Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. ass. dr. Bernard Zotaj: Dëshmorët shqiptarë në Luftën e Spanjës

 

Këto ditë në kujdesin e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, u publikua libri “Për ata që ngritën lart vlerat e Shqipërisë”. Libri pasqyron në mënyrë të përmbledhur të gjitha materialet e konferencës shkencore të organizuar në kuadrin e Luftës së Spanjës 1936-1939.

Në fjalën e hapjes të konferencës kryetari i Organizatës së Dëshmorëve Dr. Gjergj Velo theksoi se çdo njeri i ndershëm që e do paqen, lirinë, demokracinë, përparimin njerëzor dhe e urren fashizmin dhe terrorizmin në çdo vend të botës qoftë, kur dëgjon apo kujton emrin e Spanjës të viteve 1936-1939, përnjëherësh dhe vetvetiu përfytyron e kujton edhe ngjarjet heroike të Brigadave Internacionaliste kundër fashizmit spanjoll. Përballë ushtrisë së xhelatit Franko, me vullnetarë nga mbi 53 vende të botës, u rreshtuan edhe 60-70 luftëtarë nga Shqipëria jonë, pjesëmarrja e të cilëve ishte shprehje e shpirtit liridashës të popullit shqiptar. Në tablotë heroike e tragjike të asaj lufte, ne na përfytyrohet madhështia e trimërisë dhe heroizmi i populli tonë të shumëvuajtur që e donte dhe e çmonte lirinë edhe me jetën e tij. Për këtë liri Heronjtë e Popullit shqiptar, Asim Vokshi, Musa Fratari, Ramiz Varvarica, Xhemal Kada e të tjerë derdhën gjakun në tokën spanjolle kundër regjimit antipopullor të Frankos, pas të cilit qëndronte e komandonte një xhelat tjetër hijerëndë që mbante përpara hartën e Europës e të botës për të zhdukur shtete dhe për të shuar popuj: Hitleri në Berlin dhe Musolini në Romë.

Ndaj në ndihmë të heroit – popull vërshuan mijëra djem, burra e gra, të çdo rrace e besimi, të prirjeve të ndryshme politike, që lanë pas fabrikën e parmendën, shkollën apo familjen dhe kaluan dete, oqeane, male e kufij të shumtë për të shkuar në Spanjë, për t’i dhënë dorën vëllazërore popullit martir të Spanjës, që u bë viktimë e komplotit të fashizmit botëror. Madrid, Malaga, Harama, Guadalahara, Bilbao, Ebro, Katalonja janë tablo betejash të përgjakshme të një lufte të tmerrshme midis popullit të çarmatosur e të rrethuar që luftonte heroikisht kundër një armiku gjakësor dhjetë herë më të shumtë në numër dhe njëqind herë më të armatosur. Me gjakun e dëshmorëve e heronjve shqiptarë në Luftën e Spanjës është çimentuar e skalitur, si ndër shekuj më parë, trimëria dhe heroizmi i popullit tonë që është vlerë e paçmuar kombëtare.

Në faqet e librit zënë vend problem të kësaj lufte si: Agresioni fashist dhe pjesëmarrja e vullnetarëve shqiptarë në brigadat internacionale në Luftën e Spanjës (1936-1939); Veteranët e Luftës së Spanjës dhe vlerësimi i tyre në histori; Dëshmorëte Luftës së Spanjës në kujtesën e popullit shqiptar; Pasqyrimi  i Luftës së Spanjës në veprat lertare shqiptare; Heroi i Luftës së Spanjës, Asim Vokshi nga Gjakova Heroi i Luftës së Spanjës; Nga Fratari në brigjet e lumit Ebro, për heroin Musa Fratari; Kontributi mediatik i Skënder Luarasit në Spanjë (1936-1939). Për këto problem referuan Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, Enver Reçi, Dhimitër Shtëmbari, Pandeli Koçi, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Kastriot Bezati dhe Petro Skënder Luarasi.

Dëshmorë të rënë në Luftën e Spanjës (1936-1939) nga Shqipëria

Për dëshmorët e Luftës së Spanjës, Skënder Luarasi ka shkruar në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitin 1972, me rastin e 35-vjetorit të numrit të parë të revistës “Vullnetari i Lirisë” në gjuhën shqipe. Dëshmorët që ranë në Luftën e Spanjës janë:

Zef Preng Hoti, ishte 30 vjeç, fshatar i varfër nga Malësia e Shkodrës. Ishte punëtor krahu në Shqipëri dhe emigroi në Francë në vitin 1930, ku punoi si punëtor. Nga fundi i 1936, shkoi vullnetar në Spanjën Republikane, në radhët e reparteve internacionale të garibaldinëve dhe ra në frontin për mbrojtjen e Madridit në janar 1937.

Urfi Ali Agolli, ishte 23 vjeç, nga shtresa e varfër në Dibrën e Madhe. Ishte nxënës në shkollën ushtarake dhe me shumë vështirësi shkoi në Spanjën Republikane nga fundi i 1936, ku luftoi në radhët e reparteve internacionale të garibaldineve dhe ra në frontin për mbrojtjen e Madridit në janar 1937.

Teni Diamant Konomi, ishte nga Korça, vjeç 26, me profesion artisan deh u nis vullnetar për në Spanjën Republikane. Pa arritur në tokën spanjolle, vaporri me të cilin udhëtonte u godit nga fashistët dhe u vra në ujrat e Barcelonës, më 1 maj 1937.

Asim Ali Vokshi, nga Gjakova, vjeç 28, me profesion oficer i karrieres. Ka marrë pjesë aktive në Lëvizjen e Fierit kundër regjimit të Zogut ku u dënua dhe u përjashtua nga çdo nëpunësi. Shkoi në Spanjën Republikane në muajin maj 1937 dhe bënte pjesë në radhët e Brigadës “Garibaldi”, me detyrë përgjegjes kompanie. Ra në Fuente del Ebro më 4 tetor 1937. Është Hero i Popullit.

Ramiz Fejzulla Varvarica, nga Peshkopia, vjeç 38. Ishte nënoficer në ushtrinë shqiptare. Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924. Me ardhjen e Zogut emigroi në Francë dhe punoi punëtor për shumë kohë. Në Spanjen Republikane shkoi në fund të vitit 1936 dhe bënte pjesë në radhët e reparteve internacionale e në Brigadën “Garibaldi”. Kishte gradën ushtarake “kapiten”. Ra në frontin e Kaspes në prill 1938. Është Hero i Popullit.

Musa Ali Kami (Fratari), nga Permeti, vjeç 27, ishte nga shtresa e mesme fshatare, oficer i karrierës, i pushuar si armik i regjimit Zogut. Shkoi në Spanjën Republikane, në maj 1938 dhe u rreshtua në radhët e Brigadës “Garibaldi”. Ishte përgjegjës i skuadrës së mitralierëve dhe ra në frontin e Ebros në shtator 1938, një nga betejat më të ashpra të Luftës së Spanjës. Është Hero i Popullit.

Thimjo Nasho Gogozoto, ishte nga Çamëria, vjeç 24, nxënës i shkollës Normale të Elbasanit. Shkoi në Spanjë në qershor 1938 dhe ishte në repartet e Brigadave Internacionale. Ra në frontin e Ebros më 28 shtator 1938.

Xhemal Osman Kada, nga Peja, vjeç 26 oficer i karrieres. Shkoi në Spanjën Republikane nga fundi i 1936. U rreshtua në radhët e reparteve të Brigadës “Garibaldi” si oficer. Ra në frontin e Ebros në shtator 1938. Është Hero i Popullit.

Kosta Dhimiter Lito, nga Leskoviku, vjeç 41, punëtor dhe emigroi në Francë. Shkoi në Spanjën Republikane nga fundi i 1936 dhe u rreshtua në e repartet e Brigadave Internacionale me gradën nënoficer. U plagos rëndë në frontin e Madridit, u muarr në kampet e përqëndrimit të Francës nga Gestapoja dhe u shduk nga nazistët gjermanë.

Daut Muço Podgorani, nga Përmeti, vjeç 25, punëtor dhe emigrant në Pariz. Ishte nga vullnetarët e parë që shkoi në Spanjë dhe formuan “Komunën e Parisit”, u radhit në repartin italian “Roseli” dhe në Brigadën “Garibaldi”. Ra dëshmor në nëntor të vitit 1938 për të mbrojtur Madritin.

Hamdi Koja Zagari, nga Kolonja, vjeç 30, kishte mbaruar akademinë në Francë, shërbeu në ushtrinë e Republikes Sapanjolle, nga rrebelimi së bashku me vullnetarë punëtorë bullgarë, u pushkatua më 27 korrik 1936.

Zihni Murat Çami, nga Çamëria, vjeç 29, ishte oficer, komandant kompanie, vritet nga një bombardim pa lënë asnjë gjurmë më 4 tetor 1938.

Ymer Puka, nga qyteti i Pukës, vjeç 50, mbaruar akademinë në Stamboll, komandant me përvojë, major në ushtrinë turke. Mori pjesë në Luftën e Spanjës, si komandant batalioni. Me të plagosur dhe të sëmurë kaluan kufirin për në Francë me përfundimin e luftës. U kap nga nazistët dhe u zhduk në dhomat me gaz në vitin 1944.

Xhelal Abaz Çami, nga fshati Kurtec, Çamëri, vjeç 40, punon si emigrant në Paris, mori pjesë në Luftën e Spanjës, në kompaninë mitraliere, plagoset rëndë, u mjekua, shpëton dhe në vitin 1952 kthehet në Shqipëri. Shtrohet në sanatoriumin e Tiranës dhe vdes më 14 prill 1953.

Novruz Feim Veli Zagari, nga Kolonja, vjeç 35, kishte mabruar akademinë në Francë, shërbente në ushtrinë e Republikes Sapanjolle, nga rrebelimi së bashku me vullnetarë punëtorë bullgarë, u pushkatua më 27 korrik 1936.

Në Luftën e Spanjës në luftime u plagosën dhe shumë shqiptarë të tjerë si: Qamil Sherifi, Stivens Thanasi e Qamil Sherifi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ardhur vullnetarisht për në Spanjë.

Please follow and like us: