Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Në natën plot acar

Në natën plot acar një zjarr desha të ndez

Por, nata ish e ftohtë, ah, ç’tmerr i zi që ish,

Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh

Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.

Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mbledh në terr,

Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim.

Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht

Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.

Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh,

Se duhej që dikush ta mbante atë flakë.

Në flakëzën-delir që veç vajosja sjell

Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.

I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka

Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush.

Se donin që të gjithë ta fiknin atë zjarr,

Dikush me ligësi e me padije dikush.

Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë

Të tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin që përtej.

Se s’donin të kuptonin ç’bëhej këtu brenda

Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.

I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra,

Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund.

Të verbtit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë

Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.

Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul,

Si murgu shkretimtar që shkarpat verbtaz mbledh

Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull

Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.

1984.

Please follow and like us: