Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Mos i prekni fotografitë!

 

Mos i prekni fotografitë,

lërini ashtu me njollat e zverdhta,

me dredhëza, përthyer dhe cepin e prerë,

janë gjurmë të jetës së saj,

ndryshe fotografitë zemërohen,

dhe ato të fëmijërisë,

të rinisë së dashuruar,

mos i prekni,

lërini në paqen dhe botën e tyre

në dritën që kanë marrë që ditën e parë

dhe errësirën që kanë përjetuar,

harruar në vite diku në një sunduk,

fotografitë flasin, kanë alfabetin e tyre të dritës

e kotë t’i retushoni dhe t’u mbyllni plagët

ju s’mund ta ringjallni rininë tuaj,

jo, fotografitë s’kanë nevojë për rimel

pudër e të kuq buzësh,

ato vjetërohen si vera, si njerëzit,

vetëm sytë mbeten po ato

të kurajos, dëshirës, vullnetit

pasi gjithë bota është ngjizur aty

vetë çasti efemer, i pakthyeshëm,

gjithë dashuritë,

dhe ju e dini:

Dashuritë nuk vdesin kurrë!

Please follow and like us: