Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Trokitja e së vërtetës…

E vërteta trokiste ëmbël, e veshur thjesht, me mëndafsh të hollë në ngjyrë të purpurt. Kundërmonte erë trëndafili, aromë që të ngazëllen, e të duket se gjendesh në një kopsht rrethuar me trëndafilë erëmirë, freskuar me vesë mëngjesi. Isha gati t’ia çelja portën e shpirtit, të gjendesha përballë saj, e gatshme ta pranoja, jo për pak kohë, por të quheshim mike të ngushta shpirti…
Nuk ngurroj t’i them, se ndonjëherë edhe frikesha të përballesha me të, jo se isha e dobët, por kërkoja edhe pak kohë, ashtu si çdokush përgatitet të presë një mysafir e ta kënaq me gjithçka të vyer…
Ndrojta ishte larguar, ndihesha e lirë brenda heshtjes që për pak çaste u gjend mes nesh. Nuk zgjati shumë dhe e përqafova si të isha fëmijë i parritur. E shihja drejt në sy, si të shihja diellin që u falte shkëlqim syve të mi. E mora për dore dhe u ulëm në një kënd të shpirtit, për të folur e bashkëndarë gjithçka që ruhet brenda folezës ku depërton vetëm dashuria.
E vërteta buron dashuri, por edhe dhimbje!
Dhimbja nuk e mund dot të vërtetën!
E vërteta është më e fuqishme se dhimbja!
Këto fjalë m’u ngulitën thellë tek i dëgjoja të kumbonin brenda shpirtit. Ndjeja se si rritej dëshira për të larguar dhimbjen dhe të qëndroja përqafuar me miken e ngushtë, me të vërtetën, e cila nuk të braktis, si do që të jetë moti…
Të vërtetës duhet t’ia ndjesh hapat kur vjen, t’ia ndjesh aromën që përhap dhe t’ia dëgjosh trokitjen, se vjen për të të thënë se të do dhe nuk të braktis kurrë!
9 gusht 2024.
Please follow and like us: