Kristaq Balli: KONFIRMOHET EMRI I VЁRTETЁ I GJON MILIT
KONFIRMOHET EMRI I VЁRTETЁ I GJON MILIT.
ZBARDHET DOKUMENTI
Edhe pse për një detaj jo edhe aq të rëndësishëm, njerëzve dhe artistëve të shquar si Gjon Mili ju kushtohet vëmendje, jo vetëm për krijimtarinë e tyre, por edhe për të dhëna të të imta të jetës private.
Një objekt diskutimi për Milin ka qenë edhe emri i tij.. Ai ka lindiur në Korçë në një familje të besimit të krishterë ortodoks, ku emri Gjon përdorej, por shumë rrallë. Kur ishte rreth 5 vjeç familja e tij emigroi në Rumani, ku ai kaloi adoleshencën, dhe rininë duke studiuar në Kolegjin Kombëtar “Georghe Lazar” të Bukureshtit. Më 1923, tashmë një djalë i formuar, ai shkoi në ShBA për të studiuar në universitetin e famshëm MIT (Masachussets Institute of Technology) në degën e inxhinierisë elektrike. Ndërkohë, ai u aktivizua në disa mënyra në veprimtarinë patriotike të Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe në gazetën e saj “Dielli”, ku u takua dhe njohu shumë veprimtarë patriotë shqiptarë. Midis tyre, Faik Konica që në atë kohë ishte edhe president i “Vatrës”, duke vëzhguar cilësitë e të riut, u bë këshilluesi dhe mentori i tij intelektual, falë të cilave u konfiguruan edhe disa nga tiparet prokommbëtare dhe aktive të Milit në Federatën Shqiptare Vatra.
Deri në këtë kohë, duke aluduar se emrin e vërtetë në Shqipëri e ka pasur Jani, ngase në ShBA e “amerikanizoi” në John (Xhon) (siç bënin rëndom emigrantët e huaj për të thjeshtëzuar transliterimin e emrit në anglisht), ai identifikohet me këtë emër. Kjo zgjat, të paktën deri në vitin 1927, vit prej të cilit na vjen në ndihmë një foto në faqen e parë të gazetës Dielli të dt. 6 Shtator 1927, ku paraqiten një grup patriotësh e veprimtarësh të Federatës Panshqiptare “Vatra”, gjatë kuvendit të saj. Në diçiturën poshtë saj, janë vendosur emrat e tyre, midis të cilëve edhe John Toti Mili.
Në artikullin “Gjon Mili – Fotogfrafi i shquar shqiptaro-amerikan” të studiuesit Qerim Vrioni (ARS POETIKA – Shkurt 2009 f.4-8), ndër të tjera thuhet: “ …në këtë vit e hasim për herë të fundit emrin John në një foto të “vatranëve” me Konicën (1927)…” Ndërkohë, po në vitin 1927 ai boton në gjuhën shqip tek gazeta Dielli nën emrin Gjon Mili “përrallën” “Patatet” (Dielli 11 Tetor 1927) dhe, më tej, dy tregime “Endër” dhe “Gjyslykët” (Dielli, 25 Maj 1928) me subjekte e refleksione mërgimtarësh shqiptare, të cilat ribotohen si të tilla më 1929 edhe në revistën “Studenti Shqiptar” që editonte Odise Paskali në Torino, Itali. Pra qysh në vitin 1927 ai identifikohet për të gjithë jetën me emrin Gjon Mili.
Këto të dhëna, si dhe vetë dëshmitë e Milit na bëjnë të aludojmë faktin që lidhja me Faik Konicën dhe influenca e tij në botëkuptimin patriotik e atdhetar të Milit ka qenë të rëndësisme. Vetë Mili thotë: “Zura miqësi me Faik Konicën, …një mik i vjetër shqiptar. Një shkrimtar elegant, një humanist i kulturuar dhe një intelektual i mprehtë. Konica nxiti zgjerimin tim ndaj interesit për artet, veçanërisht për kinematografinë, e cila i pëlqente shumë dhe konsiderohej si një formë e rëndësishme arti”. (Gj.Mili: Photographs & Recollection, f. 18, Boston,1980).
Edhe, më pas, kur Konica do të ishte ambasador (ministër) i Shqipërisë në SHBA, takimet, apo letërkëmbimet me të do të ishin të shpeshta e tepër mbresëlënëse”.
Pra, takimi i vitit 1927 me Faik Konicën, ka qenë momenti kur Konica, veç të tjerash, i ka sugjeruar Milit që ai të përdorë emrin Gjon, pra një emër “të kulluar shqiptar”. Edhe pse vetë Mili nuk ka përmendur këtë detal, këshilla u mirëprit, fama e një fotografi të shquar modern do të shqiptohej gjithë jetën në një emër unik shqiptar – Gjon. Të kujtojmë gjithashtu se Konica ishte një gjuhëtar e filolog i pashoq, dhe emri Gjon kishte qenë për të një emblemë arbërore. Madje, ai pat shkruar më 1911 edhe dy romane në frëngjisht (“Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”) me pseudonimin e tij Gjoni i Krujës.
Por suksei dhe fama që arriti Gjon Mili më pas me krijimtarinë e tij fotografike, sidomos me atë të botuar dendur në revistën Life, krijuan një problem gjuhësor tek publiku amerikan. Disa admkirues të revistës Life, duke vlerësuar lart krijimtarinë e Gjon Milit, në letrat e tyre dërguar reaksisë shprehnin edhe një “shqetësim” mbi vështirësinë apo pamundësinë e leximit dhe shqiptimit korrekt të emrit të këtij artisti të shquar, veçmas të shkronjës Gj., e cila nuk ekzistonte në gjuhën angleze.
Me këtë rast revista u detyrua të botojë në një prej rubrikave të saj një bashkëbisedim sqarues me njërin prej këtyre dashamirësve të Milit. Ja çfarë thuhet aty:
“Problem gjuhësor”
“Zotërinj:
Kam qenë gjithmonë krenar me veten për aftësinë e shqiptimit të emrave të huaj. Por, mjerisht, kam frikë se kam pësuar një goditje dërrmuese në karrierën time gjuhësore. Përpara se t’ju shkruaja, kam pyetur njerëz gjuhë lidhur, buzë lepur, me qiellzë të çarë, me mustaqe dhe mjekër, madje kam përtypur edhe mermer në gojën time, por të gjitha pa dobi. Ndaj, ju lutem që të plotësoni kërkesën time të paktën 99% të saktë, si e shqiptoni emrin e fotografit tuaj të shkëlqyer, Gjon Mili?”
Përgjigje e redaksisë:
Në Shqipëri, vendlindjen e Milit, ‘gj’ tingëllon si ‘y’. Shqiptimi: Yawn Meelee –ED” (Linguistic Problem, LIFE , 17 Feb 1941, f. 7)
Sidoqoftë, edhe kjo përgjigje nuk ishte as gjysma e 99% . Vetëm alfabeti shqip dhe shqiptarët mund ta lexonin e shqiptonin saktë këtë emër autentik shqiptar.
E hartova këtë digresion edhe me disa nota këndellëse rebusi, jo se do të bëjmë ndonjë evidentim të madh biografik, apo krijues, porse do të konfirmojmë një detal jetësor, të parin në jetën e një njeriu, qa ka qenë i panjohur plotësisht, pak enigmë, që ka krijuar gjatë jetës e krijimtarisë së tij, por edhe pas vdekjes edhe disa interpretime, ndonëse jo të rëndësishme, por gjithsesi ato kanë ngjallur diskutime të ndryshme mbi emrin dhe vendlindjen e tij.
E pra, së fundmi kemi siguruar një dokument zyrtar, ku pasqyrohen gjeneralitetet e plota të lindjes, emri i pagëzimit, si dhe disa detale të tjera mbi familjen e të afërmit e tij
Ky dokument është pjesë e “Amzës së lindjeve dhe të pagëzimeve” të Mitropolisë së Korçës që mbulon vitet 1901 – 1918, i cili, sot, ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave i transkriptuar nga shkrimi me dorë (greqisht -origjinal) dhe i përkthyer nga specialistët e saj në gjuhën shqipe. Ai vjen i dixhitalizuar në formën e një certifikate.
Pra dokumenti sipas regjistrit njofton se prej prindërve Vasil Kristo Mili Toti dhe Viktori Mihal Çekani lindi më 28 Nëntor 1904 një foshnjë mashkull, i cili u pagëzua më 12 Dhjetor të po atij viti me emrin Joan prej Papa Dhimitri Manço, famulltar në Korçë dhe u prit prej kumbarës Vasiliqi Visarion Puniasi.
Pra, ky dokument konfirmon ngjarjen e parë ceremoniale të fillimit të jetës së një njeriu që do të bëhej një prej artistëve të famshëm botërorë në historinë e fotografisë moderne të shek. XX., i njohur me emrin Gjon Mili.
■ ■ ■ ■
Fig. 1: Gjon Mili.
Fig. 2: Faik Konica me vatranë, midis tyre John Toti Mili (Gjon Mili).
Fig. 3: Tregimi “Ёndër” i Gjonn Milit në rvistën “Studenti Shqiptar” të Odise Paskalit, Torino, Itali. 1929.
Fig. 4: Problem gjihësor, LIFE 17 Feb 1941, f. 7.
Fig. 5: Certifikata e pagëzimit dhe gjeneralitetet e Joan Mili (Gjon Milit).
Please follow and like us: