Zana Tako: Jeta si një simfoni…
Njeriu e dirigjon jetën e tij sipas dëshirës. Jeta është si një simfoni me nota herë të larta e herë të ulta, herë e vrullshme dhe herë e qetë.
Një simfoni nuk mund të luhet bukur pa ditur notat, pa shprehur emocionet. Nuk luhet simfonia e jetës pa ndjenjën, mbi të gjitha pa dashurinë, e cila i jep ngjyrë dhe emocion çdo note, çdo tingulli, e kështu krijohet ajo që themi, “vepër arti”, e cila ose duartrokitet, ose jo. Kështu edhe jeta e njeriut, jetohet në vlerë ose jo.
Njeriu mëson që të krijojë, por mësimet e vyera për një jetë të denjë e të shëndetshme e kanë edhe mësuesin e tyre, të denjë për të mësuar prej tij, dhe të vyer për të përfituar nga mësimet e tij.
Të zgjedhësh në jetë është virtyt i mençurisë, sepse i mençuri zgjedh për të mos e ndyrë jetën e tij.
Vështirësitë e forcojnë shpirtin, edhe vuajtja po ashtu, por në vuatje dhe në vështirësi dallohet edhe i mençuri, dallohet zgjedhja e tij.
Kur hapet dera e honit nuk di ku të kapesh, se honi është i thellë dhe i errët. Brenda këtij honi nuk bie nga dëshira, por nga vesi. Vesi është armiku i njeriut. Kjo notë e trishtë e çdo pentagrami luhet nga përtacë dhe shtiracakë. Muzika e këtij vesi është e shëmtuar për veshët e të mençurit!
Nuk është njëlloj si të biesh në errësirën e honit të thellë, ose të dëgjosh harpa qielli me zëra engjëjsh. Por njeriu në vullnet të lirë zgjedh, e zgjedhja e tij pasqyron edhe përgatitjen e tij.
Dembeli fle mbi librin e dijes. Përtaci e lë të palarë enën e vet. Llafazanit i digjet gjella. Të papastrit i bie erë trupi.
Njeriu nga përtacia harron se është njeri. Kjo harresë e shëmton. Shëmtia nuk ka lindur nga bukuria, e bukuria e njeriut është dhuratë që nuk duhet shkelur me këmbë.
Të shkelësh mbi vlera, është njësoj si të ecësh mbi një gropë të maskuar me degë pemësh. Kurthin nuk ta ngre dija, por mbrapshtia, së cilës nuk i je fshehur, as nuk e ke mohuar, por me anë të vesit e ke përqafuar dhe e ke dashur. Kjo lloj dashurie është jetëshkurtër, ashtu si vetë përtacia e njeriut, që ka zgjedhur shëmtinë pranë vetes.
Qëndroni syçelët, se armiku i njeriut nuk fle! Të quhesh rob i armikut tënd, do të thotë se nuk e ke njohur vlerën e lirisë kur ke qenë i lirë dhe nuk ke ditur vlerën e zgjedhjes kur të është ofruar vlera e dijes, thesari më i çmuar që vlen për të jetuar i denjë dhe i dashur për Zotin tënd!
31 Korrik 2024.