Publikohet në frëngjisht libri “Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri”
Pas botimit në shqip, para pak ditësh doli nga shtypi dhe versioni në frëngjisht i librit historik “Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri. Gjenevë-Tiranë. Në gjurmët e Kryqit të Kuq shqiptar në Gjenevë”, i publicistit dhe studjuesit Kudret Isaj.
Një vit pas botimit të librit shqip në Tiranë në vitin 2023, shtëpia botuese “Les Livres Rama” në ditët e mesit të korrikut të vitit 2024 vuri në duart e lexuesve dhe kulturëdashësve zviceranë, francezë dhe frankofonë librin e studjuesit Kudret Isaj me titull: “Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri. Gjenevë-Tiranë. Në gjurmët e Kryqit të Kuq shqiptar në Gjenevë”. Botimi i këtij libri në gjuhën e Molierit është një përpjekje për të kthyer një pjesë të borxhit moral që shqiptarët i kanë Zvicrës, Gjenevës dhe qytetarëve zviceranë në të gjithë territorin helvetik.
Ky botim është gjithashtu një shprehje mirënjohjeje e autorit dhe e studjuesit Kudret Isaj ndaj institucioneve kulturore dhe shkencore helvetike si dhe ndaj miqve zviceranë, të cilët e kanë ndihmuar dhe kanë bashkëpunuar pandërprerë me të për 15 vjet me radhë duke e mbështetur moralisht dhe intelektualisht dhe duke i besuar ëndrrës së tij të kahershme për të arritur tek kjo ditë e bukur që Eugène dhe Hélène Pittard të flasin shqip dhe frengjisht. Nëpërmjet faqeve të këtij libri, në të cilin historia e marrëdhënieve të hershme ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës mëton të ketë herë-herë qasjen e një proze poetike, herë-herë qasjen e narracionit të një romani, mbështetur fuqimisht në rigorozitetin e burimeve autentike arkivore, lexuesit frankofonë shqiptarë dhe lexuesit zviceranë, francezë dhe belgë do të kenë mundësinë të shfletojnë faqe të pazbuluara më parë për t’u njohur kësisoj me rrënjet e miqësisë së vjetër midis kombit shqiptar dhe Konfederatës Zvicerane.
Botimi i këtij libri voluminoz prej 1000 faqesh kushtuar Eugène dhe Helene Pittard (Noëlle Roger) dhe lidhjeve të ngushta vëllazërore midis dy vendeve përbën gjithashtu një befasi të bukur dhe një dhuratë të çmuar që iu bëhet qytetarëve të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës dhe përgjithësisht të gjithë qytetarëve zviceranë. Ky libër u botua frëngjisht në sajë të mbështetjes financiare të familjes Pittard në Gjenevë si dhe të Ambasadës zvicerane në Tiranë. Një meritë të veçantë i duhet njohur përkthyeses së njohur dhe të talentuar Rina Çela Grasset, e cila e ka përkthyer dorëshkrimin e autorit Kudret Isaj frëngjisht që në vitin 2020. Falenderimet më të ngrohta u takojnë gjithashtu të gjithë tipografëve të shtypshkronjës Emal në Tiranë dhe drejtorit të saj zotit Astrit Muça.
Duke iu referuar librit, botuesi Luan Rama shprehet: Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe në Zvicër në fillim të viteve 20 të shekullit XX, Prof. Eugène Pittard dha një kontribut të rëndësishëm në vendosjen e themeleve të shtetit të ri dhe të brishtë shqiptar duke mbrojtur me konseguencë tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe duke paraqitur në kancelaritë e Gjenevës dhe të Parisit argumente të pakundërshtueshme historike dhe politike që Gjirokastra dhe Korça të mbeteshin brenda kufijve të shtetit shqiptar. Pritja e përzemërt që i bëri populli i Gjirokastrës në shenjë falenderimi në vitin 1921, Prof. Eugène Pittard dhe bashkëshortes së tij Helene, ka mbetur e fiksuar në kujtesën dhe në zemrën e tyre, si dhe në celuloidin e fotografive. Qëndrimin konseguent të Prof. Eugène Pittard ndaj çështjes shqiptare e dëshmon edhe një fakt tjetër kuptimplotë, të cilin po e zbulojmë më poshtë. Prof. Eugène Pittard, i zgjedhur President i Komitetit Zvicër-Shqipëri, i cili e kishte selinë e tij në Gjenevë, ndërmori në vitet 1945-1946 një fushatë grumbullimi ndihmash dhe ilaçesh kundër malarjes për fëmijët e sëmurë shqiptarë, gjë që e realizoi me ndihmën e përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Shqipëri. Prof. Eugène Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helene Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger në harkun kohor gusht-tetor 1921 kreu një vizitë në Shqipëri. Duke patur kontakte të ngushta me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë dhe duke patur përkrahjen dhe mbështetjen e një grupi intelektualësh patriotë tiranas, duke patur mbështetjen e disa përfaqësuesve të bashkisë dhe të prefekturës si dhe të krerëve të të tre komuniteteve fetare, Prof. Eugène Pittard iu bëri thirrje pjesëmarrësve të një tubimi të mbledhur në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë se kishte ardhur ora të formohej Kryqi i Kuq Shqiptar, i cili u pagëzua dhe u miratua me shumicë votash në 4 tetor të vitit 1921 në një vend me 70 % të popullsisë myslimane. Ata burra që në 4 tetor 1921 formuan në Tiranë Kryqin e Kuq Shqiptar ishin mëmëdhetarë të vërtetë, sepse patën largpamësinë dhe qartësinë të mos e ngatërrojnë Kryqin me fenë, duke menduar dhe besuar që atë ditë Shqipëria kishte hedhur një hap të sigurtë drejt Europës së vjetër. Në fillim të vitit 1924, në Shqipërinë e veriut kishte pllakosur zia e bukës dhe jeta e qindra malësorëve dhe fëmijëve të tyre ishte vënë në rrezik dhe ndodhej në kufijtë e mbijetesës biologjike.
Në fillim të muajit mars, Lidhja e Kombeve në Gjenevë e ngarkoi Prof. Eugène Pittard me misionin e të deleguarit të saj për të mbledhur e administruar fondet dhe për të furnizuar me misër popullsinë e skamur të Veriut të Shqipërisë. Prof. Eugène Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij e palodhur Helene Pittard (Noëlle Roger) në ditët e para të prillit të vitit 1924 u nis në Shkodër “në frontin e tij të luftës” dhe u takua me përfaqësuesit e autoriteteve lokale, të cilët i vunë në dispozicion listën e mijëra familjeve që kërkonin ndihmë nga malësia e Shkodrës, e Lezhës, e Mirditës, e Kukësit dhe e Pukës. Megjithëse Eugène dhe Helene Pittard mund t’ua shpërndanin misrin banorëve të vobektë para Hotel “Europa” në Shkodër, ata u ngjitën pa asnjë mëdyshje me dëshirën e tyre në disa fshatra të largëta në malet me dëborë për t’i takuar dhe përshëndoshur malësorët në shtëpitë e tyre të varfra dhe për të parë me sy, nëse nënat dhe gratë shkodrane kishin miell në magje për fëmijët e tyre. Prof. Eugène Pittard luajti rolin e koordinatorit të veprimeve dhe të marrëveshjeve të nënshkruara midis qeverisë shqiptare, autoriteteve lokale dhe konsujve të konsullatave të huaja të akredituara në qytetin e Shkodrës. Do të mbeten të paharruara skenat apokaliptike kur Prof. Eugène Pittard priste në portin e vogël të Shëngjinit ditën dhe natën, në dëborë, në ngricë dhe në shi anijet e ngarkuara me misër të dërguara nga Lidhja e Kombeve në Gjenevë që prisnin urdhërin e tij të shkarkoheshin në breg. Kjo është njëra anë e çështjes.
Ana tjetër dramatike ka të bëjë me gjendjen e vështirë shpirtërore të Eugène Pittard dhe përpjekjet e tij për të ruajtur të paprekur dhe për të mbrojtur kontigjentet me misër të dërguara nga Lidhja e Kombeve nga sulmet e kontrabandistëve të rrugës. Kurorëzimi me sukses i operacionit gjashtëmujor të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, i cili zuri fill në muajin mars dhe përfundoi në fund të muajit gusht 1924, dokumentohet me një telegram, nëpërmjet të cilit, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Sulejman Delvina, në emër të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar i shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.
Duke shkruar për kontributin shkencor të Prof. Eugène Pittard për shqiptarët nuk mund të mos ndalemi tek shqiptarët e Dobruzhës në Rumani, të cilët ai i njohu dhe i takoi për herë të parë në vitin 1899. Në vitin 1902, ai do të botonte një artikull shkencor për karakteristikat e tyre antropologjike në një revistë të Universitetit të Bukureshtit. Në vazhdën e viteve krahas artikujve shkencorë që Prof. Eugène Pittard botonte për antropologjinë e Shqipërisë në revista zvicerane dhe franceze, një rëndësi të veçantë kanë studimet e thelluara të tij në këtë fushë të botuara në veprat e tij voluminoze shkencore “Popujt e Ballkanit” botuar në vitin 1920 dhe në veprën tjetër “Racat dhe Historia” botuar në Paris në vitin 1924. Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1921, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helene Pittard (Noëlle Roger) Prof. Eugène Pittard bëri disa gërmime në një shpellë afër fshatit Tren të Korçës dhe zbuloi për herë të parë në Shqipëri periudhën neolitike. Këtë zbulim të rëndësishëm për Shqipërinë, ai ia bëri të njohur qarqeve akademike zvicerane duke botuar një artikull të pajisur me fotografi në një revistë shkencore të Universitetit të Gjenevës.
© Shtëpia botuese “Les Livres Rama”