Rudolf Marku: 30 vite më parë, Ezra Paund
30 VITE MË PARË
Ky libër i Ezra Pound ka gjithësejt 52 faqe (duke mos llogaritur parathënien e librit, shkruar nga botuesit e sotëm). Libri u botua së pari në Tetorin e vitit 1958, nga ‘Faber and Faber’, Londër dhe nga New Direction, ShBA, kjo e dyta, aso kohe, një Shtëpi Botuese gati e panjohur e New Yorkut.
Libri titullohet ‘Diptych Rome- London’ dhe përfshin dy poema dhe 12 poezi të shkurta.
Në vitin 1994 -me 1 Gusht, plot 30 vite më parë, kam qënë i ftuari i New Direction, ngase kisha përkthyer dhe botuar për herë të parë në gjuhën shqipe disa poezi të Ezra Pound. Zonjusha simpatike Bar’bra, redaktore e Shtëpisë Botuese, pas drekes që patëm në verandën e zyrës së saj, në një grataciel në Avenjunë e Pestë, më dha një kopje të Librit të E.Pound, me dedikasin e Shtëpisë Botuese.
Nga dy poemat e librit, në mënyrë të veçantë ajo me titullin ‘Hugh Selwyn Mauberley’ është, për mendimin tim, njëra nda dy poemat më të fuqishme që u shkruan në shekullin e XX, së bashkë me ‘Waste Land’ të T.S. Eliotit. Kjo poemë e përkthyer do të ribotohet në përmbledhjen e poezive botërore që shpresoj ta nxjerr nëpër librari në Tetorin e këtij viti.
Poema është si një pastiche creative, nga një traditë poetike, që është harruar, në një botë bashkëkohore. Është diskursi poetik, dhe jo vetëm poetik, i marrëdhënieve të vështira të botës së sotme moderne me traditën, në atë mënyrën sfiduese të poezisë për të cilën është e njohur poezia e Ezra Pound. Në mënyrën më të kureshtshme, në Këngën e Tretë gjejmë këtë strofë:
All men, in law, are equals.
Free of Pisistratus,
We choose a knave or an eunuch
To rule over us.
Fjalë për fjalë, do kishim këtë përkthim: Gjithë njerëzit janë të barabartë/ Të lirë nga Pisistratusi/Ne zgjedhim mes një Horri dhe një Eunuku/ Që të udhëheqin mbi ne.
Për Ezra Pound, demokracia, ose ajo që quhet Demokraci, i jep njeriut modern të drejtën që të zgjedh jo mes një të mire dhe një të mirë tjetër më pak të vogël, ose jo mes një të mire dhe një të keqeje. Njeriut modern i jepet e drejta të zgjedh mes një të keqeje dhe një tjetër të keqeje!
Ngase intonacioni kryesore i këngës së tretë është ironia, e kam përkthyer kështu:
Gjithë njerëzit, pas ligjit, janë t’barabartë
Të lirë prej Pisistratut,
Në zgjedhim mes një Horri a një Eunuku
Të na sundojë sipas merakut.
Këto klasikët nuk duken se janë aq larg nga ne, sidomos kur i lexon me kujdes!