Betohen 23 prokurorë të rinj, Bogdani: Misionarë të drejtësisë së re
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot ceremoninë e betimit të prokurorëve të sapoemëruar në zyrat e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e “Polit të Drejtësisë”, ishin të pranishëm anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Cela, drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, drejtues të zyrave të prokurorive si dhe përfaqësues nga misionet e asistencës OPDAT dhe EU4 JUSTICE.
Në fjalën e saj kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, u shpreh ndër të tjera se “prokurorët janë misionarët e drejtësisë së re, e cila prej mbi pesë vitesh ka krijuar lëvizje tektonike në të gjithë sistemin e drejtësisë penale dhe ka ngritur pritshmëri të reja te publiku ndaj edhe prokurorët duhet të drejtojnë ndjekjen penale në interes të publikut”.
“Ju tani do të drejtoni ndjekjen penale në interes të publikut! Ky është padyshim një pushtet i madh që ju ka dhënë ligjvënësi, ndaj keni detyrimin ta mirëmenaxhoni në funksion të interesave të shoqërisë, të shtetit, në mbrojtje dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ta administroni me përulësi dhe përgjegjshmëri. Këto standarte integriteti do duhet t’i ndiqni që në hedhjen e hapave të parë në profesion e t’i reflektoni ditë pas dite, deri në momentin e fundit kur do shërbeni si prokurorë të vendit tuaj, vend të cilin e keni zgjedhur të rriteni profesionalisht, të krijoni familjet dhe të rrisni fëmijët tuaj”, tha Bogdani.
Të njëjtin urim ndau edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili i uroi prokurorët e rinj për detyrën fisnike dhe të përgjegjshme që u ngarkohet.
Ai theksoi edhe një herë rëndësinë që ka kryerja e kësaj detyre jo vetëm me profesionalizëm dhe integritet dhe ta konsiderojnë jo vetëm si një punë, por si një shërbim ndaj publikut, vendit dhe ligjit.
Në përfundim të fjalës përshëndetëse u vijua me ceremoninë e betimit nga 23 prokurorët e rinj, të cilët tashmë bëhen zyrtarisht pjesë e sistemit të prokurorisë në Republikën e Shqipërisë./atsh