Albspirit

Media/News/Publishing

Himara dhe himariotët siç i njohu Marin Barleti

Historiani i shquar Marin Barleti, njihet si figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane.

Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”.

Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik më 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, rreth viteve 1508-1510.

Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F. S. Noli ka shkruar me të drejtë, se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.

Më poshtë, sjellim të shkëputur prej saj, një fragment ku Barleti përshkruan Himarën dhe shqiptarët e kësaj krahine:

“Ata janë të siguruar vetëm me mbrojtjen natyrore të vendit; aty s’ka bërë gjë dora apo mjeshtria e njeriut. Ata i kanë përbuzur gjithmonë me sukses turqit e harbuar pas nënshtrimit të Epirit me vdekjen e Skënderbeut dhe kanë jetuar gjer në atë kohë, pa e njohur sundimin e huaj, me njëfarë lirie të pashoqe të natyrës”.

Marin Barleti: “Historia e Skënderbeut” .

Please follow and like us: