Ulqini në kujtim të Kadaresë me kalimerën poetike “Basri Çapriqi”
Kalimera poetike, “Basri Çapriqi”, është manifestimi tradicional letrar në Ulqin dhe është gati për edicionin e 32-të. Do të mbahet prej 3 deri më 5 gusht dhe do të hapet me mbrëmjen kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq në ditën e parë të korrikut. Tashmë e ka bëre publik programin. E dyta mbrëmje është autoriale dhe i dedikohet studiuesit të letërsisë, akademik Ali Aliut dhe e treta, shkrimtarit Sadik Bejko. Organizator i Kalimerës Poetike – e cila prej vitit 2018 mban emrin e poetit të shquar, Basri Çapriqi, i cili vdiq atë vit – është shoqata e artistëve dhe intelektualëve “Art Club”
“Kalimera Poetike është manifestimi letrar kryesor ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe një nga më të rëndësishmit e këtij lloji në hapësirën shqiptare, nëse kemi parasysh emrat e shkrimtarëve mysafirë të këtij manifestimi përgjatë viteve. Si e tillë, ajo vazhdon të promovojë vlerat më të mira letrare që krijohen gjithandej në botën shqiptare, vendet e rajonit dhe më gjerë”, shkruhet në njoftimin e “Art Clubit”.
“Edhe edicioni i këtij viti do të mbahet në tri vende të ndryshme në Komunën e Ulqinit (Muzeun e Ulqinit në Kala, librarinë “Ulqini” dhe Muzeun Etnografik në Draginë), duke synuar që përpos letërsisë të promovojē edhe trashëgiminë historike e kulturore dhe potencialet turistike të këtij qyteti”, shkruhet në komunikatë.
Sipas programit, afishuar tok me njoftimin, në mbrëmjen letrare – pos fjalës përshëndetëse të kryetarit të “Art Clubit”, Ismet Kallaba – për krijimtarinë e Kadaresë do të flasin akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, botuesi Bujar Hudhri dhe shkrimtari Sadik Bejko.
Po ashtu, akademik Kraja do të flasë edhe për krijimtarinë e akademik Ali Aliut në mbrëmjen e dytë, vetë akademik Aliu në mbrëmjen e tretë flet për krijimtarinë e Sadik Bejkos./koha net