Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e Bibliotekës “Gjergj Fishta”, si u krijua dhe roli i saj sot

Neritana Kraja

Tradita e librit lidhet me Shkodrën, si qendër e rëndësishme administrative, fetare dhe ekonomike. Shkodra mban në vetvete historinë e librit dhe të bibliotekave të saj.

Një ndër to është Biblioteka e Françeskanëve, emri i së cilës është i lidhur ngushtë me emrin e At’ Gjergj Fishtës, shkrimtarit, publicistit dhe njërit prej intelektualëve më të shquar të kohës, që u vu në mbrojtje të interesave kombëtare edhe në arenën ndërkombëtare. Krahas kontributeve të tjera, At’ Gjergj Fishta dha ndihmën e tij edhe në fushën e studimeve albanologjike, duke ngritur një nga bibliotekat më të pasura të kohës, Bibliotekën Françeskane në Shkodër, e cila sot mban emrin e tij. Ndërtesa ku është vendosur biblioteka si dhe Kuvendi Françeskan janë projektuar nga At’ Gjergj Fishta. Nëse kujtesa nuk ju tradhëton, fotografia e famshme ku At’ Gjergj Fishta, është i përkulur mbi skrivaninë e punës dhe po hulumton mbi një libër, ndërsa pas krahëve të tij janë rafte të tërë me libra, i përket pikërisht kësaj biblioteke, e cila ndodhet në zemër të qytetit të Shkodrës. Ajo ruan brenda saj, histori, kulturë, përkushtim dhe qëndresë. Është një vlerë unike e qytetit, që të bën të ndiehesh krenar.

Nëse shkon si vizitor në këtë bibliotekë dhe kërkon me dokumentesh dhe albumesh që janë në dispozicion të vizitorëve, aty mund të zbulosh talentin shumë dimensional të Fishtës, kur sheh skicat e projektit të ndërtesës, bërë nga vetë Fishta, i cili merr edhe rolin e arkitektit dhe të dizenjatorit. Një hapësirë e vogël, por e konceptuar dhe e shfrytëzuar deri në detaje.

Biblioteka u themelua në vitin 1875, 20 vjet pasi françeskanët u vendosën në Shkodër. Ideator i kësaj biblioteke ka qenë At’ Gjergj Fishta dhe që në fillesat e saj biblioteka ishte shprehja më e bukur e françeskanëve, të cilët për shekuj me rradhë së bashku me popullin shqiptar, mbrojtën gjuhën, traditat dhe identitetin kombëtar. Biblioteka ishte konceptuar në atë kohë nga At’ Gjergj Fishta si redaksi e “Hyllit të dritës” (revista e parë botuar në Shqipëri nga Françeskanët), ku do të bëheshin kërkime shkencore. Ishte kujdesi i veçantë i Gjergj Fishtës që e zgjeroi këtë bibliotekë me libra të vjetë e të rrallë. Interesant është fakti se kur ai shkonte nëpër Europë si delegat i shtetit shqiptar, vizitonte biblioteka dhe librari dhe sillte në Shqipëri libra të rrallë.

Biblioteka e ka vazhduar traditën e saj deri në vitin 1921 ku është zgjeruar, sidomos me shkrimet e At’ Gjergj Fishtës, Shtjefën Gjeçovit, me punën e palodhur të Pal Dodës, etj, deri në vitin 1945 kur biblioteka u mbyll, ndërsa fondi i saj u konfiskua nga shteti. Një pjesë e këtij fondi, sidomos fondi antik, sot i përket Bibliotetës Kombëtare në Tiranë, një pjesë Bibliotekës Marin Barleti në Shkodër, një pjesë Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, ndërsa një pjesë nuk dihet se ku ka përfunduar.

 

Nga viti 1945 deri në vitin 1990, Kisha dhe Biblioteka aty pranë, e humbën funsionin dhe gati u shkatërruan, por pas rimarrjes së tyre nga françeskanët, nisi puna për rindërtimin e tyre dhe në vitin 2003 u bë e mundur rindërtimi nga e para, sipas projektit të At’ Gjergj Fishtës.

Biblioteka e Fishtës u rihap me Fondin e Studimeve Shqiptare nga At’ Jak Marlekaj, At’ Daniel Gjeçaj dhe At’ Paulin Margjokaj. Fati i mirë i ndërtimit të kësaj biblioteke ishte se në atë kohë të tre këta ndodheshin jashtë vendit për studime. Dy fretërit, At’ Jak Marlekaj dhe At’ Paulin Margjokaj, nuk u kthyen më në Shqipëri, por, në mënyrë personale nisën që të grumbullonin libra që në një të ardhme të ndërtonin dhe një herë bibliotekën në Shkodër. Qëllimi i tyre del qartë gjatë leximit të letërshkëmbimeve, që ata mbanin me njëri-tjetrin. Këtyre dy fretërve iu bashkëngjit dhe At Daniel Gjeçaj, i cili u largua nga Shqipëria në vitin 1948.

Priftërinjtë në mërgim nisën që të bashkëpunonin me persona të tjerë, njerëz të shquar të kulturës shqiptare, si Ernest Koliqi, Martin Camaj etj. Madje, ky i fundit ka pasur një bashkëpunim shumë të madh me ta. Korrespondenca e tyre është më shumë miqësore, sesa akademike. Pas viteve 90, bibliotekat e tyre personale u vendosën në Shkodër.

Pikërisht falë këtyre tre personaliteteve, u krijua një bërthamë, një bibliotekë e vogël e studimeve shqiptare me libra të vjetër. Librat e kësaj biblioteke janë vërtetë një mrekulli.

Është një bibliotekë e mirëfilltë albanologjike, me studime shqiptare dhe ballkanologjike, enciklopedi të ndryshme të artit, letërsisë, kulturës dhe të shkencës. Krahas veprës së Fishtës, në bibliotekë ruhen dorëshkrimet me vlerë të Zarishtës, Gjeçovit, Marlaskajt, etj.

Ky thesar i pazbuluar i Shkodrës mban edhe shumë libra origjinal, shumë të vjetër, deri të pesë shekujve më parë, apo pergamenë tejet të vjetër. Në fondin aktual të bibliotekës zënë vend libra të çmuar, si: vepra origjinale të autorëve të rilindjes, të vëllezërve Frashëri, At’ Gjergj Fishtës, të Dom Ndre Mjedjes, At’ Zef Pllumit, të Ernest Koliqit, Martin Camajt, Lasgush Poradecit e të sa e sa përsonaliteve që jetën e tyre ia kushtuan atdheut tonë. E jo vetëm këto vepra të rëndësishme, por mund të shkojmë edhe në kohët më të vjetra, psh. te botimi historike për Gjergj Kastriot Skënderbeun, që i përket vitit 1580; te libri i Ptolomeut mbi pjesën që trajton vendin tonë dhe që daton në vitin 1561; te veprat origjinale të Budit e Bogdanit, apo te koleksioni i plotë i gramatikave të gjuhës shqipe, duke nisur nga “Gramatika e gjuhës shqipe” e vitit 1716.

Biblioteka françeskane “Gjergj Fishta” është një referencë shumë e vyer e kulturës në Shkodër. Ajo mbahet e drejtohet nga françeskanët, të cilët nuk e reshtin asnjëherë punën për të mbledhur libra të vjetër, qoftë edhe nëpër familje të cilat ua dhurojnë, ose duke blerë libra të rinj me vlerë.

Biblioteka e Françeskanëve vazhdon të japë ndihmesën e saj në studimin e historisë dhe të kulturës kombëtare, ndërkohë që përveç studiuesve që e kanë si pikë reference, jo rrallë herë vizitohet nga të interesuarit kuriozë.

Ndërkohë Biblioteka e Françeskanëve ka edhe Shtëpinë e saj Botuese, e njohur si “Botimet françeskane”, që luan një rol të rëndeësishëm në pasurimin e fondit të autorëve françeskan.

Please follow and like us: