Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Përtej brymës…

Nganjëherë na pëlqen ta shohim botën përtej xhamit, të shohim siluetën e saj, çka gjithnjë të sugjeron një lloj misteri; madje do kishim dëshirën herë-herë ta shihnim kështu, në një lloj sugjestioni, në një reale që ka brenda vetes jo-realen e që na nxit të imagjinojmë realen dhe ta interpretojmë atë, çka është një nga funksionet e artit. A nuk bënte kështu Man Ray, që në atelierin e tij parisian krijoi imazhe të tilla, të ngjashme, që hynë në historinë e fotografisë botërore. Që nga fotografia e kopertinës, ky album i fotografit Spahija na e prezanton trupin njerëzor “përtej” dhe i bën këto imazhe të flasin, të kenë gjuhën dhe alfabetin e tyre, përmes të cilit ne depërtojmë në anën “përtej”, tjetër.
Ajo është e mbledhur kruspull, me trupin cullak të përkulur, me gjunjtë e lagur pas xhamit të dushit ndoshta, apo e përkulur përpara dhe ulur si në një pastel të Edgar Degas. Janë fotografuar kështu të denja për një mjeshtër si Degas. Qëndrojnë aty pranë veprave të tij, pasi dhe Degas e donte shumë fotografinë. Të denja, të përkulura, të shtrira dhe në lëvizje si në një dans koreografik, me mistikën e tyre. Kur në fillimet e fotografisë Bodleri ishte kundër këtij arti të ri ndoshta kishte parasysh pikërisht këtë element të mistikës, jo reales, për diçka sureale, hire që na vijnë përtej natyrales. Dafina e shtrirë (Përtej, 2018) ka një linjë të shndritëshme mbi trup, sikur vetë Gjon Mili ta ketë fotografuar atë pas seancës së famshme parisiane kur Picasso “shkruante”, vizatonte, përmes dritës. Si një vepër e vërtetë arti, e denjë është kjo Daffinë për tu vendosur në dimensione të mëdha në muret e një salloni arti, për të parë të gjitha hiret e saj, jo thjesht të trupit, por të fotografimit, ajo çka është ngjizur brenda “dhomës së errët”, “camera obscura”, apo “kamera e çudirave”, ku një George Melies zbuloi në atelierin e tij në Montreuil embrionin e magjisë së tij kinematografike : mund të udhëtonte dhe drejt hënës dhe ta imagjinonte veten atje (“Voyage dans la lune”, 1902).
Dana (2022) përtej aparatit fotografik jeton kohën e akullt, të mjegullës apo të brymës, çka më pëlqeu që kur e pashë dhe i kërkova Fahredin ta kisha për kopertinën e romanit tim “Gruaja që vinte përmes mjegullës”. Besova se shprehte dramën e personazhit, gruas apo sopranos italiane që pas 40 vjetësh vinte në malet e Shqipërisë së jugut të gjente ushtarin e humbur, të dashurin e saj të rinisë. Po, jo rrallë fluja shpreh dramën njerëzore pasi është vetë shpirti, i cili, ashtu siç shndrit në gëzimet e veta, ashtu dhe përhumbet, bëhet flu, sytë dhe trupi në flu, në brymë, në ikje, në “bouleversement”, ku jo rrallë njeriu humbet kujtesën. Dhe atëherë ai vazhdon jetën në mjegull, në përpëlitjen që zgjat…
Driana (2011) është trupi njerëzor, vetë dehja. Imagjinoj për një çast para saj Rodenin në etudet e tij të erotikave që hodhi në guash dhe pastaj u dha formën në mermer apo në bronx.
Dana (2013) është me gojën paksa të hapur, në flu, në ekstazë. Kam përshtypjen se të gjitha qeniet njerëzore në këtë çast përhumben disi, sikur shkëputen nga realja, madje gjendemi papritur në ajër. Fenomeni biologjik kthehet në shpirtëror, madje shkëputet nga trupi dhe kthehet në diçka eterike, mistike. Brymë!
Albumi “Përtej” i fotografit Fahredin Spahija, i ka dhënë një tjetër dimension fotografisë sonë. Ndoshta në këtë çast që po shkruaj këto pak rradhë ai është fshehur në “dhomën e errët” të tij në kërkim të krijimit të magjisë.
Please follow and like us: