Vasil Muka: Pse e shkruajta këtë libër për Mëziun?
P r o l o g
Pse e shkruajta këtë libër për Mëziun?
Para prej më se dyzet vjetësh mora me vehte përjetime, kujtime e mbresa nga puna e jeta në vitet 70-80 në fshatin e largët të rrethit të Pukës, Mëzi. Vazhdimisht e vazhdimisht jetova intesivisht shpirtërisht me atë vend, atë kohë dhe me ata njerëz. F.b më dha shansin të filloj e të shkruaj here pas here për ata njerëz të varfër por bujarë e mikëpritës. Jak Binaku ishte i pari që më frymëzoi e më nxiti të shkruaj. Shoqëria e tij e çiltër e bujare ashtu si në Mëzi më ndoqi edhe në Gjirokastër në dasmën time por dhe këtu në Tiranë. Sëmundja dhe ikja e tij e shpejtë më nxitën të bëj shkrimin e parë. Më pas një ftesë e vizitë te Preng Pashk Osmani e më pas pjesëmarrje në dekorimin e tij në Fushë -Arrëz ku u takova me dhjetra mëzias, sikur më kthyen realisht pas. Dhe ja një falenderim nga Lush Osmani dhe më tej nxitja dhe inkurajimi i tij në watsapp:
‘”Mirëmrama Baçi. E lezetove dhe më pelqej shkrimi që ke bërë. Por ti ke dalë ma i mirë se një djalë Mziu! Bravo!
Po tani të del një punë e madhe por e lavdishme, të shkruash një libër për katundin Mëzi, për jetën e rininë tuaj që kalut në atë fshat, për pritjen, bujarinë, fisnikërinë, zakonet e traditat e këtij fshati. Do të të ndihmojmë dhe ne, si në mendime, histori, zakone, tradita e të tjera. Do ju ndihmojmë edhe për botime, etj”.
Dhe ja nisa, por ishte shumë vështirë, kohë e largët, njerëz të rinj, mentalitete të reja. Falë ndihmës e mirëkuptimit të mziasve, shpresoj tja kem dalë. Mu deshën dhjetra telefonata, biseda, kërkime në internet e medjat sociale, takime e mesazhe. Ishte vështirë të gjeje foto e informacione të sakta, por me asistencën e Mark Palit, Palin Lules, Pashke Gegës, Gjon Prengës, Filip Prendit, Nikoll Pashkut, Pjetër Nikës, Pjerin Bashës, Bardhok Kolës etj, shpresoj se ja dolëm.
Libri është vetëm krijimi im, për gjithçka që shkruhet është këndvështrimi im, gjurmët që la ajo kohë e ato vite tek unë.
Në libër në pjesën e parë do të gjeni përjetime, mbresa e kujtime, krysisht të miat ashtu siç i mora me vehte në moshë të re, ngjarje e fakte të para nga këndvështrimi i një djaloshi gjirokastrit.
Në pjesën e dytë do gjeni bibliografi të shkurtra të familjeve me të cilat unë pata kontakte, njohje e bujta në shtëpitë e tyre. Ndjesë dikujt që nuk e kam përmendur, por kjo ishte kujtesa ime me gjurmët që mori nga ajo kohë e largët.
Renditja e familjeve në libër nuk është preferenciale, por është bërë në bazë të alfabetit.
Libri nuk pretendon për të dhëna e fakte, ngjarje e dokumenta të sakta shkencore, por sjell në kujtesën e mziasve dhe brezave që do vinë informacione modeste për traditat, zakonet, doket, toponimet, gjeografinë, historinë dhe njerëzit e këtij fshati.
Besoj se është një vlerë e shtuar dokumentare jo vetëm për Mëziun, por për të gjithë Pukën e malsinë .
Nga kërkimet në internet e në shkrime historike gati nuk ka asnjë informacion për Mëziun, ose ato janë sporadike.
Le të jetë ky libër një vlerë pasurore, shpirtërore për mëziasit.
Unë tash ndjehem i shkarkuar shpirtërisht, mendërisht e i qetë emocionalisht, duke menduar se po ju kthej me mirënjohjen time, detyrimin për bujarinë dhe mikëpritjen e mëziasve.
Lexim të këndshëm!
Me dashuri e mirënjohje miku juaj, mësues Vasili!
Please follow and like us: