Sadik Bejko: Mustafa Provokacija
Sadik Bejko, Beograd 2012.
Mendoj se për ndreqjen e marrëdhënieve shqiptaro-sërbe të gjesh dikënd më të papërshtatshëm , dikënd si Mustafa Nano, nuk ka gjetje më të dështuar.
Mustafai sa do të rreket të hidhet lart, të kapet dhe nga lidhësat e këpucëve për të kërcyer përpjet, nuk mundet të bëjë tjetër veç të bjerë mbi hundën e vet.
Ata që hoqën Fatos Lubonjën nga ky rol i provokimit të shqiptarëve në favor të serbëve, për ta zëvendësuar me Much Nano, nuk e kanë menduar fort mirë.
Qoftë Muchi, qoftë Lubonja i kanë shërbyer interesit të xhepit të vet me lapsin e publicistit. Asgjë më shumë. Kanë parë nga anon lexuesi i momentit, çfarë kashte a tallashi preferon ai i frustuari, militanti, lexuesi agresiv, ai njeriu me sy të verbër e me mendje të skizofrenuar… dhe kanë shkruar për t’i shërbyer atij. Për ta majisur dhe më keq një situatë të të sëmurëve në reaminacion. Kjo rrit tiazhin, rrit audiencën. Kjo të afron me shefat politikë kombëtarë a ndërkombëtarë. Ti kështu e ndez, e mban gjallë skizofreninë politike që prej vitesh e ka çmendur këtë vend. Por kjo nanove u ka dhënë përfitime, emër… etj, etj. Këta janë gazetarë tipikë të prerë për kohëra të skozofrenisë kolektive, të amokeve politike, të krizave pëlcitëse e përsëritëse.
Ç’mund të bëjnë këta në kohëra të qeta? Mund të bëjnë provokacja.
Ja, Berisha, që ishte demi i korridave politike dhe i tërbonte stadiumet e majta, u tërhoq pak anash. Sa para janë bërë nga ata gazetarë duke ndërsyer militantë kundër Berishës, ose e kundërta, me ndërsimin ndaj Ramës? Kanë fituar edhe duke mbajtur qëndrime kozmopolite, duke u vetëshpallur qytetare të botës në dëm të qytetarisë e nacionalitetit shqiptar.
Mustafa Nanua thotë se s’ka asgjë që në Beograd a Sërbi të jetë e huaj për mua. Dakord, po dallimet tona nuk janë ekologjike, që të kenë të bëjnë me klimën e natyrën. Nuk janë as kulinarike, që të kenë të bëjnë me kuzhinën a pijet. Nanua thotë që mund të kemi përzierë dhe gjakun me sërbët. Sado që kjo puna e gjakut në Ballkan nuk të lë të painteresuar, dallimet mes shqiptarëve e serbve nuk janë as të natyrës biologjike.
Janë dallime të kulturës sonë, të narrativave kulturore, të miteve, të prodhimit intelektual gati shekullor që ka helmuar mendjet. Ka me qindra libra të botuara dhe në Evropë që lartësojnë serbët e përçmojnë shpiptarët. Ka elaborate të akademikëve që projektojnë zhdukjen e shqiptarëve. Dhe që institucionet shkencore e kulturore serbe nuk i kanë mohuar as nuk janë distancuar prej tyre.
Janë histori masakrash e pushtimesh, pëdhunimesh e shpernguljesh në kurriz të shqiptarëve.
A mundet me provokacjet e tij të na hedhë hi syve Nanua?
Kam qenë në Beograd më 2012. Mora pjesë në një konferencë rajonale shkrimtarësh si i ftuar nga PEN-i i Beogradit, me pjesëmarrjen dhe të John Ralston Saul, president i PEN Internacional me rezidencë në Londër. Kam recituar në mbledhje me shkrimtarë të PEN-it internacional atje. Kam shëtitur në Kalimegdan, kodrën historike të Serbisë. Më pëlqejnë organizimet kulturore me shumë seriozitet në Beograd. Udhëheqësit e këtyre institucioneve përfaqësuese të shkrimtarëve veç që janë artistë, janë dhe figura të diplomacisë së lartë të Serbisë. Serbët kanë institucione të shkëlqyera kulturore. Zyrat e PEN-it në Beograd janë nga më të mirat. Mikëpritja e tyre, sjellja e shkrimtarëve, e kolegëve është e qytetëruar. Vërtet gjellët, pijet, ajri, rrugët, pamjet e lumit përmes qytetit në Beograd nuk kanë të sharë.
Mund t’i shijoj këto mirësi e hijeshi ashtu si një vizitë në cilindo qytet historik në Europë, si në Linz në Austri, në Antverpen, në Pragë a në Budapest. Vizitë dhe nga pikëpamja turistike e mrekullueshme. Takime mbresëlënëse me kolegë shkrimtarë, botues, gazetarë. Kështu është, kështu të ndoddh po të shkosh në Beograd. Dhe pastaj secili në punë të vet. Sipërfaqsor dhe elegant në shije e në sjellje. Si të ishe një turist.
Përtej dukjeve dhe atraksioneve me vlerë që duhen shijuar, përtej pritjeve, përtej takimit formal mes shkrimtarësh që vetëm se ndodh, duhet falënderuar… mbetet diçka që duhet rindërtuar e forcuar…, që duhet shoqëruar me përkthime e njohje të ndërsjella të shkrimtarëve këndej e andej… Ndryshe, kjo ndodhje në Beograd ashtu si dhe një vizitë në Tokio, në Japoni, mbetet ushqim i mirë për përvojat e udhëtimeve nëpër botë. Një takim që e vë në kujtesë, e vë në fotografi vizitën në Beograd e asgjë më.
Vërtet e shijova Beogradin. Por… më duhej që ta shtypja kujtesën përkohësisht.
Nuk i kemi pushtuar ne serbët, ata e kanë bërë diçka të tillë. Nuk kemi ne ndonjë Çubriloviç, apo Ivo Andriç që kanë projektuar vrasjen e zhdukjen e shqiptarëve. Dhe projektet e tyre ende zyrtarisht respektohen.
Para se të shkoja në Beograd më 2012, një kolegu im gjuhëtar, pedagog i UT, më tha se pak muaj më parë ishte mbajtur një konferencë e studimeve albanologjike nga katedra e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit dhe nuk ishte ftuar asnjë referues shqiptar. Kaq të padenjë dhe shkencërisht në albanologji qenkan shqiptarët? Ndaj kujdes në Beograd, më tha kolegu im.
Sigurisht, jo vetëm për këtë isha i ftohtë në Beograd. Isha kështu dhe do të mbetem në ngricë derisa kolegët e kulturës së lartë në Beograd të marrin përsipër të ndreqin diçka thelbësisht të deformuar në narrativat mbi marrëdhëniet tona. Është produkti helmatosës kulturor, jo vetëm ai politik, që i bën serbët e thjeshtë të na urrejnë, ashtu si para disa javësh në Rusi kur tifozët serb në ndeshjen me Zvicrën thërrisnin: Vraji, vraji shqiptarët.
Ka shumë nga ata që i dinë mirë sesi janë gjërat atje në Beograd. Provokacjat e Nanos janë si ato pickimet e mizave mbi një pikturë të mumifikuar. Pickimet e mizave, të pëgërat e tyre, zukamat e mizave dhe më shumë të bëjnë pis.
Nanua si ata showmenët e dobët, qesharakë kërkon audiencë… me çdo mjet. Jo tjetër gjë.
18 korrik 2018.
Please follow and like us: