Albspirit

Media/News/Publishing

Martin Cukallla: Një libër i duhur!

Në këto kohë, kur dhe libri është thjesh pjesë e tregut, përzgjedhjen e bëj mbi njohuritë për autorin, mbi tematikën që më intereson apo mbi bazë të ndonjë rekomandimi. Të kishim një kritikë gjithpërfshirëse që të analizonte krejt tregun e librave ku të përfshinte krejt shtëpitë botuese që botojnë në gjuhën shqipe kudo qofshin ato, natyrisht që aty do orientohesha.
Kërkoja të mësoja në mënyrë shteruese jetën e Donika Kastriotit apo Skënderbekës siç dhe është thirrur pas martesës me Gjergj Kastriotin. Shumë pak gjëra të shkruara për atë grua të fisnikërisë shqiptare në romanet për epopenë skëderbeiane dhe ca më pak në librat e autoreve tanë a të huaj që kanë pasqyruar gjithkahësisht bëmat e Gjergjit në luftë e në dipllomaci. Mbizotëron një vështrim maskilist në pasqyrimet historike ku dhe gratë bëhen trimëresha në se hidhen nga shkëmbi a imitojnë burrat në luftra e jo se mbajnë gjallë Vatrën, derën e hapur të shtëpisë e vijimësinë e brezave, në kushtet tejet ekstreme të luftrave të egra këto!
Me këto trazira mendimesh, duke kërkuar në “Google”, hasa një emër: Lutfi Aliaj dhe shumë punime të tij që lidheshin me Skënderbekën, djalin e saj Gjonin dhe figura të tjera arbërore të asaj kohe. I dërgova mesazh dhe Lutfiu m’u përgjigj dhe më shpegoi se ka shkruar një libër.
Ky është libri i botuar nga “Streha”, e sigurova në çast dhe e lexova në çast. Lexohet me një frymë dhe është shumë i dobishëm për cilindo që kerkon të njohë elitën arbërore të shekullit skënderbeian.
Z.Aliaj ka shfrytëzuar krejt burimet e mundëshme historiko-letrare dhe studime gjithfarësoj për të ndërtuar skicat jetësore të dy prej njerëzve me të rëndësishëm të familjes mbretërore të Gjergj Kastriotit: Në pjesën e parë të librit Aliaj pasqyron jetën e Donikës, duke dhënë dhe prejardhjen e saj arianitase, kurse në pjesën e dytë jep Gjonin II në të gjithë jetën e vet deri në shuarje.
Ky libër, i shkruar me pasion dhe seriozitet, mbush një boshllëk të madh në letrat e shkruara shqipe. Autori, larg patriotizmit falls dhe megallomanisë dhe duke iu larguar një farë fryme inferoriteti ndaj qëndrimeve mikpritëse të mbretërive përtej adriatikase të mesjetës, nxjerr në pah vlerat reale me të cilat zuri vend aristokracia arbërore kudo ku u pranua: në Napoli a Milano; në Rome, në Venetik a në Vjenë. Donika Kastrioti u bë mikeshë dhe kshilltare e çmuar e mbretëreshave dhe oborrit aragonez. Ajo ishte në të njejtin nivel vlerësimi për përkushtimin dhe përhapjen gjithkund mundi të lavdisë së burrit të saj Gjergjit, të cilit i dha famë si Deidamia burrit të saj.
Please follow and like us: