Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bruna Gjoni Përvathi

Ti je diçka përtej meje

 

Ti je diçka përtej meje

Diçka përtej dritës

që vjen e ma thyen

errësirën

(Hapurazi i mbaj krahët)

Si flamingot që sivjet

zbritën në Lagunën

e Vainit…

e në majë gishtash

improvizuan pirueta

malli,

 

Ti je përtej muzës

Diçka përtej fantazisë

që më mban zgjuar

(Mbi shpinë ngarkoj

vetminë)

Si karvanë ciganësh

që enden brigjeve

të Drinit e me thupra

shprese, thurrin ditët.

 

Ti je diçka përtej lëkurës…

Përtej fjalës

Përtej prekjes…

Përtej lutjeve

…..

…..

…….

……

Je frymë.

 

Bie shi në Bruksel

 

Laget qyteti (edhe pse

mua më duket se ky

qytet nuk thahet kurrë)

Vizatoj me gisht në

xhama metrosh fytyra

të akullta, buzë

të ngrira… sy të plogësht

që nuk shoqërojnë

askënd.

Vetëm fytyrën time,

buzët e mia, sytë e mi

nuk i vizatoj dot..

Ato më tjetërsohen në

stacione ku ndjekin

udhëtarët e panjohur

…për të gjetur ty…

 

Këtu qielli ndahet në

dy kohë

Trupi im ndahet në

mijera copëza

magnetike që

përthithin stinën

e luleve…

stinën e zambakëve

të bardhë që këtu

paskan çelur  pa ikur

dimri…

E unë në vagona

tramvaj mësoj nga një

fjalë të re (të vendasve)

Në këtë qytet të madh

…me ndërtesa të larta

ku gishtërinjtë e mi

nuk mbrijnë për të

vizatuar fytyra të

akullta… buzë të ngrira…

sy të plogësht që nuk

shoqërojnë askënd…

 

Bie shi në Bruksel…

shumë shi…

Xhaketa ime mban

ende zemërimin e ikjes,

dëshirën e kthimit…

(Jaka e kadiftë më

mban ngrohtë)

Të dy xhepat i kam

mbushur me duar

Edhe duart e tua i kam

futur aty, në atë

ngushticë të vogël ku

shiu nuk lag…

Dhe ndjej sesi

gishtërinjtë tanë

formojnë zemra

të thyera

Nga largësitë

 

Bie shi këtu… shumë

shi

Vetëm ylberët

ngjasojnë me lulet

…kur del dielli.

 

Dashuria nuk është premtim

 

Nuk dua të më

premtosh asgjë…!

Dashuria nuk është

premtim..

Më kujtohet sesi sytë

tanë i thyen kufinjtë…

Shkelën hartën ku

kufizoheshin lotët,

Brengat…

Sinfonia e zbrazët e

krahëve që ikën…

Hapa…

Gjysmë hapa…

Gishtërinj…

Thëllim…

Frymë…

Oshëtim muzgjesh…

Përdëllim agesh…

Vetëm një pikëz drite

varej në gjymtyrët e

thyer të Majit.

 

Edhe unë nuk të

premtoj asgjë!…

Dashuria nuk është

premtim…

Të kujtohet sesi zemrat

tona fluturuan qiellit?

Një ëndërr e madhe sa

vetë ëndrra na lidhi

me lastarë lulesh…

Ne e dimë… tani nuk

jemi më njerëz…

Jemi yje që u bëmë dritë…

 

Dashuria nuk është

premtim…

Ajo është rrënjë e fortë

që nuk thahet!

 

Pa vak’

 

Të tan’ s’kan vak…

As hana…

As dielli…

As nadja…

As mramja…

Tê tan i majn mathun

këpucêt…

Për dreq… s’ka vak

kërkush…

A thue jan t’mërdhitun

prej kohës…?

 

Edhe njata qi don me i

pas t’lidhun pas vedit,

nuk kan vak…

Ditët i kan t’zanme…

Mramjet ala ma

shumë…

E kur nis e bahesh gadi

me ik dhe ti…

T’vijn njat…

T’futen n’tesha

pahiri…

E t’gugasin n’vesh rrena t’vjetra…

 

E thon edhe librat e

shejtë

Se kena ardh për

pak…

E jetën e lumnueme

kena me e gzue

n’qiell..

N’tokë jena shtegtar

t’egër q’e ham njani

tjetrin, pa e ni.

 

M’sheftas teje kam vizatue nji qiell t’mbushun me lulkuqe…

 

Dy gota me ven…

Zogj t’ligsh dimnit…

Kepa t’mbuluem me

akuj pritjesh

Ty…

Ty t’kam ba diell…

 

Q’prej ditës kur

m’puthe..

Shtegtoj…

M’shelem n’dry…

Lutem tinëz kur n’qytet

bie kumona

E kur nata l’shon hijen

e frikshme, i gzohem

edhe yllit ma t’vogël

t’qiellit prej letre.

 

Ty t’kam ba diell…

Me m’ra rrezja jote e

me m’zan përfun

Me mi djeg t’tana

teshat e trupit

Vetëm qiellin e kam

veshun me rroba t’kuqe

n’shenj dashnie

Me m’dasht…

 

 

 

Na

 

Ti je i qepun n’mue me

pej t’lyem n’ngjyrë të

gjakut.

M’i ke arnue plagët e

marrë dimnave.

E unë nuk t’la

me m’ikë…

T’kam rrethue me zjarr

zemre.

Me degë t’kumbullës

së lulëzueme t’baj

dritë…

 

Unë jam e qepun n’ty

me pe t’hollë

mëndafshi,

me ta mbajtë t’butë

lëkurën tande prej

burri.

E ti nuk m’len me ikë.

M’ke rrethue në bebe

t’synit.

Me ma ba edhe ma

t’bukur dashninë.

 

Na jemi qepë n’trup

t’njeni-tjetrit me pej

t’padukshëm.

E gjylpanën e kemi

hupë…

 

 

T’lazdruem prej dashnie

 

Ti m’puth…

M’don…

M’rren…

M’travlon orêt…

E prap m’vjen me buz

n’gaz si Drini

n’vjesht, kur fillojnë e

bijn ujnat prej mali…

 

Ti mi ban orët muj, kur

t’pres

E muajt mi ban or’ kur

t’bjen idhnimi

Lazrohesh me nje got

venë t’kuqe

Dehesh me pikën

e parë… si toka prej shiut,

kur bjen n’verë

 

Ti m’puth…

M’don…

M’rren…

Kajherë ma plas

grimën e shpirtit tu

m’helmue me fjal…

e kur t’bjen mërzia…

Vjen e m’ha si kokrra

shege.

Please follow and like us: