Albspirit

Media/News/Publishing

Abdulah Sidran: Poezia është një nga faktet se Perëndia ekziston

Intervistë e Milena Selimit me shkrimtarin boshnjak, Abdulah Sidran.

Unë e kam thënë këtë thjesht, nëse jeta e përbashkët e popujve të ndryshëm në një Bosnje Hercegovinë është e pamundur, atëhere është i pakuptimtë planeti Tokë, sepse kjo do të thoshte që jeta vetë është e pamundur. Këtë kam thënë. Nuk kam pse të shpjegohem. Nata është e mirë, por jo e tëra. Punoj nga ora katër e mëngjesit, sepse pjesa e mbetur natës dhe agimi janë koha e ëngjëjve. Sipas besimeve atëhere mendohet që largohen shpirtrat e këqij. Çdo lloj pune ka kushtet e  veta, por, veçanërisht e shkruara, kërkon qetësinë dhe vetminë. Gjithçka që shkruaj e paraprin një përgatitje e gjatë dhe të gjitha shënimet e mbajtura çojnë tek cilësia. Kjo merr njëkohë shumë më të gjatë, sesa rezultati i vetë veprës së mbaruar. Këtu dallon vetëm poezia, sepse poetin nuk është vetëm, atë e ndihmojnë disa forca të padukshme. Prandaj e shikoj shumë të rëndësishme punën paraprake, për çdo punë serioze nëse do ta ndaja do t’i jepja treçerekun punës përgatitore dhe një çerek ekzekutimit.

Keni thënë se poezia është një nga faktet se Perëndia ekziston. Përse?

Kam lindur, jam rritur dhe edukuar me ateizmin dhe rruga ime tek besimi ka qenë mjaft e vështirë, bile nuk e di nëse e kam kaluar atë rrugë. Akoma brenda vetes nuk e di të vërtetëtn, këtu qëndron çështja. Por nëse duam të digjemi për besimin, aty është çështja, por nëse duam të besojmë, nëse jemi atëhere me siguri do të vijmë tek përgjigja: Po. Ekziston. Në planetin Tokë nga të gjitha ato që mund të vërtetojnë ekzistencën e Zotit, më afër nga të gjitha është poezia dhe muzika, e sigurtë që nuk kanë prejardhje njerëzore. Njeriu krijon, por krijimi sikur nuk është nëfuqinë e tij, por diçka që vjen prej dorës së Zotit.

Përse shkruani? Çfarë ndodh pas shkrimit?

Nganjëherë nuk e di pse shkruaj, ashtu ka ndodhur, sepse ishte gjëja që mund të bëja më mirë. Ndodhi që në shkollë dhe pastaj mu bë profesion. Sa isha mirë fizikisht jam përpjekur të jepja kontributin tim, isha i gëzuar që bëja pjesë në shoqërinë e njerëzve që kontribuonin për vazhdimin e asaj vepre të madhe siç është letërsia, por, tani nuk jam mirë me shëndet për të jetuar fizikisht këto lloj takimesh të letërsisë. Prej dy vjetësh, falë teknologjisë së re moderne, praktikoj emailin dhe internetin, njihem me miqtë e rinj të poezisë, letërsisë, komunikoj, flasim. Lidhem me miqtë dhe ata mund të lexojnë krijimet e mia nëpërmjet internetit. Jam 64 vjeç dhe përpiqem të racionalizoj gjithçka që ndodh rreth meje. Veprën time letrare e shoh me syrin kërkues, për të gjetur se çfarë mungon në tërësinë e saj. Këtu do të jetë insistimi im mbi veprën time, derisa tëjem gjallë.

Mendoni se ballkanasit nuk mund të jetojnë pa luftë?

 Kushdo që e ka thënë këtë, ka thënë një idiotësi të madhe, diçka të pandershme dhe të qëllimshme ndaj cilido populli ballkanas. Ballkani është një rrafsh në të cilin këta popuj ekzistojnë prej mijëra vjetësh, këta që janë sot dhe ata para tyre, luftërat që mund të numërohen janë vetëm në një kohë 50-vjeçare. Prandaj, prej shumë kohe këta popuj kanë jetuar me mirëkuptim dhe tolerancë mes tyre. Mbase nuk e dini, në kohërat më të vjetra, p.sh, në para viteve 1054, atëhere kur kisha  e vetme katolike ndahet në dy, ortodokse dhe katolike, megjithatë ndryshimi i besimit ishet aq i parëndësishëm, saqë nuk pati pasoja në jetesën e popujve. Sot duhet të hulumtohet dhe të jepet përgjigje përse feja sot është bërë kaq e rëndësishme në hapësirat tona, sepse dikur njerëzit në Bosnje kanë jetuar në mesjetë, duke praktikuar zakonet dhe besimet e ndryshme. Sot është bërë një mjet i përshtatshëm në duart e politikanëve për të realizuar qëllimet e tyre.

Ju shkruani për luftën. A mundeni t’i shpëtoni kësaj strukture mendimi?

Nuk kam ikur nga Bosnja në kohën e luftës. Kam shkruar më shumë në kohën e luftës, sesa në paqe. Në fillim isha i shokuar, pastaj eksplodoi tek unë krijimtaria. Kam shkruar shumë poezi, kurse para luftës kam menduar se nuk do të shkruaja kurrë më poezi. Kujtoja se në këtë gjini të shkrimit kisha kapur majën dhe nuk do të më duhej më asgjë tjetër për të shtuar, ndërsa erdhi tragjedia ku ndodhi shoku, eksplodimi artistik në poezi. Dhe kjo ndodhi jo vetëm me mua, por edhe me shumë poetë të Sarajevës dhe të Bosnjes.

Venecia… metafora?

Jo, jo nuk është metaforë. Metafora e Venecias i referohet civilizimit evropiano-perëndimor, i cili sipas mendimit dhe ndjesisë sonë, në vitin 1993 ishte pasiv në mënyrë të pafalshme. Ajo që ndodhi në Dejton në ’95 mund të kishte ndodhur në shtator të vitit 1992, nëse opinioni ndërkombëtar do të kishte arritur marrëveshje për zgjidhjen e të gjithë atyre mosmarrëveshjeve të vogla. Prandaj edhe vjersha “Pse, jo Venecia”, është në njëfarë mënyre profeci.

Ku ndihesh më mirë në poezi, prozë, dramë, film?

Ha ha ha. Në shah, besoj. Mendohet se krijimtaria ime më e mirë letrare mbetet poezia.

Ali Izerbegoviç?

Nuk është e lehtë të interpretohet ai detaj. Ai duhet të fliste se nuk do të ketë luftë, e kundërta do të thoshte se lufta kërkohet. Nëse do të fliste se “do të ketë luftë, do të ketë luftë” atëhere të gjithë do të mendonin se po e nxisnim luftën. Por, pavarësisht kësaj ne vetë njerëzit, sa kishim forcë dhe fuqi gjetëm nga ndonjë pushkë. Më kujtohet shumë mirë, se kur kam qenë në spital i sëmurë nga zemra, Ali Izerbegoviç po vdiste në dhomën pranë dhe intelektuali i madh evropian Predrag Matejeviç, më erdhi për vizitë pa e ditur se presidenti ishte para vdekjes. I tregova se ku ndodhej Aliu dhe më kujtohet shumë mirë sesi kemi folur të tre dhe u ndamë me lot në sy dhe fjalë të ngrohta. Shumë njerëz sot ende pyesin se çfarë mund të kishte bërë më mirë Izerbegoviç. A mund të fliste ndryshe, a mund të vepronte ndryshe? Në mendimin tim, them se nuk mund të trembej popullata. Megjithatë kjo është një pjesë e historisë sonë, që duhet vlerësuar nga historianët, me kalimin e viteve.

Kusturica?

Nuk jam skenarist, por kam bërë dy filmat e parë me të. Puna ime me filmin mbaron kur mbaroj tekstin, pastaj fjalën e ka producenti. Nëse regjisori ka ide të reja, lidhur me skenarin, atëhere unë mund të jem dakord ti pranoj, ose jo. Asnjëherë nuk kam marrë pjesë në xhirime, sepse skenaristi do të rëndojë punën e artistëve, apo regjisorit nëse bëhet pjesëmarrës në procesin e filmit. Kështu kma punuar me të gjithë regjisorët. Më vjen mirë që Kusturica i ka marrë çmimet më të rëndësishme të tij me skenarët e mi. Ai është një personalitet artistik, që duhet të ndahet nga ajo zgjedhje partiake që ka bërë sot. Unë nuk kam kontakte me të që prej vitit 1992 dhe mendoj se ai ka fituar çmimet e filmave me historinë për Bosnjën dhe traditën e popullit të tij.

Ishin shumë filma të mirë. “Të kujtohet Dolly Bell” është si një novelë, tregim i shkurtër. Nuk është rasti të flitet për krahasime këtu. “Otac” është si romani në letërsi. Nuk di se cilin kam më shumë për zemër, ose kë të quaj më të mirin. Nuk mund të krahasohet, ekziston ai ndryshim për të cilin sapo ju fola. Fillimisht ishte një poezi, pastaj kërkova të shtroj një situatë, që solli edhe skenarin e filmit, por në “Otac” nuk mund të flitet për faj politik, por për cilëndo familje që pret babain të kthehet nga jashtë. Një baba që vjen nga burgu dhe vjen me duart bosh. Sa e dhimbshme një skenë e tillë. S’kanë asgjë ç’t’i japin njëri-tjetrit mes tyre, veç dashurisë dhe kjo është gjëja më e madhe.

Kush janë shkrimtarët shqiptarë që njihni?

Jam parë me Ismail Kadarenë në Babel 2007, por rrethanat nuk e sollën që të flisnim dhe të takoheshim. E vlerësoj si shkrimtar dhe do të thoja se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” mbetet një libër-kult, që nëse do të bëhej një anketë europiane, ai është një nga më të lexuarit e tij. Nuk e kam ndjekur krijimtarinë e tij, di se ka patur edhe produksione filmash, por them se Kadare nuk është i rëndësishëm vetëm për këtë, por edhe sepse 50 vjet, vepra e tij i ka shërbyer popullit të tij, edhe pa qenë ende një shkrimtar i madh.

Messa Selimoviç?

Kam një kujtim të hidhur prej tij. Ai në librin tim të parë ka shkruar se nuk kisha talent dhe jam demoralizuar shumë nga kjo fjali e tij. Por ka shkruar dy romane të njohur botërorë, si “Dervishi dhe vdekja” dhe “Pohimi”, si dhe shumë studime gjuhësore, pro dhe kundër gjuhës, pasi Selimoviç ka meritën e reformimit të gjuhës në veprat e tij. Ka edhe shumë vepra të tjera, por mbeten larg cilësisë së këtyre romaneve që përmenda më lart.

Më thoni diçka, a e keni njohur ju Karaxhixh?

Kemi qenë shokë, si të rinj të një gjenerate. Por kemi qenë edhe komshinj, miq, pasi ai ka qenë mjek si e dini dhe unë e kam thirrur shpesh herë të shohë ndonjë të sëmurë në familjen time. Ishte korrekt atëhere. Kam shumë kujtime me të, edhe të bukura, edhe të trishtuara, por sot është e vështirë të flasësh për të. Ai ndodhet aty ku është dhe do të marrë atë që i takon.

Ka qenë e vështirë të jetosh në luftë, të shkruash në luftë, të mbijetosh?

Unë kam humbur 25 kg gjatë luftës, sepse nuk kishte ushqim. Përse është kjo e rëndësishme të thuhet? Sepse kam qenë qytetar i privilegjuar në Sarajevë. Në vendin ku kam qenë kam mundur të gjej edhe ushqim, edhe tëmbijetoj, ndërsa jo të gjithë e patën këtë fat.

Besimet fetare?

Ato marrëdhënie janë shkatërruar, kërcënuar, ndryshuar, kjo është e keqja më e madhe që Radovan dhe sërbët kanë mundur suksesshëm ta realizonin në Bosnjë-Hercegovinë. Një shtet që ekzistonte në letra de jure, si e pavarur, anëtare e Kombeve të Bashkuara, e njohur edhe nga ndërkombëtarët, nuk di nëse ata e shohin si një realitet abstrakt, apo si një realitet ekzistencial. Kjo vërteton në fakt mosekzistencën e  saj. Në këtë kuptim, kryengritësit serbë kanë bërë punën më të tmerrshme, nëse nuk shkatërruan një shtet me të drejta të plota, shkatërruan shoqërinë tradicionale të Bosnje-Hercegovinës, shoqëri e cila komunikonte pa asnjë problem mes etnitetesh. Ushtria serbe, duhet të them e çetnikëve, sepse ka shumë serbë që unë i dua dhe që nuk kanë qenë me Karaxhixhin, (termi çetnik është një ideologji), pra këta, me forcë ushtarake kanë përzënë pas Dejtonit 150 mijë serbë të Sarajevës, duke i zhvendosur forcërisht në rajone të tjera të Bosnjes, që mbeten të boshatisura pas luftës. Delegacioni i kthyer pas Dejtonit mendoi se arriti një fitore të madhe, por nuk ishte ashtu. Me këtë vendim, Millosheviçi, përfundimisht bëri ndarjen etnike të Bosnje-Hercegovinës. Unë këtë që ndodhi e quaj një tragjedi dhe mendoj se është një humbje e madhe që serbët dhe kroatët u larguan nga Sarajeva, megjithëse 80% e tyre u larguan me urdhër të partisë dhe vetëm 20% nga frika e terrorit mbi ta. Bosnja mbeti, por shoqëria e saj është zhdukur. Diçka e tillë nuk ka pas ndodhur më parë. Dhe unë nuk mundem ta mendoj nëse do të rikthehet përsëri ajo shoqëri 600-vjeçare, që ekzistonte në paqe dhe tolerancë me njëri-tjetrin. Personalisht kam folur dhe jam prononcuar. Nuk jam politikan, jam një shkrimtar.

A keni frikë nga vdekja?

Unë e kam kaluar vdekjen. Kam qenë klinikisht i vdekur dhe jam ngjallur. Një njeri në gjendjen time duhet të përgjigjet me humor… nuk kam frikë nga ajo që do të vijë.

Intervista është e realizuar në vitin 2008. / KultPlus.com, 24 mars 2024.

Trofeu ndërkombëtar për letërsi ‘Ali Podrimja’ i shkon shkrimtarit boshnjak, Abdullah Sidran

Çmimi Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” i Kolegjit AAB për vitin 2021 iu nda shkrimtarit boshnjak Abdulah Sidran

Please follow and like us: