi në shekuj heroinës Zonja Çurre!

Detyra jonë të mbrojmë luftën antifashiste

Sot në gjithë vendin është bërë një gjurulldi me interpretime e versione historike nga më të çuditshmet që dëgjojmë. Është krijuar një tablo e përgjithshme historike, ku përkufizimi i vlerave që përfaqësonte Antifashizmi, ku heronjë e dëshmorët, simbolet e tyre, nuk ju jepet më ai shkëlqim dhe vlerë për të cilën ata dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. E pranojnë të gjithë apo shumica se antifashizmi është vlerë, madje dhe nga politikanë dhe historianë, të cilët janë përqëndruar qartazi kundër së vërtetës historike. Por, për ta ndryshon puna kur vjen fjala te antifashizmi shqiptar. Sipas logjikës së tyre, lufta e shqiptarëve ndaj nazifashizmi dhe bashkëpunëtorëve të tyre ishte e keqe.

Organizatën e dëshmorëve dhe veteranët i akuzojnë si nostalgjikë ndaj së kaluarës, siç dëgjojmë me shumicë të flitet. Mirëpo LANÇ-i mundësoi që, shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre luftuan të bashkuar në përmasa të mëdha ndaj pushtuesit dhe për më tepër në aleancë me fuqitë demokratike perëndimore. Si kurrë më parë shqiptarët arritën të krijojnë një ushtri prej mëse 70.000 luftëtarë e luftëtare, të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku dhanë jetën për liri 28 mijë dëshmorë.

Me njerëz të lajthitur dhe me pena të çoroditura në Shqipëri, vihet në dyshim natyra dhe karakteri i Luftës Antifashiste. Është e turpshme të dëgjosh, madje dhe nga akademikë e profesorë që nazizmi dhe politikat e ndjekura prej tij, kanë qenë të gabuara, lufta ndaj nazifashizmit nuk ka asnjë vlerë dhe të mohohet gjaku i mijëra të rinjve dhe të rejave idealistë, që ranë për atdheun në moshë të re. Janë këto mendime e shumë teza të tjera, që kulmojnë me shndërrimin e Luftës Antifashiste në një luftë civile, kanë përshtjelluar mendjet e shqiptarëve pas vitit 1990.

Detyra jonë kryesore është të mbrojmë. por dhe të qartësojmë këtë luftë dhe natyrën e saj, të dëshmojmë me fakte dhe dokumente, me kujtesë dhe dëshmorë, siç po bëjmë sot këtu, në këtë vend të shenjtë ku ka rënë një nga bijat e popullit shqiptarë, një heroinë e luftës dhe të mos lodhemi kurrë… Heroina Zonja Çurre dhe të gjithë dëshmorët e Atdheut janë nderi dhe lavdia, janë luftëtarët e lirisë dhe veteranët, janë të gjitha familjet fisnike dhe të ndershme që bijtë dhe bijat e tyre dhanë jetën për liri. Ndaj të gjithë anëtarët e Organizatës së Dëshmorëve, janë krenarë, i nderojnë, respektojnë dhe i kujtojnë që emri i tyre të lartësohet në histori.

Please follow and like us: