Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Nata e fundit në vetmi

 

Dale ku po shkon?

Zëri kumboi si nga fundi i një honi të thellë. Nuk dukej asgjë. Errësira kishte mbuluar gjithçka. Vetëm zëri i një bulkthi dëgjohej atje përtej. Nata përcillte dihatjen e burrit që kaptonte rrugicën me hapa të lodhur. Zvarriti këmbët… çapat e fundit që i kishin mbetur, e ndihmuan të mbërrinte deri te pragu i shtëpisë. E ftohtë ishte ajo natë, si mendimet e njeriut që sapo kishte shqiptuar ato fjalë në zemër të natës……

U ul në divan. Ndezi televizorin dhe me telekomandë në dorë nisi të kërkojë kanale jo për t’u argëtuar, as për të shpërndarë mendimet që e kishin zënë në çarkun therës që e shtrëngonte.

Mezi po mbushej me frymë. Ndjeu shtrëngim në gjoks. U ngrit ngadalë dhe u afrua te lavamani. Me dorën që i dridhej hapi rubinetin. Sytë e lëngëzuar shihnin ujin që filloi të rridhte ngadalë. Dy pika lot u bashkuan me rrjedhën e ujit… E la ujin të rridhte, por ndjente edhe lotët t’i rridhnin ngadalë, e për çudi, bashkimi i pikave të lotit me rrjedhën e ujit, i ngjante me rrjedhën e lumit që kërkonte të bashkohej me detin, me oqeanin, liri e pamatë… hapësirë e pamatë….

Shtrëngimi në gjoks e përmendi. Mbylli rubinetin e ujit, por nuk mund të mbyllte dot rubinetin e lotëve që vazhdonin t’rridhnin lehtë duke kaptuar mjekrën, e pikë-pikë preknin gjoksin që i shtrëngonte.

Me hap të lehtë u drejtua për tek divani. U ul ndenjur dhe u mbështet ngadalë. Mbylli sytë, por gjumi ishte arratisur tinëz, e ai nuk kishte fuqi ta ndiqte. Iu dorëzua fuqisë së mendimeve. Edhe se donte t’i largonte, ato pa dëshirën e tij gumëzhinin duke ndjekur njëra-tjetrën, e koka e tij rëndohej e rëndohej…..

Hapi sytë. Mendimet u trembën dhe u fshehën. I mbylli përsëri, e ato përsëri dolën nga ku ishin fshehur dhe filluan avazin. I hapi sytë përsëri, e përsëri e njëjta lojë që e lodhi. Ju duk vetja si ai lojtari në fushë që ndjek topin për ta gjuajtur në rrjetë, por fuqia e tij për të ndjekur mendimet kishte shterrur, edhe dëshira i ishte venitur, ndaj me ngadalë ngriti këmbët, dhe u shtri sa gjatë e gjerë. Nga dritarja frynte një fllad i lehtë që e ndihmoi të kaplonte sytë e lodhur. Flladi u bë miku i asaj mbrëmjeje të gjatë prej së cilës donte të shpëtonte një orë e më parë, dhe ashtu pa kuptuar, gjumi e tërhoqi ëmbël në botën e tij magjiplotë….

E nesërmja do ta gjente të shtrirë dhe të lodhur. Nuk donte të ngrihej, nuk donte as të hapte sytë. Shtrëngimi në gjoks i kishte kaluar bashkë me natën, por tjetër shtrëngim ndjente ta therrte në brendësi të kokës. Oh, mendime të mbrapshta! – foli me vete, – Ende po vallzoni në kokën time?

U ngrit ndenjur. Nevoja për të rrufitur një filxhan kafe e mori për dore dhe e shpuri drejt aneksit të ngushtë. Sendet që përdorte nuk ishin të kohës, por as shumë të vjetra. Mori ngadalë xhezven, (masën e kafesë dhe të sheqerit i dinte përmendësh), hapi pakëz rubinetin e ujit dhe masa ishte gati. Ndezi sobën, e tek vuri mbi të xhezven u kujtua….. Jo, nuk është e mundur, foli me vete. U kthye vrik dhe u drejtua për tek tavolina në dhomën e pritjes. Si nuk e kishte vënë re më parë? I turbulluar nga mendimet që e ngacmuan papritmas, kontrolloi brenda faqeve të librit që gjendej mbi tavolinë. Prej tij rrëshqiti lehtë një copë letër. Si nuk e kuptova më parë? – mendoi i këputur. Me duart që i dridheshin e hapi, e tek hodhi vështrimin brenda saj njohu shkrimin… O Zot, – mendoi, si nuk më vajti mendja më parë? E përpiu atë çfarë ishte shkruar shkurt, me fraza të plota, me mendim të rrjedhshëm… Atë çast iu duk sikur po fliste me të, por letra që mbante në duar ishte e pashpirt, kërkonte ta vriste e ai nuk nxirrte dot zë, kërkonte ta godiste e ai nuk mbrohej dot, kërkonte… Atë çast ndjeu erën e kafesë që po derdhej mbi sobë duke përhapur aromë ndjellëse.

Nxitoi të fikte sobën dhe hodhi në filxhan atë çfarë kishte mbetur. Me letrën në dorë dhe me filxhanin me dy gisht kafe të mbetur u ul në divan. E rrufiti kafenë ngadalë, si të donte të mos i mbaronte shpejt. E rilexoi letrën përsëri, tek rrufiste atë pak kafe të ndarë në gllënka të vogla. Donte të kuptonte brenda gërmave, donte t’i ndante e jo t’i bashkonte, donte t’i shpërbënte që të mos ishin shkruar kurrë, donte… donte… dhe pa kuptuar, e bëri shuk… e shtrëngoi si të donte t’ua merrte frymën fjalive, pikave, presjeve… dhe ashtu, duke e shtrënguar fort mes gishtërinjve u ndje më i lodhur se ç’ishte një natë më parë. E hapi grushtin ngadalë dhe letra e zhubravitur rrëshqiti mbi qylym. E shkeli me këmbë. Këmba iu rëndua. O Zot, mendoi, kur do mbarojë ky makth? E ashtu, me lodhjen mbi supe, u ngrit duke u mbajtur tek divani. Çmpiu këmbët, dhe u drejtua për nga dera. Rrotulloi çelësin në bravë dhe uli dorezën. Porta u hap, dhe sakaq u gjend në trotuar. Filloi të ecte pa parë as majtas, as djathtas. E dinte ku do të shkonte, e dinte si do të sillej, dinte se çfarë kërkonte… por nuk dinte, do ta priste falja apo dënimi? Ecte me peshën e mendimeve, të cilat nuk e ndihmonin, përkundrazi, e kërrusnin edhe më shumë duke i vështirësuar ecjen.

Ndjeu lodhje. U ul në stolin e parë që gjeti bosh. U mbështet paksa dhe mbylli sytë… Me sy të mbyllur shihte një flutur me ngjyrë qielli… I hapi sytë përsëri. Flutura nuk dukej gjëkund. I mbylli sytë përsëri… Pa fluturën t’i sillej rrotull… Qeshi me vete… Eja… i foli, dhe zgjati dorën… Qëndro mbi dorën time… Flutura bëri një rrotullim dhe i qëndroi mbi dorën e djathtë.

“U bëre vonë…. Ajo po të pret”! Zëri e drodhi… Hapi sytë… Flutura ishte zhdukur dhe ai… ai qëndronte i ulur në stol… Ky zë… mendoi.. U ngrit ngadalë dhe filloi të ecte… Tashmë e dinte se për ku. Ndjente praninë e fluturës. Ngjyra e saj i ndriçonte rrugën, dhe e gjithë qenia e tij përtërihej. Ndihej i çlodhur, jo si më parë. Edhe mendimet fluturake nuk po e bezdisnin më, ishin urtësuar, e tashmë ndjente përkëdheljen e tyre… që e dëshironte aq shumë…

Sakaq u gjend afër shtëpisë të cilën e njihte aq mirë. Nata që kishte kaluar e bëri të kuptojë, se njeriu kalon afër gabimit, e sheh, e prek, luan me të, por nuk duhet të shoqërohet me të! Ndarja prej tij është mësimi më i mirë në jetë, se gabimi ta shton barrën e ngarkesës, e njeriu me shpirt të lodhur nuk ka fuqi të hapë portën e lirisë, atje ku përtërihesh e mbushesh me energji, e cila bën që dita të të buzëqeshë e nata të të çlodhë. I ripërtërirë ngjiti shkallët e pakta që i kishin mbetur, i bindur, se do ta çelte portën e lumturisë, i bindur se nata që shkoi, do të ishte nata e fundit që kaloi në vetmi!

24 korrik 2024.

Please follow and like us: