Albspirit

Media/News/Publishing

MOSKUPTIMI OSE KUPTUESHMËRIA E PAPLOTË E SHKRIMTARËVE GJENIALË

Nga Bujar Skëndo

1.

Është pranuar prej kohësh se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një gjeniu është ta kuptojnë tërërisht që në botimin e parë të veprës të tij. Në një rast të tillë, mjerisht, do kishim një shkrimtar thjesht të përkoshëm, lehtësisht të kuptueshëm, të kufizuar, të harrueshëm. Kurse gjeniu është shkrimtar i të panjohurës e i të paarritshmes. I dendësisë së pafund të ideve dhe thellësive të pakapshme të mendimeve. Është një shkrimtar i përjetshëm.

Me shkrimtarin tonë gjenial Ismail Kadare ka ndodhur diçka edhe më e ndërlikuar. Për herë të parë në historinë e letërsisë shqiptare kishim një shkrimtar të jashtëzakonshëm, vepra gjeniale e të cilit është admiruar nga lexuesit e tij të shumtë. Por edhe është moskuptuar, keqkuptuar, keqinterpretuar, keqtrajtuar prej diktaturës. Armiqësisht, me këmbëngulje, vetëdijshëm. Kurse kritika është treguar krejt e paaftë për t’u përballuar me veprën kadareane. Siç rrëfen vetë Kadare, për një dyzinë të librave të tij të famshëm, “nuk është shkruar asnjë reçension”! Një njollë e zezë në kulturën tonë! Mëkat i pashlyeshëm! Dhe në rastet kur është shkruar, vetëm sa është prekur ana e dukshme e vlerave të tij artistike. Dhe po ashtu, vetëm idetë e mendimet e përvijuara vetëm në shtresëzimin e parë të veprave. Nuk është tentuar aspak zbërthimi në thellësi i ideve e mendimeve të mëdha të shkrimtarit gjenial. Nga paaftësia? Nga konformizmi? Nga frika? Ndoshta nga të tria. Nuk është kuptuar, pothuajse asnjëherë, çfarë fshihej më në thellësi, çfarë mendimesh vlonin brenda, poshtë fjalëve, fjalive, paragrafëve dhe, afërsisht, 40 mijë faqeve të shkruara nga shkrimtari ynë gjenial. Nuk janë zbërthyer reflektimet e dyfishta apo të shumëfishta të artit të tij. Në atë kohë, kjo ka qenë sa përfytyrueshme, e shpjegueshme, aq edhe e papërfytyrueshme, e pafalshme. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një krijimtari gjeniale si ajo e Kadaresë.

Njerëzimi, çdo gjeneratë, çdo shekull kërkon e gjen në veprat gjeniale përgjigje për shqetësimet e kërkesat e veta, zbulon ato ide për të cilat ka nevojë e është i etur. Sepse veprat gjeniale ashtu janë, një det i pafund e i pashtershëm idesh e formash artistike.

Ana e pakuptueshme e veprave gjeniale nuk ka asgjë të përafërt me pakuptueshmërinë e veprave hermetike, të errëta. Këto janë konceptuar si të tilla, të vështira për t’u kuptuar, të vetëdënuara për moskuptim. Dhe ashtu mbeten, fatkeqe, të ftohta për lexuesin. Ngarkesa me ide filozofike, fshehja e tyre si qëllim në vetvete, është krejt tjetër nga arti gjenial, nga thellësia e pambarimtë e ideve e mendimeve, nga shprehja e ideve të mëdha, preokupuese për njerëzimin, me një gjuhë thjeshtësisht madhështore.

2.

“The New Folger Library Shakespeare” në Washington, e themeluar në vitin 1932, botimin me të fundit akademik e ka bërë në vitin 1992, 35 vjet pas atij paraardhës. Një botim serioz, i pajisur me aparat të pasur analitik, spjegues, argumentues, zubulues idesh e vështrimesh të kohëve moderrne. Në fjalën hyrëse, drejtori i saj Werner Gundersheimer thekson se “pasioni për Shekspirin vazhdon të rritet”. Asnjë shkrimtar tjetër, shton ai, nuk flet më fuqishëm për qenien njerëzore, në tërë format e shfaqjes së tij. Është koha të zëvendësojmë botimin e mëhershëm me një version të ri tërësor, i cili përfshin mendimin aktual më të mirë dhe më bashkëkohor për tragjedinë “Makbeth”.

Kurse editorja Barbara A. Mowat, në parathënie nënvizon se botimi është konceptuar “për një gjeneratë të re lexuesish dhe reflekton mënyrat bashkëkohore të të menduarit për Shekspirin”.

Në kapitullin “Shakespeare’s Macbeth” shkruhet se “në shekujt e mëhershëm historia e Makbethit është parë si një qëndrim i fuqishëm i një njeriu heroik i cili kryen një veprim të lig dhe më pas paguan një çmim të tmerrshëm, ndërsa ndërgjegjia e tij dhe forcat natyrore të të mirës e shkatërrojnë atë”. Dhe menjëherë, pas kësaj theksohet se “në shekullin tonë, linja midis të ligës së Makbethit dhe të mirës së supozuar të atyre që e kundërshtojnë atë është e turbullt, shprehen qëndrime të reja mbi shtrigat dhe magjitë, pyetje të reja ngrihen për mënyrat si janë portretizuar burrat dhe gratë në këtë vepër”. Për të përfunduar, “Midis kaq shumë dramash të Shekspirit, ‘Makbethi’ i flet çdo gjenerate me një zë të ri”…

Kështu ecën nëpër shekuj tragjedia gjeniale “Makbethi” dhe vetë Shekspiri. Trazues, nxitës, turbullues, provokues, qartësues. Minierë hyjnore idesh e mendimesh të thella. Edhe pse është botuar e ribotuar mijëra herë në pothuajse të gjitha gjuhët e globit, njerëzimi i kthehet e rikthehet Makbethit për artin superior dhe idetë e fshehura, por të domosdoshme për t’u zbuluar e shijuar estetikisht. Edhe pse Shekspiri ka pesë shekuj nën tokë, nëpërmjet veprës së tij gjeniale ai jep e merr mesazhe me të gjallët, vazhdon të trokasë në ndërgjegjen e njeriut dhe të njerëzimit. Vazhdon të nxisë, të frymëzojë e të dërgojë dritë hyjnore edhe prej errësirës së përjetshme.

Në kulturën tonë nuk kemi pasur ndonjë përvojë në ribotime të tilla me synime e theksime të caktuara idesh e mendimesh. Thesht sepse deri më sot nuk kemi pasur ndonjë shkrimtar gjenial. Dhe kemi bërë ribotime të zakonshme, sipas koronologjisë. Gjeneratat që vijnë, me Kadarenë, do kenë rastin e provës. Do të duhet të bëjnë ribotime me një aparat të posaçëm vlerësues, me kërkime e zbulime idesh për të cilat shoqëria do jetë e interesuar…

3.

“Unë jam krenar që e kam shkruar këtë vepër (është fjala për romanin “Koncerti”- bs). Është botuar kudo në botë, por pa atë zbërthimin e vërtetë që duhej të kishte”, është shprehur shkrimtari ynë gjenial Kadare. Është fare e qartë se ka një peng në këtë pohim, që, ndoshta, është peng i të gjithë gjenive dhe që, me sa duket, lind prej tundimit që veprat e tyre të zbërthehen në tërë madhështinë artistike dhe thellësinë e ideve që ato përmbajnë, qysh kur ata vetë janë gjallë.. Shkrimtarët gjenialë digjen së brendshmi nga dëshira që lexuesit e tyre të përjetojnë ato mrekulli e magji që ata vetë i kanë ndier gjatë procesit të të shkruarit. “Koncerti”, duke qenë një kryvepër, është analizuar, zbërthyer e vlerësuar nga kritika perëndimore. Por, sërish, pengu i shkrimtarit për moskuptim, mbetet. Dhe ndoshta do jetë i tillë për një kohë të pambaruar. Sepse ky është ligji që shoqëron veprat gjeniale. Çdo gjeneratë e çdo shekull kërkon e gjen në këto vepra ato përgjigje, ide për të cilat shqetësohet. Ato mendime që e ndihmojnë për të kapërxyer krizat që e mbajnë të mbërthyer mendimin njerëzor të kohës.

Jo rrallë shkrimtari ynë gjenial duket se është trembur nga moskuptimi i ideve të mëdha të veprave të tij dhe herë pas here ka nxituar të zbulojë vetë disa prej ideve të thella, të pazbuluara si prej kritikës, të pakapshme prej saj, ashtu edhe prej lexuesve të gjeneratës së tij. Vetë Kadare i është kthyer e rikthyer romaneve të veta duke theksuar ide qëndrore apo edhe periferike. Në librat e tij eseistikë “Ftesë në studio”, “Nga një Dhjetor në tjetrin”, “Pesha e kryqit”, në intervista dhe në botime të tjera ai ka qartësuar shumë nga idetë e mëdha që përshkojnë romanet e tij, të cilat kanë mbetur të pazbërthyera nga kritika. Përveç të tjerash, për arsyen e thjeshtë se ato kanë qenë të veshura me mjeshtëri artistike. Dhe, sidomos, kanë qenë të vendosura në thellësi të veprës. Aty ku errësira është më e dendur, zymtësia më zotëruese, krimi, vrasja është më e pranishme. Dhe, sigurisht, mjeshtëria artistike më e lartë. Kështu ndodh të “Përbindëshi” dhe sidosmos te “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncerti” e te “Pallati i Ëndërrave”. Dhe po ashtu, te “Pasardhësi”, “Vajza e Agamemnonit”, “Hija”… Pothuajse në çdo roman të tij. I tillë është tërë korpusi i veprave të Kadaresë.

Vepra “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë, shkrimtare dhe bashkëshorte e fisme, me informacionet që vetëm ajo i dinte dhe që janë, por edhe nuk janë, të pranishme në romanet e Kadaresë, ka ndihmuar në zbulimin e shumë ideve të fshehta, të mbuluara nën pasurinë e pafundme të stilit, të artit romanesk të gjeniut. Copëza bisedash, sinopse, fjali, emra, vargje, ide, kriza, thënie, detaje, frikëra, ankthe dhe, sigurisht, zhgënjime, armiqësira, revolta, shfrime, përbetime, frymë kryengritëse, guxim, humor asgjësues… Jeta reale dhe jeta artistike e gjeniut Kadare. Të dyja madhështore, unikale. Sikundër thekson botuesi francez, “këto kujtime dëshmojnë drejtpërdrejtë mbi kompleksin e ‘punës së laboratorit’ në të cilin është përpunuar vepra e Kadaresë”. Për të vijuar me thënien se “kjo kronikë e gjerë dhe e pasur, lexohet si një roman aventurash e pasionesh të atillë, që ngjallin dhe frymëzojnë dashurinë për artin dhe për lirinë”.

Mund të shtonim vetëm se ky “roman” i Helena Kadaresë, i shkruar me një gjuhë të pasur artistike dhe stil elegant, përmban, gjithashtu, një pasuri të pafund idesh e mendimesh të cilat ndjekin e zbërthejnë shumëçka nga kryeveprat e gjeniut, nga jeta dhe mendimet e tij jashtë e brenda veprës. “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë është gjithashtu një kryevepër më vete.

Dilema apo edhe zhgënjimi i Kadaresë për kuptueshmëri të paplotë të ideve të veprës, mendimeve të saj të mëdha, të thella, por të fshehura e të mbështjella me art të madh, ndoshta, nuk do shërohen asnjëherë. Sepse te ky mosshërim fshihen vlerat universale, të gjithkohëshme të kryeveprave. Për Kadarenë ka qenë e pamundur të shkruante “gjëra që nuk kishin mister, që nuk kishin atë tërheqjen e fshehtë, që nuk kishin mjegull t’i mbështillte”… Veprat e mëdha, siç janë romanet e Kadaresë, kanë shumë mister brenda vetes, shumë të fshehta turbulluese. Dhe shumë zymtësi, ankth, frikëra të errëta. Ai e kërkon me vetëdije këtë mister dhe, ndoshta, ndonjëherë edhe është shtangur prej tij. Vështrim të shumëfishtë të detajeve, thellësi interpretimi dhe mendimi njerëzor. Dhe, sigurisht, shumë art, shumë madhështi artistike… Ky, me sa kuptohet, është arti gjenial dhe ky është, po ashtu, fati i tij. Të jetë tërheqës për shumë gjenerata e shumë shekuj. Dhe kjo nuk mund të ndyshojë.

A është e mundur dhe a është e domosdoshme që tërë këto margaritarë të zbulohen menjëherë? Përvoja dëshmon se nuk është as e mundur dhe as domosdoshme. Veprat gjeniale janë projektuar të jenë të vlefshme për shumë gjenerata dhe shumë shekuj. Ndaj shpesh kanë krijuar përshtypjen se shkrimtarët gjenialë lindin para kohe, lindin në shekullin e gabuar…

Pamundësia për të interpretuar e zbërthyer tërë madhështinë dhe thellësinë e një vepre gjeniale është diçka normale. Gjeneratat kërkojnë e gjejnë në të, atë për të cilën kanë më shumë nevojë, atë që u jep përgjigje pyetjeve të tyre themelore, mëdyshjeve të tyre dhe të epokës së tyre. Gjenerata e shekuj të tjerë do kërkojnë e do gjejnë të tjera ide të madha, në të tjera shtresëzime të shumëfishta të veprës.

Shkrimtarët gjenialë trajtojnë problemet e mëdha të njerëzimit. Ata paralajmërojnë rëniet e epokave dhe të diktaturave. Këtë bënë Dante, Shekspiri dhe Servantesi në kohët e tyre. Po ashtu, Hygo, Gëte e Gogol… Të njëjtën bëri edhe Kadare me diktaturën komuniste. Romanet gjeniale si “Dimri…”, “Koncerti”, “Përbindëshi” e “Pallati …”, “Vajza e Agamamnonit”, “Piramida”, “Pasardhësi” e të tjerë, janë vepra komplekse, të thella, përplot zymtësi shekspiriane, tmerre, hije, vrasje pas një darke makbethiane, tradhëti. Tragjedi e madhe dhe grotesk i pamëshirtë. Diktatura komuniste, me një ligësi në thelbin e saj dhe diktatorët groteskë të saj, të zbuluar në tërë shëmtinë e tyre, në tërë krimet e tmerret e tyre planetare. Ajo lindi nëpërmjet krimit, u rrit dhe u rrëzua, po nëpërmjet krimit të stërmadh. Siç ndodh, pak a shumë, me diktaturat dhe diktatorët nga një shekull në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin. Romanet e Kadaresë nuk kanë të krahasuar në zbulimin dhe përshkrimin e madhërishëm të çarjes së perandorisë komuniste, të nisjes së rrënimit të saj. Me romanet e tij Kadare e kishte goditur komunizmin mu në qendrën e tij, në zemrën e vet perandorake. Në thelbin e krimit të tij. Përleshja e gjeniut me diktaturën ishte madhështore. Prandaj edhe hakmarrja e saj do të ishte e përbindshme. Moska komuniste “nuk do e lejonte as për njëqind vjet botimin e veprave të Kadaresë” në kryqendrën e vet.

4.

Gjeniu është një shkrimtar i domosdoshëm, i projektuar nga Krijuesi për vepra të madhërishme, universale. Një shkrimtar gjenial për tërë njerëzimin dhe për shekuj të tërë. Një shkrimtar që ka aftësinë dhe guximin të depërtojë në zonat më të errëta të shpirtit dhe të mendjes së njeriut e të njerëzimit. Një shkrimtar- gjeni lind i tillë. Gjenialiteti nuk krijohet, siç pandehet më kot. Nuk mësohet në jetl dhe as në shkollë. Nuk është thjesht këmbëngulja që e bën gjeniun. Në radhë të parë është fryma hyjnore, fuqia supreme që “zbret” në trurin e tij. Kadare pranon se “ka vërtet “diçka” që vjen nga lart, por sa herë njeriu kërkon ta shpjegojë këtë gjë, nuk e gjen dot”… Gjeniu është i pangjashëm. Është unikal. Ngjason vetëm me “rracën” e gjenive.

Çdo qytetërim lind gjeniun e vet. Shkrimtarët gjenialë paraprijnë e “përmbyllin qytetërime”, thotë Viktor Hygo në librin e tij gjenial për Shekspirin. Hapin apo vulosin kaperximet e mijëvjeçarëve, bashkë me enigmat, misteret, konfliktet. Tamam, atëherë, kur njerëzimi gjendet befas në kryqëzimin e epokave dhe kërkon me dëshpërim zgjidhje të mëdha për fatin e vetvetes. Jo çdo shekull lind domosdo gjeniun e tij. Sikundër ka edhe shekuj të veçantë që lindin më shumë se një gjeni. Dante tronditi shekujt e trembëdhjetë e katërmëdhjetë me veprën gjeniale “Ferri”, Shekspiri dhe Servantesi dominuan shekujt e gjashtëmbëdhjetë e shtatëmbëdhjetë. Pastaj vjen Gëte, “njeriu i fundit që i dinte të gjitha”, në shekujt e tetëmbëdhjetë- nëntëmbëdhjetë. Dhe Viktor Hygo,“njeriu oqean” në shekullin e nëntëmbëdhjetë, i cili me veprat e tij të mëdha ndau epokën e absolutizmit me erën e republikanizmit…

Shekulli i njëzetë lindi Kadarenë që me gjenialitetin e tij lajmëroi rënien e diktaturës komuniste, ndoshta më e përbindshmja e tërë diktaturave.Vepra e tij ushton nga dendësia e mendimeve që ndryshojnë botën. Dhe, po ashtu, nga tërbimi njerëzor. Truri i tij nuk ishte një tru i zakonshëm. Ishte një tru i gjithbotshëm. Pothuajse tërë truri i njerëzimit i përmbledhur në një të vetëm. I dendur, tërë intensitet. Zemra e tij është mister që rreh lehtësisht e, po aq, edhe madhërisht, vrullshëm, rrëmbyeshëm. Ajo nuk ishte një zemër e dosido. Ishte një zemër universale. Gjithçka te Kadare ishte trubulluese.

Arti i Kadaresë nuk njeh kufizime hapësire e kohe. Nuk njeh as kufij qiellorë, as tokësorë. Dhe as kufij skëterrorë. Kadare nuk stepet përballë të ligës, diktaturës, sado e përbindëshme ishte. Ai nuk u ndal as përpara veseve njerëzore, sado të fshehta dhe të thella të ishin. Përkundër sulmeve, intrigave, ndalimeve, ai nuk u tërhoq asnjë pëllëmbë nga fortesa e tij përplot gjetje artistike e thellësi mendimi. Siç nuk nguroi aspak të zbulonte të mirën, të mbronte liritë njerëzore, të drejtat humane. Madje i himnizoi të tëra ato. Pafundësia dhe e pakufijshmja, zbulimi, hamendësimi, e panjohura, e pamundshmja, fantazma dhe hijet, ëndërrat, pengimi, mëdyshja.., ishin elemente artistike të arsenalit të këtij gjeniu.

Nuk është aspak e rastësishme shfaqja e tij në kohën e krizës më të madhe njerëzore të shekullit të njëzetë. Kur liria dhe e vërteta u nëpërkëmbën, u përgjakën. Kur shtypja dhe dhuna e diktaturës komuniste nuk njohu asnjë kufi. Në këtë kohë të zymtë, plot tmerr e frikë lindi ky shkrimtar gjenial, ky gjigand i mendimit njerëzor… Dhe në vetminë e tij prej “murgu në thellësi të manastirit”, siç e përcakton ai veten, krijoi veprat e tij gjeniale…

Please follow and like us: