Prof. Beqir Meta: Historia tronditëse e një familjeje martire
Akademik Prof. Dr. Beqir Meta
Rrallë herë më ka rastisur të recensionoj një botim kaq tronditës sa “Saga e Blloshmëve”. Ndonëse unë jam historian dhe historia jonë kombëtare është shumë e dhimbshme, historia e kësaj familjeje martire shqiptare spikat në këtë trishtim me sakrifikimin tërësor të saj, ajo është një spikamë pafund në terrin e historisë sonë, e cila ushton në honet e saj të përgjakura drithëruese.
Kam njohur tre burra bujarë e patriotë të kësaj familje, zotin Hysen Blloshmi dhe Selaudin Blloshmi, të bijtë e Xhevdet Blloshmit në New York, si dhe autorin e këtij botimi rrënqethës, zotin Bedri Blloshmi, një nga martirët që vjen prej asaj skëterre për të na dëftuar me vërtetësi të admirueshme burrërinë, patriotizmin, vlerat kulturore e arsimore të paraardhësve të tij, kontributin e tyre në zgjimin e kombit shqiptar, në sendërtimin e shtetit tonë të ri kombëtar, në arsimin tonë, në ushtrinë tonë dhe në administratën tonë kombëtare.
Vjen për të na treguar dramën e familjes së tij që është edhe drama e të gjithë kombit tonë. Vjen të na tregojë se si familja e tij u përfshi në dallgët e para vrastare të luftës civile të nxitur, nisur dhe çuar deri në fund nga komunistët. Na tregon për viktimat e sajë të para të vrara nga ana e komunistëve, gjaku i të cilëve do të ishte një prelud i viteve e dekadave ogurzeza që e prisnin Shqipërinë.
Vjen të na tregojë me vërtetësi se familja e tij nuk e fali gjakun e bijve të saj, prandaj e zbatoi kodin e gjakmarrjes.
Ky libër i mbushur plot dokumente arkivore autentike, dëshmi, kujtime, përsiatje, pjesë nga shkrime historike, faksimile të shumta, pasqyron kalvarin e kësaj familjeje patriote, na jep dënimet e pamëshirshme e vdekjet në burgje, internime të pafundme të pjesëtarëve të saj, rropatjen e tyre në vuajtjet fizike e shpirtërore që nuk kishin fund, të imponuara nga regjimi komunist përmes mekanizmit të tmerrshëm të luftës së klasave, për të arritur rekordin më të zi të së keqes: pushkatimin e dy poetëve të rinj, Vilsonit e Gencit, në lulen e rinisë, vetëm se panë dhe përshkruan “Saharanë” shqiptare pa dritë, pa ujë, pa shpirt, pa shokë, pa dinjitet njerëzor, pa asgjë.
Dëshiroj të shpreh vlerësim për historinë e kësaj familjeje shqiptare, e cila ishte një nga gurthemelet e shumtë të kombit shqiptar në rrugën e tij të vështirë drejt progresit, shtetformimit, emancipimit dhe prosperitetit. Vlerësim për të gjithë pjesëtarët e saj, duke filluar me Hajdar Hysen Blloshmin, aktivist i Lëvizjes Kombëtare në fillim të shekullit të kaluar, kontribues i shquar në arsimin shqiptar, e veçanërisht në Normalen e Elbasanit; Selahedin Hajdar Blloshmin, oficer ndër të parët në shërbim të qeverisë shqiptare në vitet 1913-1914; delegat në Kongresin e Lushnjes, deputet i Prefekturës së Elbasanit, oficer i lartë në kohën e Republikës Shqiptare, si dhe diplomat – ministër i Shqipërisë në Bukuresht; Haki Hajdar Blloshmi, me universitet të kryer në SHBA, sekretar i konsullatës shqiptare në New York, oficer i Ministrisë së Brendshme në periudhën e A. Zogut, komandant i Ballit Kombëtar për zonën e Librazhdit e Qukësit, i vrarë pabesisht nga komunistët së bashku me vëllain e tij Shefqetin, më 7 mars 1944. Këtë krim vëllai tjetër Xhevdeti e ndëshkoi një javë më pas, duke marrë hak për masakrën e Dunicës.
Ai u arratis në ShBA duke lënë në Shqipëri katër fëmijët e tij, Selaudinin, Hysenin, Dianën e Minervën, që u internuan dhe u persekutuan për më shumë se katër dekada; Shahin Bajram Blloshmi që kishte studiuar në Athinë e Torino, e kishte punuar si oficer në ushtrinë shqiptare, u ekzekutua nga forcat komuniste pas babait të tij dhe ende nuk i janë gjendur eshtrat; Selman Hasan Blloshmi, atdhetar, pjesëmarrës në Lëvizjen Kombëtare, krahinar i Qukësit, kryetar i Komunës së Dumresë gjatë qeverisjes së Mbretit Zog; Aziz Selman Blloshmi i arsimuar në Graz të Austrisë, ushtarak i lartë në ushtrinë shqiptare, i zhdukur pa gjyq nga forcat komuniste në tetor 1944; Hasan Selman Blloshmi, dënuar me 20 vjet burg më 1952, internuar me familjen e tij më 1977, dhe i arrestuar përsëri e dënuar me 10 vjet burg, i cili në vitin 1982 ndërroi jetë në burg; Sami Selman Blloshmi i dënuar më 1963 me 7 vjet burg dhe më 1977 i internuar familjarisht me 19 veta për shkak të burgosjes së dy djemve të tij, si dhe poeti që hodhi në vargje Saharanë komuniste, poeti shpirtvrarë nga persekutimi e mjerimi që i kishte shkaktuar diktatura, i cili u pushkatua më 17 korrik 1977 në moshën 29 vjeçare, duke e çuar nivelin çnjerëzor të hakmarrjes komuniste në rekordet më të zeza planetare.
Respekti dhe vlerësimi im shkon posaçërisht për Bedri Sami Blloshmin, autorin e librit, i cili nga të mbijetuarit e kësaj familje ka vite që lufton për të na treguar të vërtetën e hidhur të fisit të tij. I burgosur për 15 vjet në burgjet çnjerëzore komuniste, refuzoi akuzat boshe në adresë të tij dhe nuk u përkul asnjëherë. Ai vijon të luftojë për rivendosjen e drejtësisë e cila ende është e përçudnuar nga tentakulat helmuese të komunizmit, duke demonstruar jo vetëm dinjitetin e derës së tij, dashurinë për njerëzit e tij, por edhe se është një luftëtar i vendosur për shëndoshjen e shoqërisë sonë të plagosur në shpirt e në mendim nga llumi i kuq.
Ky botim i cili përmban materiale të gjinive të ndryshme është një botim i vlefshëm për lexuesin shqiptar për të kuptuar thellësinë e persekutimit komunist, egërsinë e tij, hakmarrjen primitive të tij ndaj kundërshtarëve. Pasqyrohet zbatimi i luftës famëkeqe të klasave nga regjimi komunist, zbulohen dhe dalin në pah mënyrat e veprimit dhe mekanizmat diferencuese dhe shtypëse që përdorte regjimi, funksionimi antiligjor dhe partiak e klanor i organeve të diktaturës. Zbulohet lidhja organike midis luftës civile dhe luftës së klasave që zbatoi më vonë regjimi komunist që u vendos në Shqipëri, të cilat dalin qartë si dy segmete të së njëjtit fenomen e mekanizëm, marrjen e pushtetit përmes dhunës dhe mbajtjen e tij po përmes saj. Familja Blloshmi e provoi më shumë se kushdo si pak familje të tjera shqiptare këtë mekanizëm të tmerrshëm e primitiv.
Nga këto materiale të paraqitura në këtë botim pasqyrohet me vërtetësi edhe qëndresa me armë e burrave të familjes Blloshmi kundër forcave komuniste, gjaku që derdhën ata për të parandaluar vendosjen e diktaturës së kuqe në Shqipëri. Pasqyrohet edhe qëndresa e heshtur e kësaj familjeje por e paepur dhe dinjiteti burrëror që treguan përpara shtypjes, diskriminimit, provokimeve, përpjekjeve për korruptim nga strukturat e regjimit. Dashuria e tyre për vedin e vet dhe përpjekjet titanike për të mbijetuar e shkolluar fëmijët.
Si përfundim un e vlerësoj lart punën e bërë nga zoti Bedri Blloshmi për mbledhjen e këtyre materialeve, hulumtimin e dokumenteve nëpër arkiva, paraqitjen me korrektesë të tyre në botim, shënimet e komentet që ai ka bërë për ngjarje e probleme të ndryshme, përsiatjet dhe esetë që ai ka paraqitur si dhe kujtimet e përjetimet personale të ngjarjeve.
Prandaj e përgëzoj atë për këtë botim dhe shpreh konsideratën jo vetëm për sakrificat dhe vuajtjet e tij e të familjes Blloshmi por edhe për punën serioze që ka bërë ai për të na sjellë me vërtetësi copëzat e historisë së trishtë të kësaj familje.