Astrit Lulushi: Dy herë më të lashtë
Kush ishte populli i parë që kolonizoi Amerikën? Deri pak vite më parë, besohej se kultura e parë amerikane ishte ajo e Clovis, paraardhësve të vendasve të Amerikës së Veriut. Për më tepër, njerëzit mendohej se kishin mbërritur në atë kontinent jo më herët se rreth 14,000 vjet më parë. Prandaj, në këtë “rindërtim” të historisë, qytetërimet e para do të kishin qenë ato të Amerikës së Veriut, ndërsa Aztekët, Majat dhe Inkasit do të kishin ardhur shumë më vonë.
Zbulimet e fundit, duke përfshirë analizën e ADN-së, kanë nxjerrë në pah se si arkeologjia ishte edhe një herë e gabuar. Qytetërimet e para të Amerikës ishin popujt e Amerikës Qendrore dhe Jugore, të paktën 15,000 – 20,000 vjet më herët se sa besohej më parë. Dhe këto popullsi erdhën nga deti, nga Siberia dhe Sundaland (kontinenti që u zhduk për shkak të shkrirjes, që korrespondon me Indonezinë e sotme dhe ishujt përreth).
Në fakt, rreth vitit 2020 disa studiues publikuan rezultatet e zbulimit të mbetjeve njerëzore në shpellën Chiquihuite, në Meksikë. Gërmimet filluan në vitin 2012. Gërmime më të gjera u kryen në 2016 dhe 2017. Puna u botua në revistën Nature. Ajo që u gjet në shpellë revolucionarizoi plotësisht mendimin e arkeologëve. Studimi, i paraqitur nga Ciprian Ardelean, një arkeolog në Universitetin Autonom të Zacatecas (Meksikë) dhe kolegët e tij, sugjeron se njerëzit kanë jetuar në Meksikën qendrore të paktën 26,500 vjet më parë. Profesori thotë: “Duhen shekuj ose mijëvjeçarë që njerëzit të kalojnë Beringinë dhe të mbërrijnë në mes të Meksikës”. Më vonë, ai shton: “Duhen shumë vite prani të mëparshme për t’i çuar atje, qofshin ato nga deti ose nga toka”. Kjo do të thotë se njerëzit kanë qenë në Amerikën Qendrore më shume se 30,000 vjet më parë.
Por kjo nuk është e gjitha. Një tjetër qendër kërkimore ka zbuluar se popullatat vendase të Amerikës Qendrore dhe Jugore nuk kanë vetëm një paraardhës, por kanë dy. Si të thuash, ata kanë një “popull nënë”, i cili identifikohet si “popullsia Y” dhe që janë banorët origjinalë të Sundaland nga e kaluara e largët, rreth kohës së shkrirjes. Por ata kanë edhe një “popull baba”, që janë Inupiat, të ardhur nga Siberia.
Këto zbulime revolucionarizojnë rrënjësisht të gjitha besimet arkeologjike për të kaluarën e Amerikës. Kush i kishte rrënojat më të vjetra të gjetura në ato toka atëherë?
Cili qytetërim i së kaluarës ishte në gjendje të krijonte gjeopolimere në majën e Andeve?
Kush i krijoi vizatimet gjigante të Nazca-s dhe mbi të gjitha për çfarë qëllimi?
Dhe mbi të gjitha: nëse 30,000 vjet më parë njerëzit mund të udhëtonin nga Australia në Amerikën Qendrore, çfarë i pengoi ata të shkonin nga Amerika Qendrore në Egjipt, siç duket se tregojnë tani dëshmi të ndryshme?