Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja Irma Kurti boton librin “100 poezi”

 

 

 

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton përmbledhjen e re me 100 poezi, që mban logon e Shtëpisë botuese “Youcanprint” në Itali. Kopertina është e fotografit italian Biagio Fortini. Libri botohet me rastin e 5-vjetorit të krijimit së Enciklopedisë Poetike Wikipoesia (21 Mars 2019 – 21 Mars 2024), ku poetja shqiptare që nga viti 2020, për kontributin në fushën e poezisë, është “Akademike dhe Presidente Nderi”.

Kjo përmbledhje poetike trajton temat më të dashura për autoren: dashuria në çift apo për prindërit, nostalgjia për vendin e origjinës, për kujtimet e largëta, ndjesitë përballë peizazheve të bukura natyrore.

Në parathënien e librit të shkruar nga Adele Donini lexojmë: Është e çuditshme të vësh re, çdo herë, se si shpirti i poetes Irma Kurti është në dialog të vazhdueshëm me veten dhe gjithnjë gati për t’i lënë vend mahnitjes dhe mrekullisë brenda e jashtë saj. Kjo përmbledhje me poezi dëshmon binarin në të cilin lëviz koha e jetës së saj: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, të filtruara nga sytë e shpirtit.

Motivet e poezive janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme; së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështiratenton t’i kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe këmbëngulës i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje dhe durimi. Çdo gjë që i përket natyrës, në bukurinë ekstreme dhe efektive, krijon tek Irma një ankorim ndjenjash të mira, pozitive, që përfaqësojnë antitezën ndaj gërshetimit të marrëdhënieve humane, shpesh të rrufeshme dhe zhgënjyese”.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese.Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në  Itali, Zvicër, SHBA, Filipine, Liban dhe Kinë. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Naji Naaman’s Literary Prize” 2023 në Liban për veprën e saj të plotë në gjuhën angleze. Vlerësohet me “Çmimin e Kulturës” në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë AIDO, në Coccaglio, Brescia, në 2024.

Irma Kurtika botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.

Ajo është një nga poetet shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar në 16 vende të botës.

 

 

Please follow and like us: