Prof. Dr. Andrea Gudha: Shkolla është dije, kudo e në çdo kohë për një shoqëri të kulturuar
Normalja e Qestoratit (1869 – 1891)
Hyrje
Qysh në shek.V p. e. s në Antikitetin grek, shekull i quajtur si “Epoka e Perikleut”, nga filozofët e asaj kohe u gjykua si e domosdoshme, se mendja e qenies njerëzore, që në fëmini, ka nevojë për edukim e arsimim. Në këtë kohë u ngritën shkollat në Athinë e shkollat e Asclepios për Mjekësinë në ishujt Rodos, Knidos e Kos etj, ku jepnin mësim filozofët e kohës si Platoni, Aristoteli, Pitagora, Aristofani, Sofokliu, Hipokrati etj.
Një nga filozofitë më të rendësishme të jetës është dija, e cila është thelbi dhe esenca e të gjitha forcave, objekteve e fenomeneve, që na imponohen e që na rrethojnë. Dija e bën njeriun të ditur, të ndriçuar, të mençur e të urtësuar. Njeriu i ditur orientohet më shpejt në hapësirë dhe në kohë, akomodimi i tij në mjedisin shoqëror dhe natyror është më cilësor për vete e për shoqërinë. Dhe, produkti i tij është më cilësor e njerëzor.
Në ngritjen dhe në lulëzimin e një komuniteti të ri, fillimisht mbillen pemët, sigurohet uji, elektriciteti, rruga, qendra shëndetësore dhe njëkohësisht ngrihet shkolla, ku kultivohet dija dhe kultura, për edukimin e fëmijëve, si ardhmëria e një kombi. Një komb del nga errësira vetëm me dije. Arsimi ndriçon në saje të pedagogjisë dhe pedagogjia ecën përpara në saje të dijes progresive.
Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala “pedagogji” përkufizohet si: “shkenca që merret me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve e të të rinjve dhe me metodat përkatëse, që duhen përdorur për këtë qëllim”
Fjala “pedagog” përkufizohet: “ai, që mëson dhe edukon fëmijët e të rinjtë, duke zbatuar parimet dhe metodat e pedagogjisë”.
Një pedagogji e keqe, që zhvillohet në klasë, apo në auditor nga mësues e pedagogë të paditur, produkti i saj i mësimdhënies do të jetë jo cilësor dhe, nga ana shëndetësore, do të shkaktojë padituri, konfuzion dhe stres tek nxënësit e studentët.
Mjekët e mëdhenj të shekullit të XIX kanë mbetur të famshëm, në saje të gjuhës së qartë dhe të përpunuar në auditor me studentët e mjekësisë. Të huajt, kur vizitonin mjekësinë në Francë, tregonin: “Është kurioze të vihet re se, këtu, në Paris, nuk duhet të shkosh në shkollën e drejtësisë dhe as në Sorbonë për të dëgjuar profesorë elokuentë, por në Fakultetin e Mjekësisë”.
Në retrospektivë, si mjek dhe si pedagog në mësimdhënie në dekadat e para në shek.21-t ë, një shekull e gjysëm pas, inspiruar në frymëmarrjen e Demokracisë, në zhvillimet e vrullëshme të shkencave në prizmin e globalizmit kulturor dhe të inteligjencës artificiale, gjykoj se, në qarkun e Gjirokastrës, Normalja e Qestoratit (1869-1981) dhe Liceu francez (1923-1928), kishin qenë “Vatër e Diturisë për mësuesit dhe nxënësit” me orientim dhe vizion perëndimor.
Nga këto shkolla dhe sot kemi çfarë të mësojmë nga historia dhe nga pedagogjia, nga idealizmi dhe vizioni i pedagogëve të saj, nga metodologjia e pedagogjisë, nga infrastruktura didaktiko- pedagogjike, nga katedrat e mësuesve, klasat, konvikti, nxënësit, veprimtaritë artistike, shëtitjet, librat, biblioteka…
Lexuesi le ta gjykojë vetë!
***
Rrethanat historike të Arsimit dhe Pedagogjisë në Europë dhe në Shqipëri
Në kohën e Rilindjes në Europë lulëzoi arsimi dhe mendimi pedagogjik. Në këtë periudhë u shquan humanistët Vitorino da Feltre, Ludvig Vivesi, François Rabelais dhe të tjerë, të cilët kontribuan në pasurimin e përmbajtjes mësimore, në metodat e reja të arsimimit dhe në marrëdhëniet më humane me nxënësit dhe studentët.
Pedagogu çek Jan Amos Komenski, themelues i didaktikës pedagogjike dhe i futjes së sistemit klasë-orë-lëndë, me idetë e tij kombinoi filozofinë natyrale të Rilindjes dhe pikëpamjen materialiste të filozofit anglez Francis Bacon (1561 – 1626).
Në periudhën e Iluminizmit në shek.e 18-19-të në të gjithë Evropën, me qendër në Francë, kemi një lëvizje masive kulturore dhe filozofike për përhapjen e dijes dhe arsimit. Pedagogjia, afirmimin e saj të parë e përjetoi vetëm në shekullin e 19-të, ndërsa afirmin e saj si shkencë e ndjeu në vitet 70-të të shekullit 20-të.
Në shekullin e 19-të Louis Théophile Joseph Landouzy, neurolog, mbrojtës i flaktë i gjuhës greke dhe latine, shkruante: “Mendoj se edukimi klasik duhet të jetë për njeriun një forcë, po aq sa dhe stoli. Mendoj, se asnjë kudhër tjetër nuk vlen për të farkëtuar trurin, për të formuar gjykimin e për t’i dhënë vrull asaj pjese ideale, që duhet të bëjë të plotë mjekun, sa specialist aq edhe artist”.
Shqipëria, në shekullin e 19-të ishte nën pushtimin otoman
Populli ishte në obskurantizëm dhe në errësirë, në padije e në analfabetizëm total (90% e popullatës), në kushte të tmerrshme ekonomiko-financiare e në një jetesë të tejskajshme patriarkale e sociale. Mentalitet feudal! Me një sëmundshmëri e me një vdekshmëri të tmerrshme, që e brente përbrenda popullin, nga sëmundjet si: Malarja, Tuberkulozi, Sifilisi, Lepra, etj. Jetëgjatësia mesatare e moshës ishte 30-35 vjeç.
Djemuria shqiptare, gjatë shek.19-të, për të shpëtuar nga kjo gjendje tepër e vështirë, mori rrugët e kurbetit e, ato pak familje në gjendje të mirë ekonomike, fëmijët i dërguan për shkollim jashtë në Stamboll apo në Athinë.
***
Krahina Lunxhëri
Këtë emigrim pësoi dhe djemuria nga krahina e Lunxhërisë, të cilët emigruan kryesisht në Stamboll. Nuk kishte shtëpi që të mos kishte një të afërm në kurbet. Të emigruarit përfituan nga thesari i kulturës së Perëndimit, nga Rilindja Evropiane, sidomos nga Iluminizmi (ndriçimi) i saj. Ata u bënë tregtarë, mjekë, dijetarë të shquar e bamirës, duke dhënë kontribute të jashtëzakonshme në historinë e Shqipërisë dhe Greqisë. Sollën në vendin e tyre dritën e dijes, emancipimin dhe kulturën evropiane. Lunxhëria, në saje të kë tij emigrimi, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të njohu një zhvillim të paparë në historinë e saj.
Krahina e Lunxhërisë, në Antikitet (shek.V-III p.e.s) banohej nga Kaonët epirotë, të cilët kanë luajtur një rol të rendësishëm në Shtetin e Epirit. Në këtë krahinë, të shtrirë në lindje dhe përballë Gjirokastrës, në perëndim të fshatit Saraqinishtë, në kodrën e Jermës, lulëzoi një nga qytetet më të rendësishme të Kaonisë, Antigonea e lashtë. Antigonea u themelua në shekullin e 3-të p.e.s nga Pirro i Epirit (mbret i Epirit dhe i Molosisë), i cili e quajti atë përnder të emrit të bashkëshortes së tij, Antigonea. Gjatë shekujve 15-19-të, nën fshatrat e Lunxhërisë, kalonte rruga tregëtare e karvaneve, që lidhte luginën e Vjosës me atë të Drinos, ku, dhe kryqëzoheshin disa rrugë, që lidhnin Gjirokastrën me Përmetin dhe me krahinat e Greqisë.
Sipas regjistrimit osman të vitit 1431-1432 krahina e Lunxhërisë kishte 675 shtëpi. Gjatë shek.18-19-të, në këtë krahinë u ngritën fshatra të bukura e të sistemuara me planimetri të studiuar, që shquheshin për anën funksionale dhe estetike. Fshatra të afërta me njëra-tjetrën, të grupuara secili në dy tre mëhallë, me shtëpi dy-tre katëshe me mure prej guri, me çati prej dërrase, me avlli të madhe, me bahçe e me kopshte me pemë: rrush, fiq, arra, mane të kuq etj. Me rrugë të shtruara me kalldrëme e me vende çlodhje nën hijen e pemëve. Krahinë e pasur me ujë e me mjaft kroje… Në portat e pjesët ballore të shtëpive, ende dhe sot, ka mbishkrime, ka data dhe simbole të ndryshme, që dëshmojnë për historinë.
Në Stamboll, lunxhiotët mbaheshin si mjeshtra të ndërtimit të ujësjellsave.
Veshja karakteristike (kostumi lunxhiot), sidomos kostumet e qëndisura të vajzave dhe grave me magjinë e bukurisë, u linin përshtypje të veçanta udhëtarëve të huaj dhe emahnitën poetin anglez, Bajronin…
Më 17 Tetor 1809, ai, me grupin e tij, që e shoqëronin, duke udhëtuar nga Janina për të vajtur në Tepelenë, qëndruan një natë në Qestorat. Miku dhe bashkëudhëtari i tij Xhon Kam Hobhauz, shkruan: “Ne u pritëm me një mirësjellje tepër të madhe nga i zoti i shtëpisë. Shtëpia e tij ishte e suvatuar pastër, lyer me gëlqere. Pa frikë mund ta quajmë të rehatshme dhe të këndshme. Aty, që kur u nisëm nga Janina, ne kaluam një nga netët më të mire, se sa të tjerat”.
Pas dy shekujsh, shkrimtari I. Kadare për magjinë lunxhiote, përshkruan: “Kur ajo (Gjirokastra) s’u josh nga Lunxhëria, mos prisni të zbutet me askënd, thuhej andej – këndej. Katundet e kësaj të fundit shtriheshin përballë saj, përtej luginës, me kishat plot dritëza e kambana,që binin pashkëve, kroje e gra të ëmbla si rrallë kund.
Në krahinën e Lunxhërisë herë pas here zhdukeshin vajza ose nuse të reja.
I kërkonin gjithkund, te përroi, te gremina, te stanet e barinjve, gjersa kohë më pas, një pëshpërimë e lehtë si shushërimë mëndafshi ngulte këmbë, se ato kishin përfunduar brenda shtëpive të larta të qytetit…”. Ah, vajzat lunxhiote, të shumëkërkuara nga djemtë e qytetit, që, me hijeshinë, me embëlsinë dhe me bukurinë e tyre, kushedi, se sa zemra djaloshare kanë plagosur…!
Kostumi lunxhiot i vajzave dhe nuseve të Lunxhërisë është një nga vlerat më të rralla dhe më sinjifikative të etnografisë shqiptare, që josh dhe sot dhe artistët e Hollivudit.
Me magjinë dhe aromën e këtij kostumi unë u njoha që kur isha fëmijë, pasi, prindërit e mi e mbanin atë në shtëpi si një pasuri të rrallë, në sundukun e trashëguar të jetës.
Kostumi lunxhiot
Të veçanta qenë ditët për mua si fëmijë, kur vajzat dhe nuset lunxhiote vinin në shtëpinë e prindërve të mi në Gjirokastër, fal dhe pozicionit të saj afër sheshit “Çerciz Topulli”. Visheshin me kostumin lunxhiot e zbukuroheshin, që të ishin gati për në koncert, në qytet. Nëna ime, Ollga (vajzë nga familja Dhima nga Saraqinishta), me fjalët e saj të ëmbla, i gëzonte, këpuste nga vazot e luleve nga një degë borziloku dhe ua vendoste në gjoks, që të mbanin dhe erë të mirë…
Gjatë veshjes së kostumit dëgjoja fjalë, që nuk i kuptoja: “cohë, kadife dhe fermele… “Kostumi lunxhiot…”!
Pjesë e kostumit lunxhiot ishin këngët e vallet lunxhiote. Melodinë e këngëve lunxhionte e kam ndjerë sa herë kishim gëzime e festa në familje. Atmosfera e festës fillonte nga babai tim, Koço, me këngën: “As dalim pak-ë në lëmë moj lule beharit, o…/ Të bëjm’ sehir Lunxhërinë, moj lule beharit, o…”. Apo kënga: “Lunxhëri plot lezete/Ç’bukuri ke mbi vete…” e kënduar nga kushërira time Katina në Festivalin Folkorik Kombëtar – Gjirokastër (1974). Ndoshta, kanë qenë këto motive folklorike pentatonike të trevës së Lunxhërisë, në ngjizjen e kompozimeve të këngëve të mia…
***
Normalja e Qestoratit (1869 – 1891)
Në shekullin e 19-të, nën indikimin e Iluminizmit evropian, nga idetë e Volter e Russo, ishin dhe dy bamirësit e mëdhenj (filantropët) me përmasa evropiane: Vangjel Zhapa (1800-1865) nga Labova e Zhapës dhe Kristaq Zografo (1820-1898) nga Qestorati. Ata investuan dhe ngritën vepra bamirësie në tërë Perandorinë Osmane, si dhe në vendlindjen e tyre. Investimet e tyre u përqendruan më tepër në fushën e kulturës, dijes e arsimit.
Qestorat
Në gjysmën e dytë të shek. 20-të, në fëmininë time, shpesh, gjatë pushimeve të shkollës, beharin e kaloja në Qestorat, duke qëndruar më shumë tek halla ime Fone (e martuar në Qestorat me Sofo Çipi) por, dhe tek familja e xhaxhait, Petro Gudha (barba Petro, kështu i thërrisnin, si guzhinier për një kohë të gjatë në spitalin e Gjirokastrës). Duke u gdhirë mëngjesi i ditës së re në shtëpinë e Çipajve, dëgjoja këngën e qyqes, më pas këndezat, lëvizjet në shtëpi të hallës, që merresh me rregullimin e bagëtive dhe më pas, të rrahurat e këmbanës së kishës, që i njoftonte fshatarët për fillimin e punës së ditës në kooperativë…Oborri i shtëpisë së Çipajve ishte përballë çetës së shtëpive të familjes Mitrokosta, Rumbi, Zografi…shtëpi dy katëshe, që më bënin përshtypje. Me shikim pak djathtas, nga oborri i shtëpisë shikohej rapi madhështor në sheshin e kishës dhe muret e lartë të shkollës së vjetër. Këtë mjedis e ndante një përrua i thatë, që shtonte jehonën e zërave kur fshatarët flisin nga njera shtëpi në tjetrën. Nga ndonjëherë, në fshat, e merrja dhe violinën me vete… Në mes të fshatit ishte një godinë e madhe e vjetër, e braktisur, që i kishin ngelur vetëm muret e trashë prej guri e me shumë dritare. Kjo ishte godina e Normales së Qestoratit!
Duke ardhur nga rruga e Dhoksatit, në hyrje të fshatit Qestorat, duke filluar nga Shën Mëria dhe nga shtëpitë: Papavasili, Mitrokosta, Kushta, Zhavara, Rumbi, Zografo, rruga për në Normalen e Qestoratit, ishte e shtruar me kalldrëm. Nën rrugë, poshtë normales, ishin dhe dy godina më të vogla, që shërbenin aso kohe si konvikt dhe mensë për nxënësit e normales, por, që sot, godinave u kishin ngelur vetëm muret prej guri. Nga ana e fshatit, para shkollës shtrihej një shesh me një rrap madhështor dhe afër saj ishte kisha Shën Mëhilli me këmbanën e saj. Nën hijen e rrapit, gratë e fshatit shkonin vargjet e duhanit … Duke shkuar vargjet e duhanit me njerëzit e mi, më bënin përshtypje muret e shkollës së madhe, me gurët e zinj, të mëdhenj e të skalitur bukur, por të lidhur me fantazinë fëminore, kur, dikur në atë atë shkollë mësonin nxënës…
Në fshat thoshin “me gjysëm zëri”: “Këtë shkollë e ka ngritur Zografo…” dhe “Në këtë shkollë ka qenë mësues dhe Koto Hoxhi”. Mësuesit në shkollë, në Gjirokastër, na flisnin me pasion për Koto Hoxhin, krahas rilindasve të tjerë si Çajupi, vëllezërit Frashëri etj.
Me kuriozitetin prej fëmije dëshiroja të shikoja shtëpinë e Koto Hoxhit, e cila ishte nga ana e fshatit, që lidhej me fshatin Saraqinishtë. Ishte një shtëpi e braktisur, që i kishin ngelur vetëm muret…pa zot?!
Por, ja si e përshkruan bashkëkohësi i asaj kohe, Guri Rr. Sevo, fshatin Qestorat dhe shtëpinë e Koto Hoxhit:
“Qestorati është një fshat kundrejt Gjinokatrës, në funt të malit Lepushë, midis dy brigjeve… Fshati ka qenë i pasur shumë dhe burrat qenë veshur të gjithë bukur: meshkujt me të ngushta, femrat me kavath të cohë të sjellë prej Stambolli, me flori në ballë e në gjoks. Gratë kanë qenë të zgjuara fort, huaj-pritëse dhe përdornin dhe falem nderjes asi kohe…Në Qestorat qëndronte një shkollë greke mjaft e lartë për atë kohë. Qestorati i mbushur me mësonjës. Nuk kishte fshat të Lunçërisë që të mos dërgonte dy-tre djem në mot në këtë skoli. Kjo Normale mbahej prej Kristaq Zografit, i cili dërgonte një mijë lireta në mot nga Stambolli. Tridhjetë djem dhe tridhjetë vajza mbaheshin aty me bursë, një djalë dhe një çupë nga çdo kaza…Në Qestorat, i ati i Petros (Petro Nini Luarasi) kishte një mik të dashur, që quhej Koto Hoxhi. Ky i ka patur shtëpitë në një nga këto bregore nga del dielli, mbanë fshatit. Shtëpitë qenë të mëdha, të gjëra, të gjata dhe të rrethuara me avlli nga të gjitha anët, të ndërtuara në kohën e Ali Pashës…”.
***
Ideatori dhe realizuesi i shkollës Normale-Qestorat ishte bamirësi i madh i kohës Kristaq Zografo, Kristaq Zografo lindi më 6 Dhjetor 1820 në Qestorat, Lunxhëri-Gjirokastër dhe vdiq në Paris më 19 Gusht 1898. Ai ndoqi shkollën ‘Zosimea’ në Janinë dhe pastaj shkoi në Stamboll për t’u bashkuar me biznesin e babait, Viktorit nga Qestorati. Gjatë viteve 1854-1881, Kristaqi u bë një nga kreditorët më të mëdhenj të shtetit osman, ishte ndër bankierët kryesorë dhe një nga bamirësit më të mëdhenj. Kristaqi e donte të bukurën dhe e vlerësonte kulturën dhe dijen. Me paratë e tij organizonte ekspozita e konkurse të arteve figurative në Paris e kudo. Ai, për dijen e kulturën, ofroi shuma të mëdha parash për ngritjen e shkollave të mesme në Konstandinopojë, në Universitetet e Mynihut dhe Parisit.
Në vitin 1869, në vendlindjen e tij, në Qestorat, ai ngriti Shkollën Normale më të njohur të epokës. Bashkëkohësit e krahasonin atë me vlerat e shkollës së Voskopojës, megjithëse shkolla e Voskopojës ishte ngritur një shekull më parë. Gruaja e tij, Domenika ( franceze), investonte çdo vit shuma parash për shkollën fillore në fshatin Stegopul-Lunxhëri. Në nder të saj, shkolla quhej “Shkolla e Domenikës”.
Në jetëgjatësinë e Normales së Qestoratit, prej 22 vitesh (1869-1891), nga kjo shkollë kanë dalë 400 mësues dhe një pjesë të nxënësve të kësaj shkolle kanë vazhduar studimet më tej, në Universitet në Stamboll e Athinë: në avokati, në tregëti, në farmaci apo në mjekësi, si mjekët: Foto P. Qirici, Jani Gacopuli, Mihal Bamia, Petro P. Riga, V. E. Papavangjeli, Spiridhon Fanti, Petro K. Duda, Viktor J. Zografi, Nikolla Peroni, Mihal Papadhopulli, të cilët shërbyen si mjekë në krahinat e ndryshme të Shqipërisë.
Fal kulturës së përgjithshme, emancipuese e përparimtare me orientim perëndimor, që zhvillohej në këtë shkollë, ndër mësuesit dhe nxënësit u ndriçua vetëdija kombëtare për gjuhën shqipe. Ndër ta u shqua Koto Hoxhi, mësues në këtë shkollë dhe nxënësit e kësaj shkolle si: Petro Nini Luarasi (shkollën fillore në gjuhën greke e ka bërë në fshatin Nokovë–Lunxhëri…), vëllezërit Pandeli e Koto Sotiri dhe Jani Minga, të cilët ndezën dhe përhapën dritën e diturisë në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 1874 Koto Hoxhi me nxënësit e shkollës vuri në skenë, për herë të parë në gjuhën shqipe, pjesën teatrale “Dasma Lunxhiote”. Ishte kohë e vështirë për dije, brenda kontekstit historio-gjeografik. Epir!
Është koha kur kjo zonë, Lunxhëria dhe gjithë Epiri ishin nën sundimin turk. Qeveria osmane e asaj kohe, duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake.
Kristaq Zografo, me vizionin e tij pro perëndimor për arsim e dije, e me dashurinë për fëmijët e bashkëfshatarëve të tij, fillimisht, merr pjesë në përpjekjet që bëheshin nga rilindasit shqiptarë në Stamboll për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe. Jani Vreto shkruante: “Njerëz të shquar të kombit shqiptar, që jetonin dhe punonin në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Konstandinopojë, u bënë nismëtarët e një ndërmarrjeje kaq të madhe dhe të rendësishme, në themel të së cilës ishte gjuha shqipe si elementi kryesor në përcaktimin e kombësisë shqiptare. Mustafa pasha nga fshati Pojan, Sulejman pasha dhe Seit beu prej Tirane, Rustem pasha prej Leskoviku, Kristaq Efendi Zografo nga Qestorati i Gjirokastrës, Ismail beu nga Vlora, Pashko Vasa, katolik prej Shkodre, Hasan Tahsimi prej Filati, Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani, mblidheshin herë pas here dhe diskutonin bashkërisht për krijimin e një alfabeti për gjuhën e tyre”.
Këto mbledhje u takojnë viteve 1864-1869, ku përveç pjesëmarrjes, Kristaq Zografo premtoi se do të japë 1000 lira turke në vit për mbajtjen e shkollave shqipe. Nga këto takime iu dërgua një lutje vezirit të sulltanit Ali Pasha, te ndihma e të cilit patriotët e Stambollit shpresonin shumë. Lutja kishte dhe firmën e Kristaq Zografos. Kristaq Zografo, për të realizuar endrrën e tij, që të ngrinte një shkollë me paratë e tij në vendlindjen e tij, iu desh kohë e shumë përpjekje, brenda kontekstit historik të asaj periudhe…
Krahina e Lunxhërisë, në atë kohë, ishte nën autoritetin qeverisës të autoriteteve turke dhe të Mitropolisë në Gjirokastër. Në këtë periudhë, në krahinën e Lunxhërisë, gjuhët më të përdorshme ishin gjuha shqipe dhe greke…
(Shënim. Do të kemi parasysh se në këtë periudhë mungonte alfabeti shqip standard. Gjatë rrugës për shkrimin e gjuhës shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme, ndër ta ishte ai i Stambollit, por për diskutimin e një alfabeti të njësuar, vetëm më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastiritose Kongresi i Alfabetit).
***
Ndërtimi dhe funksionimi i shkollës Normale në Qestorat kaloi në tri etapa Pedagogjia në Normalen e Qestoratit me orientim perëndimor
Etapa e parë (1869-1874)
Kristaq Zografua, fillimisht vë në dispozicion një shumë parash për ndërtimin e godinave madhështore të Shkollës fillore, Shkollës greke dhe Shkollës femërore, në vendlindjen e tij në Qestorat, pranë kishës së fshatit.
Normalja e Qestoratit kishte si synim formimin e mësuesve dhe mësueseve për arsimin fillor. Sipas Rregullores së Shkollës, personaliteti i studentëve duhej të përshatej nga idealet e dashurisë për njeriun, duke hequr dorë nga interesat personale. Formimi i personalitetit mësimor duhej të kryhej nëpërmjet zhvillimit të forcave fizike dhe shpirtërore, simetrikisht dhe harmonikisht, pa i dhënë prioritet njerës palë në dëm të tjetrës, në mënyrë që të realizohej një tërësi psikike, fizike e energjike.
Ky zhvillim nuk do të bëhej i lirë, por sipas orientimeve dhe rregullave të pedagogjisë moderne të kohës. Por, edukimi i përgjithshëm nuk ishte i mjaftueshëm për formimin e personalitetit mësimor të studentëve. Studentët duhet të fitonin njohuritë e nevojshme pedagogjike dhe të pajiseshin me udhëzime praktike, për të përdorur metoda dhe forma të përshtatshme mësimore, gjatë ushtrimit të profesionit të mësuesit. Pas përfundimit të shkollës studentët kishin të drejtë të punonin si mësues në shkollat fillore, në tregti, sekretarë etj.
Kristaq Zografo, drejtimin e përgjithshëm të shkollave ia ngarkoi Jani Vajës, mjekut me kulturë të gjerë nga Lekli,i cili ishte drejtor deri në vitin 1874. Drejtor i Shkollës fillore dhe mësues emërohet Vasil Goudas (Gudha). Drejtore e Shkollës femërore emërohet Katerina Konstandinidhi. Funksionimi normal i shkollës filloi në vitin 1870, me arsimin fillor në gjuhën greke.
Intermexo historike familjare
Dega e familjes Gudha në Qestorat (1869 dhe në vazhdim…)
Shënim.Mësuesi Vasil Gudha (Goudas) është gjyshi i babait tim Kosta (Koço)… Mbiemri Goudas në shqip shqiptohet Gudha.
Mësuesi Vasil Goudas (Gudha) ka mbaruar studimet për mësuesi në një nga shkollat më të mirat, si “Zosimea” e Janinës. Mësues Vasili me hapjen e shkollës në Qestorat- Lunxhëri, vjen si mësues në Qestorat, sëbashku me gruan e tij Vasiliqi Varfi nga Himara. Në Qestorat ngritën shtëpinë e tyre mbi kishën qendrore Shën Mëhilli të fshatit.
Ata kishin 8 fëmijë: Marigo, Dhimitri, Hajdhica, Mihali, Harilla, Parashqevia, Alqiviadhi dhe Ariadhni. Tre prej fëmijëve (Harilla V.Gudha, Alqiviadhi V. Gudha dhe Hajdhica V. Gudha) u arsimuan në shkollën e Qestoratit. Gjatë kësaj periudhe, dy fëmijët e mësues Vasilit (Mihali dhe Harilla), u martuan me vajza nga Dhoksati: Mihali me Sofia Nerënxa dhe Harilla me Efrosina Cami. Vetëm, Mihal Gudha, (gjyshi tim, emigrant në Stamboll), familjen e stabilizoi në fshatin Qestorat. Fëmijët e tjerë të mësues Vasilit shkuan në Athinë dhe në Stamboll.
Mësues Vasil Gudha, pas, afro 25 vjetësh, si mësues në shkollën e Qestoratit, me mbylljen e shkollës, shpërngulet familjarisht nga Qestorati për në Berat… aty ku dhe vdiq.
(Shënim. Mësues Vasil Goudas(Gudha) është degë nga trungu i familjes së vjetër dhe të madhe Goudas, e vendosur në shekullin e 16-të në fshatin Grameno, më i madhi fshat dhe, qendra e një grupi fshatrash të quajtura Gramenohorjo në veriperëndim të Janinës).
Mësuesi Vasil Gudha është nipi i Vasil Goudas (Gudha) – (1779-1849), luftëtarit epiriot të 1821,i cili ishte sekretar personal e bashkëpunëtori më besnik i Marko Boçarit në betejat kundër turqve në Epir (Variadhë, Kumcadhë, Artë, Misolongji, Athinë, etj). Gjithë korrespodencën e Marko Boçarit me të tjerët dhe me Lordin Bajron e mbante Vasil Goudas (Gudha). “…Janë të shkruara nga dora e Vasil Gudhës që, Markua e kishte gjithmonë me vete Vasilin si Sekretar… Nga forma e shkrimit dhe ortografia shohim se Vasil Gudha e zotëronte shkëlqyeshëm gramatikën, por shkruante, ashtu siç ia diktonte Markua…”.
Mësuesi Vasil Gudha është kushëriri i Anastasios N. Goudas (Gudha) – (1816-1882), mjek, filozof, politikan, shkrimtar “Plutarku i ri” i Greqisë.
Etapa e dytë (1874-1879)
Në prill të vitit 1874, Shoqata Filologjike, me qendër në Stamboll, miraton idenë, me predispozitat më të mira dhe me shpenzimet e Kristaq Zografos, i sugjeron Shoqatës Arsimore të themelojë në Qestorat Shkollën Normale.
Krahas funksionimit të shkollave fillore u ndërtua dhe një godine e re për banimin dhe mensën e nxënësve, e pajisur me të gjitha mobiliet dhe mjetet e nevojshme.
U ndërtua godina madhështore me emërtimin Shkolla Normale “Zografo”… Ndërtesa e shkollës ishte një godinë e shkëlqyer trekatëshe pranë kishës qendrore të Qestoratit, e cila kushtoi 1500 lira floriri Turqie, një sasi e konsiderueshme parash për atë kohë.
Edukimi arsimor u përshtat me sistemet e reja pedagogjike dhe shkollat u pajisën me të gjitha mjetet mësimore, që përdornin metodat bashkëkohore. Në të njejtën kohë u krijua dhe Normalja femërore me një personel mësimor të veçantë. Normalja u plotësua me pedagogë nga më të njohurit e kohës. Drejtuesit e Shkollës zgjidheshin nga pedagogët, që kishin diplomë universitare,që kishin përvojë të pasur, aftësi drejtuese dhe njohuri filologjike e pedagogjike. Pedagogët e emëruar duhet të kishin mbaruar universitetin. Ata kishin kryer shkollat nga më të mirat, si “Zosimea” e Janinës dhe ishin nga kuadrot nga më të përgatitur, ku përmënden: Athanas Ikonomidhi, Vasil Gudha, Jani Joanidhi. Ata shquhen për formim të lartë filologjik, filozofik dhe pedagogjik.
Në Normalen e Qestoratit ishin mësues: V. Gudha, J. Joanidhi, A. Gavrili, K. Hoxhi, M. Paparusi, A. Ikonomidhi, K. Boga, D. Graco, D. Melixanopullo, E. Paguni, V. Papakristo, N. Panidhi, P. Camidhi, K. Koci, E.Vasidhiadhi, K. Kuvara.
Në artikullin e gazetës “Zëri i Epirit” citohet: “Zgjedhja e Qestoratit si një seli edukimi, bazohet në parimet mësimore të së ardhmes për zgjerimin e dijeve intelektuale të të rinjëve dhe të rejave, të destinuar t’ia kushtojnë vetveten veprës edukative të popullit të tyre në fshatrat e Epirit”.
Në një kronikë të kohës për Normalen citohet: “Askush s’mund ta verë në dyshim ndikimin e Normales së Zografos në edukimin dhe zhvillimin e banorëve të Epirit. Gjatë shumë viteve nga Qestorati, vendlindja e bamirësit më të madh dhe më të shkëlqyer të Epirit, dolën mësues me një edukim të përsosur, që përcollën në fshatra një vepër me rëndësi të lartë”.
Etapa e tretë e Normales zë një hapësirë kohore dhjetë vjeçare (1879-1890)
Drejtori i Normales së meshkujve (të djemëve) emërohet A. Zamaria, që sapo kishte mbaruar studimet pedagogjike katër vjeçare në Gjermani dhe Zvicër dhe ishte frymëzuar nga pikpamje të reja pedagogjike. Drejtoreshat e shkollës femërore (të vajzave) gjatë këtij dhjetë vjeçari ishin caktuar pedagoget me nivel të përsosur dhe moral të lartë, shumica kishin mbaruar Normalen “Arsaqio”.
Studentët vinin nga: krahinat e Dropullit, Janinës, Nikopojës, Paramithisë, Vellasë, Konicës, Beratit, Korçës, Përmetit, Durrësit, Elbasanit, Grebenesë. Nga këta, 30 djem dhe 30 vajza, ishin bursistë të Kristaq Zografos, që kishin falas studimet, konviktin, ushqimin, veshmbathjen dhe librat. Ishin studentë që vinin nga familje shumë të varfëra. 20-30 fëmijë dhe të rinj studionin në këtë shkollë nga Qestorati. Kandidatët, që do të studionin në Normale, duhej, pa përjashtim, të paraqisnin prova të sjelljes dhe respektit, të ishin të shëndetshëm dhe me zë të bukur.
Numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në Normale arriti në 259 djem dhe 105 vajza. Shkolla, krahas stafit pedagogjik, kishte kujdestarë tutorë për studentët, që duhet të kishin njohuri pedagogjike dhe përvojë të pasur në mësimdhënie. Gjithashtu, kishte tutorë të studentëve, që mund të ishin prindërit apo kujdestarë të zgjedhur nga studentët.
Mësimdhënia parashtronte si mision edukimin e aftësive shpirtërore dhe fizike të studentëve, përfitimin e njohurive të vlefshme dhe parapërgatitjen e tyre për zbatimin e njohurive në profesionin e mësimdhënies. Pedagogët kujdeseshin ta shpjegonin mësimin sa më thjeshtë, me forma krahasuese, metoda induktive, duke iu shmangur fjalëve të tepërta dhe preferonin të përdornin më shumë objektet e vërteta, se sa tabelat e vizatimet e tyre.
Në Normalen e Qestoratit bëheshin lëndët mësimore:
- Mësime të filozofisë edukative: histori e teori e pedagogjisë, teza filozofike të shkrimtarëve të vjetër dhe të rinj grekë, si dhe logjikë, që kishin si qëllim formimin me idealet e humanizmit neoklasik dhe shkencor, i cili po adaptohej në shkolla.
- Mësime të edukimit të përgjithshëm dhe përvetësimit të shkathtësive si: gjuhësi, matematikë, fizikë, gjeometri, kimi, gjeografi,histori(historia greke dhe romake), ekonomi politike, artet e bukura, vizatim, muzikë, gjimnastikë, agronomi, punëdore etj. Mësimet e fizikës, kimisë, aritmetikës dhe gjeometrisë zinin një vend të konsiderueshëm në program, drejt humanizmit shkencor si evoluimin në shekullin e 19-të.
- Mësime të perfeksionimit pedagogjik si: pedagogji, psikologji, kurs pedagogjik dhe ushtrime praktike në kopshte dhe në shkollat model fillore, që ishin brenda shkollës Normale etj.
- Gjuhët e huaja si: greqishtja e vjetër dhe e re, frëngjisht, turqisht. Në mësimin e greqishtes studioheshin veprat historike, retorike dhe dramatike të autorëve të lashtë.
- Në edukimin fetar përfshihej: historia e shenjtë, katekizmi, historia kishtare, studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe moralit kishtar. Ai kishte për qëllim edukimin e mendjes dhe tëzemrës së studentëve me parimet e besimit të shenjtë dhe tëtraditës kishtare, duke kombinuar dijet teorike me elementët moralë të jetës kishtare.
- Në një vend të posaçëm të Normales ishte vendosur dhe funksiononte laboratori, ku gjëndeshin mjetet më të rëndësishme si tabela, minerale, lëndë bimore, harta, vizatime dhe objekte të ndryshme për mësimin e shkencave fizike dhe eksperimeneteve të ndryshme.
- Studimi ditor i mësimeve ishte 5 orë. Nxënësit, pasdite, pas mësimit, mësonin në salla të veçanta. Drejtori dhe pedagogët e caktuar sqaronin problemet e pa qarta të studentëvegjatë studimit në orë të veçanta, ose pas përfundimit të studimit.
- Kujdestarët e klasave dhe të konvikteve kontrollonin studimin e e nxënësve, duke u siguruar rregull dhe qetësi. Personeli mësimor dhe ai kujdestar, përpiqej t’u frymëzonte studentëve dashurinë për librat dhe interesin për detyrat shkollore, në mënyrë që studimi të bëhej i vetëdijshëm dhe i pa imponuar nga jashtë.
- Biblioteka e shkollës kishte vepra të shkrimtarëve dhe poetëve të vjetër dhe të rinj, tekste mësimorë për arsimin e mesëm dhe fillor, vepra pedagogjike në gjuhën greke dhe frënge, revista dhe gazeta nëgjuhët: greqisht, frëngjisht dhe turqisht. Biblioteka kishte 35 vëllime me vepra të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Isodit, Platonit, Ksenofonit etj. Biblioteka shërbente dhe si sallë leximi për studentët e klasave të larta, në ditë dhe orë të caktuar.
- Sipas Rregullores së Normales, brenda godinave të shkollës, funksiononte kopshti dhe shkolla fillore model. Qëllimi i kopshtit model ishte drejtimi i fëmijëve të vegjël me sjellje dhe shprehi të jetës fizike e shpirtërore si dhe përvetësimi i dijeve e shkathtësive të thjeshta, pra edukimi parashkollor i tyre, sipas elementëve më kryesorë të sistemeve që mbizotëronin në Francë, Zvicër dhe Gjermani.
- Qëllimi i shkollës fillore model, sipas Rregullores, ishte zhvillimi harmonik i forcave fizike, shpirtërore dhe intelektuale të fëmijëve, nëpërmjet kultivimit të kriterit logjik, të orientimit të vullnetit ndaj së vërtetës, të së mirës dhe të bukurës, nëpërmjet nxitjes së ndjenjave atdhetare dhe patriotike dhe përvetësimit të dijeve, që t’i siguronin më vonë mjetet e jetesës. Edukimi parashkollor i tyre zhvillohej sipas elementëve më kryesorë të sistemeve, që mbizotëronin në Francë, Zvicër dhe Gjermani.
- Objekti dhe metodat mësimore bazoheshin në tezat pedagogjike të pedagogëve më të njohur në vend dhe jashtë, duke shfaqur mendimet kombinuese. Vlen të përmenden idetë mësimore të specialistëve të huaj, si p.sh të Rolenit, Zakotos, Grosëlenit, Herderit, Ramshornit, Uolfot, Pestalocit, Kosenit, Luterit dhe Shreberit.
- Shkolla organizonte shëtitje dhe eskursione të studentëve në vënde të përshtatshme përreth ose në fshatrat fqinjë. Studentët i jepnin gjallëri Qestoratit të vogël dhe banorëve të tij dhe shijonin bukuritë magjepsëse të natyrës së atij fshati të lumtur…
Të dielave shëtisnin mbi Kishën e Shëngjergjit, freskoheshin me ujin e ftohtë të kroit të fshatit e laheshin tek bendi i kroit.. Në ditë të caktuara studentët bënin ritualet në kishat e fshatit.
- Provimet e studentëve në të gjitha klasat bëheshin dy herë në vit, në fund të Janarit dhe në fund të Korrikut. Provimet e lirimit, që bëheshin zakonisht në fillim të Korrikut, ishin me shkrim dhe me gojë.
Pas përfundimit të provimeve, studentët vlerësoheshin me “Shkëlqyeshëm”, “Shumë mirë”, “Mirë” dhe diplomoheshin si mësues të fillores.
- Diplomat ishin të shkruara në membranë dhe shtypeshin nga Shoqata Arsimdashëse në Stamboll.
Pas përfundimit të provimeve të lirimit dhe ndarjes së dëftesave, bëheshin mbledhje festive dhe paraqiteshin para autoriteteve, prindërve dhe pjesëmarrësve, treguesit e lartë të rezultateve të studentëve.
Ja si e përshkruan në gazetën “Ylli i Lindjes” korrespondenti nga Gjirokastra, më 3 korrik 1882: “Të hënën e kaluar, në Normalen e Kristaq Zografos në Qestorat, me pjesëmarrjen e këshillit pedagogjik dhe Autoriteteve vendase përfunduan provimet dhe u shpërndanë diplomat në 8 djem dhe 4 vajza nga vende të ndryshme të krahinës. Në sallën e shkollës ishin grumbulluar intelektualë, mjekë të ardhur nga Gjirokastra, banorë të fshatit dhe mjaft të tjerë të ardhur. Pas fjalëve të drejtorit të shkollës për sukseset e arritura, pjesëmarrësit ndoqën nga studentët e klasave të larta “Antigonën” e Sofokliut”.
Në rastet kur studentët kishin mbaruar me rezultate të shkëlqyera, ata, me shpenzimet e Shoqatës, dërgoheshin në Evropë për të vazhduar studimet…
***
Mbyllja e Normales!
Sipas një korrespodence të asaj kohe nga Gjirokastra, disa përfaqësues të parisë së krahinës së Gjirokastrës dhe disa banorë të Qestoratit dhe të fshatrave përreth, akuzonin shkollën Normale “se, përgatiste revolucionarë të rinj, duke shkaktuar trazira të shpeshta në shkollat e administrative turke”. I dërgonin letra bamirësit Kristaq Zografo me shpifje e mashtrime për shëtitjet jashtë në natyrë, për këngët e sjelljet e pahijshme të studentëve. Kërkonin që të mbyllej Normalja?!
Qetësia në Normale u trondit në vitin 1890 nga përpjekjet, tani, të një faktori të brendshëm, të Mitropolitit të ri të Drinopolit, Kozma Evmorfopullo, si kryetar i financës së shkollës, i cili, me pa të drejtë, kritikonte personelin si të pa aftë e të pa përgatitur, duke mbjellë grindjen mes mësuesve të shkollës.
Guvernatori turk i shkruan K. Zografos për mbylljen e shkollës, duke e akuzuar Normalen në autoritetet otomane të Gjirokastrës, se “vepronte kundra regjimit dhe, se ishte kthyer në punishte rebelësh, të rrezikshëm për perandorinë otomane”.
Z. Zografo, në dhjetor 1891, duke dashur t’u shmangej pasojave të rrezikshme për personelin mësimor e studentët (arrestime, internime), me dhimbje e mbylli shkollën, pas një karriere të pandërprerë 22 vjeçare.
Dy vite më pas shkolla u shkretua dhe pa asnjë shpresë, se mund të hapej përsëri. Guri Rr. Sevo, në librin e tij “Petro Luarasi, Mësonjësi im i shqipes” shkruan: “…Gjer më 1885, mbaj mënd që ishte hapur ( Normalja), por kur vajta në Qestorat më 1889, e gjeta të mbyllur. Vetëm një shkollë kishte më në Qestorat atëhere, me një dhaskal grek, Gudas”.
Përfundime
Normalja e Qestoratit pati vlerat e saj kohore:
- Normalja e Qestoratit ishte vatër edukative me pikpamjet pedagogjike bashkëkohore të Evropës, që ushqente nxënësit me ndjenjat e humanizmit shkencor, duke i bërë ata pishtarë të dijes e të kulturës në të gjitha krahinat e vendit. Ndezi dritën e arsimit shqiptar në të gjithë Shqipërinë!
- Normalja e Qestoratit ishte një shtëpi e madhe emancipuese për familjet shqiptare. Bëhet fjalë për shkëputjen e vajzave nga familjet me zakone të rrepta prapanike nga krahina të ndryshme dhe, që do të jetonin për disa vjet në një fshat të vogël, Qestorat, sëbashku me djemtë. Ato do të studionin një profesion, që do t’i ndante përsëri nga familja, duke e ushtruar profesionin e mësuesisë në krahina të ndryshme të vendit, që ishin nën trysninë e konservatorizmit patriarkal feudal.
- Përfitimi ekonomik i krahinës ishte i madh. Qestorati ishte shndërruar në një qytezë të vogël me lëvizje dhe me komunikacion të përditshëm. Por, dhe Gjirokastra thithte sasi të konsiderueshme parash dhe të ardhura të tjera nga Normalja, sepse aty, nga tregëtarët gjirokastritë, bëhej tregëti e artikujve ushqimorë, të veshmbathjes dhe sendeve shkollore. Qeveritarët turq të krahinës së Gjirokastrës ndiqnin veprimtarinë e Normales dhe shumica e tyre e vizitonin atë.
***
Referencat
- “Far në male”. Shkolla Normale e Qestoratit”. Përgatitur e përkthyer nga greqishtja nga Kristaq Mandi, nga libri i autorit Konstantin Kiço, Drejtor nderi i Akademisë Pedagogjike të Janinës. 2014.
- “Petro Lurasi Mësonjësi im i shqipes”. Kujtime prej Guri Rr. Sevo, Korçë. Gusht, 1936.
- “GOUDAS (GUDHA), familje e madhe dhe e vjetër…”, Shqip, frëngjisht, anglisht. Andrea Gudha, Vasil Goudas. 2007.
- ”Vasil Gudha, luftëtari epiriot i 1821-shit, zv. gjeneral dhe sekretar i Marko Boçarit dhe Anastas Gudha mjek, politikan, shkrimtar, “Plutarku i Ri” Jeta dhe vepra e tyre”. Stefanos Betis, A.Gudha, 2007
- “Antigoneja e Lunxhërisë në lartësinë e qytetërimit ilir”. Dhimosten Budina, 1988.
- “Një vështrim i përgjithshëm mbi ecurinë e zhvillimit demografik të krahinës së Lunxhërisë”. Arqile Bërxholi, 19886.
- “Darka e gabuar”. Ismail Kadare, 2008.
Tiranë, Janar 2018.