KUSHTETUTA QË MBRON LIRINË DHE TË DREJTËN E JETËS NË HARMONI ME VETË DREJTËSINË
Zana Tako
Ligji i njeriut ndryshon nga ai i Zotit. Shpeshherë duam të nxjerrim në dukje të vërtetën e ligjit, i cili e mbron njeriun nga çdo e keqe që mund t’i kanoset në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi.
Vetë ligji është mbrojtje, nëpërmjet së cilës e keqja, e pavërteta, kundërshtitë, kanosja, lakmitë, djallëzitë, vihen përpara drejtësisë, duke shmangur çdo rrugë që shpie në deformimin e së vërtetës. Por a mundet njeriu, që me forcën e tij të verë në punë ligjin e së vërtetës për të mbrojtur drejtësinë? A mundet njeriu që me anë të drejtësisë, të nxjerrë në dritë të vërtetën e munguar, të cilën e shpërdorojnë për qëllime të mbrapshta?
Kushtetuta e çdo vendi dhe kombi, është siguri dhe mbrojtje për çdo qytetar të lirë në shtëpinë e tij. Kushtetuta nuk përmban në vetvete mohimin e ligjit, por Kushtetutë do të thotë ligj i shkruar me gërmat e së vërtetës, të cilat vulosen me vulë drejtësie në mbrojtje të jetës dhe të të drejtave të njeriut pa asnjë kompromis.
Kushtetuta nuk qepet e nuk shqepet sipas dëshirave të njeriut. Dëshira nuk e mbron njeriun. Lakmia e shpërbën ligjin. Qëllimi i vetvetes është burg për ligjin e së drejtës.
Shteti mbrohet me Kushtetutë. Kushtetuta e mbron shtetin nëpërmjet ligjit të së drejtës. Korrupsioni luftohet me ligj, por ligji nuk mund të quhet lodër në duar të të korruptuarve.
Çdo hallkë e ndërmjetme që forcon ligjin, quhet nen i Kushtetutës, prej së cilit kanalizojmë rrjedhjen e ligjeve në rrugën e drejtësisë. Këto nene nuk shërbejnë për të forcuar dëshira dhe qëllime të individëve, por i shërbejnë shumicës ku merr kuptim edhe fuqia e ligjit.
Dredhitë nuk i shërbejnë neneve dhe pikave përcaktuese, por nëpërmjet drejtësisë së të vërtetës, nëpërmjet këtyre hallkave që formojnë atë zinxhir të pashkëputur, u pritet rruga abuzimeve në emër të ligjit.
Kushtetuta nuk është fole grerëzash ku zhurmojnë dhe thumbojnë grerëza që nuk bëjnë mjaltë. Politikanë me emër, ose politikanë që qëndrojnë në hije, i shërbejnë ligjit, por jo atij të vetvetes.
Me Kushtetutë mbrohet jeta, por jo politikani. Me Kushtetutë mbrohet e drejta, por jo politikani. Kushtetuta nuk është një libër me fletë të palosura më dysh, por është libër i hapur për të gjithë, me faqe të plota, pa cënuar asnjë gërmë në tjetërsim të qëllimeve vetjake.
Të mos kuptosh rëndësinë e Kushtetutës së një kombi, dhe për më tepër të luash me ligjet dhe rregullat e saj, quhet tradhti e lartë kombëtare. Në emër të Kushtetutës dënohet dhe ç’rrënjoset çdo tradhti kombëtare dhe njerëzore.
Interesat e një kombi qëndrojnë mbi ato personale, por nëse interesat personale vendosen mbi ato të një kombi, atëherë vetë një popull dhe një komb i bashkuar, mund të vendosë drejtësi pa kompromis në emër të jetës dhe së vërtetës.
Të luftosh korrupsionin në emër të jetës, të nxjerrësh në pah tradhtinë në emër të jetës, dhe të triumfosh mbi tradhtinë në emër të jetës nuk është dëshirë, as pasion njerëzor, por quhet detyrë njerëzore në emër të kombit dhe të jetës për çdo qytetar që e njeh lirinë dhe bukurinë e jetës në saj të drejtësisë.
Fjalët e shumta në emër të lirisë por pa fryt, janë rezultat i dobësisë së mendimit të pjekur që nuk i shërben njeriut të lirë. Në emër të Kushtetutës çdo qytetar i lirë zotëron të drejta të plota në vendin e tij në emër të lirisë. Cënimi i këtyre të drejtave, është tradhtia më e lartë që mund t’i bëhet drejtësisë në emër të lirisë.
Koha që po kalojmë, është shembulli më i qartë për të gjitha kombet anembanë globit. Në emër të lirisë qytetarët zgjohen nga gjumi i rëndë dhe me ëndrra shterpë, se gëzojnë lirinë në përplotësinë e saj!
02. 08. 2021.
Please follow and like us: